Edhe prokurori favorizoi lirimet e të dënuarve/ Bujar Memia, në një linjë me gjyqtaren Enkeleida Hoxha për…

Feb 16, 2021 | 11:09
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Gjashtë mijë euro për të liruar nga burgu një të dënuar për vrasje më duken shumë pak, të paktën krahasuar me shifrat që jemi mësuar të dëgjojmë.

enkeleida hoxha-dokumentQë këtu duket sikur ka diçka që nuk shkon. Duket sikur më shumë sesa paratë, gjyqtarja mund të jetë bindur nga shantazhi. Por kush e ka shantazhuar? Një gjyqtare që përflitet për lirime të padrejta që nga 2017-a, që e di shumë mirë se po hetohet, përgjohet, etj., etj., vazhdon e jep vendime në favor të të dënuarve, e vetëdijshme që kjo mund t’i kushtojë prangat, duket sikur nuk ka shumë kuptim. Nuk mund t’i dimë rrethanat pse ajo ka pranuar për aq kohë sa vetë ajo ka preferuar të mos flasë dhe na lë të marrim të mirëqenë faktin se paska qenë e korruptuar.

Megjithatë, duke parë disa vendime, një prej të cilave është ky për Hekuran Billën, që u vra më 11 qershor të vitit të kaluar, na lind e drejta të aludojmë. Pse vetëm gjyqtarja qenka përgjegjëse për të gjitha këto lirime? Në fund të fundit, ajo thjesht e ka shpallur një vendim, për të cilin ishin krijuar kushtet që nga drejtori i IEVP-së, Shërbimi i Provës, e madje nuk është kundërshtuar as nga prokurori, që në këtë rast dhe disa të tjera është i njëjti, Bujar Memia, që sot ILD-ja kërkon shkarkimin e tij. Vendimi i marrë nga Enkeleida Hoxha, ashtu si në rastet e mëparshme, ato më të përfolurat, siç është rasti i Ilir Pajës, Genc Tafilit dhe i Endrit Dokles, ishin të gjitha të ndihmuara nga raportet e drejtuesve të këtyre institucioneve dhe përfaqësuesi i akuzës. Po këta do të mbajnë ndonjëherë përgjegjësi, apo u arrestua një gjyqtare dhe tani duhet të duartrokasim sepse u godit korrupsioni në drejtësi?

PROKURORI ISHTE PRO LIRIMIT ME KUSHT TË BILLËS

Me një vendim të datës 22 shkurt 2019, Gjykata e Krujës pranoi kërkesën e të dënuarit Hekuran Billa duke vendosur lirimin e tij me kusht. Në kohët e marrjes së këtij vendimi, Billës i kishin mbetur për të vuajtur 5 vjet, 2 muaj e 11 ditë. Në gjyqin për lirimin e tij me kusht, mori pjesë edhe prokurori Bujar Memia. “Prokurori Bujar Memia, i cili e ka në çmuarje të Gjykatës kërkesën e kërkuesit Hekuran Billa, duke relatuar se kërkuesi paraqiti gjatë gjykimit akte shkresore, të cilat provojnë rrethana të veçanta për t’u liruar me kusht dhe se gjithashtu Zyra Vendore e Shërbimit të Provës Krujë, ka sjellë raport pozitiv për kërkuesin Hekuran Billa në lidhje me kërkesën e tij me objekt lirimi me kusht. Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi e provuar se Hekuran Billa aktualisht vuan dënimin në IEVP Fushë-Krujë dhe me vendimin e datës 20.07.2017, Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur që kërkuari Billa të dënohet me 25 vjet burgim”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Krujës.

vendimi per lirim-billa

ILD NISI HETIM DISIPLINOR PËR PROKURORIN MEMIA, PAS VRASJES SË BILLËS

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur më datë 15.06.2020 verifikimin e fakteve të bëra publike nga media elektronike dhe ajo e shkruar gjatë transmetimit të lajmit për vrasjen në datën 11.06.2020 të shtetasit Hekuran Billa, mbi gjendjen gjyqësore të këtij shtetasi me burgim të përjetshëm nga ana e autoriteteve gjyqësore të huaja, si dhe njohja e këtyre vendimeve nga ana e autoriteteve gjyqësore shqiptare.

Pas verifikimit të të dhënave shtesë të administruara nga Gjykata Rrethit Gjyqësor Krujë apo gjykatave të tjera lidhur me proceset gjyqësore të zhvilluara për rastet e paraqitura në media, më datë 16.07.2020, Inspektori i Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë për magjistratin Bujar Memia, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.

Në raport me faktet e provuara gjatë hetimit disiplinor dhe pas një vlerësimi të hollësishëm të çdo prove veçmas dhe të gjitha provave së bashku, konstatohej se nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor Bujar Memia janë ndërmarrë veprime/ mosveprime, të cilat kanë të bëjnë me: Mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit; Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit dhe mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin; Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit, mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor; Mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura