Edhe kur tonet duken të ashpërsuara

Aug 10, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Prishja e dy objekteve në Dhërmi, siç thuhet, të Dje në Korçë ndërtuara mbi një kolektor  uji, u bë përsëri shkak deklaratash nga pala greke dhe mandej temë e mediave të kësaj të fundit, me pretendimin se shkelen të drejtat e minoritarëve. Kjo, sipas tyre, i hapte udhë bllokimit të procesit për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Këtyre iu bashkua dhe deklarata nga Preveza e Presidentit grek, zotit Prokopis Pavlopoulos.

Ajo që bën përshtypje është se, raste si këto shfaqen herë pas here, të cilat, duket si për t’u bërë më shumë qejfin, pa thënë t’u jenë krahë qarqeve dhe individëve të ndryshëm për tensione, duke mos pasur realisht shkaqe për të tilla. Dhe unë kështu do të dëshiroja të ishin ato, duke i parë çdo palë nga ky kënd, edhe kur tonet duken të ashpërsuara, pa lupë, larg mllefit a urrejtjes, duke respektuar njëri- tjetrin, si të barabartë, që ecim në të njëjtën korsi, atë të NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Greqia është partneri ynë strategjik, ku interesat e gjera të njerëzve, të të dyja vendeve, nuk mund të mbeten skllave të politikës. Si të tilla, ato u kanë shërbyer një të ardhmeje të përbashkët. Sigurisht, përkrah tyre nuk mungon dhe prezenca e problemeve të njohura në marrëdhëniet dypalëshe: Ligji i Luftës, i cili vazhdon të mbahet në sajë të një dekreti mbretëror ende në fuqi, dhe pse ka një Traktat të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe të Sigurisë; Çështja Çame që nuk mund të anashkalohet, Marrëveshja për Detin etj. Pavarësisht këtyre, ka një pasqyrë të dukshme përpjekjesh që ato të mos kthehen në mure mbajtëse për të zbehur apo për të mbajtur të ngurosura marrëdhëniet dhe, aq më keq, për t’i futur në qorrsokak dhe ku nacionalizmat kërkojnë terren për të mbjellë e zhvilluar konflikte.

Këto të fundit, në mënyrë konstante duan pra, t’i kthejnë tepër prapa bashkëpunimin e ngushtë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Reagime, si ato të shoqatave të ndryshme për ngjarje periferike, paranoja, duke gjetur sebepe, do të ketë. Puna është që të mos shkohet aq larg sa mund të zënë vend dhe në fjalimet e krerëve më të lartë të shtetit e t’i bëhen dhuratë politikës.

Nuk mund të jenë në interes të të dyja palëve demonstrimi i forcës apo dhe superlativa si ato të “tregimit të dhëmbëve”, me epilogun “ky po, është udhëheqësi i duhur, të tregon vendin” nga iksi dhe ipsiloni, të dashuruar pas një patriotizmi folklorik, apo zjarri i retorikave, të cilat së bashku krijojnë perceptime jo të drejta. Pas tërë këtyre, një gjë duket qartë: Boritë e armiqësisë, të sherreve, kushdo që u fryn, është shumë e vështirë, megjithatë, të helmojnë marrëdhëniet e miqësisë, të mirëkuptimit midis popujve tanë. Historia është gjykatësi më i mirë dhe që ndërkohë dëshmon për bashkëpunimin e ngushtë, me rrënjët në përpjekjet e të dyve, përballë sfidave, kundërshtarëve të përbashkët, ngjyrave të nacionalizmave, për marrëdhënie të pandashme njerëzore, me interes të ndërsjellë.

Dy vende pranë njëri-tjetrit, edhe pse oshilacionet nuk kanë munguar, me një histori të lashtë, duke i dhënë frymëmarrje dhe hapë- sirë miqësisë midis tyre. Poeti i madh i kombit shqiptar, Naim Frashëri, duke evokuar në veçanti marrëdhëniet me grekët, por edhe me fqinjët e tjerë, ngrinte zërin “për të hedhur poshtë çdo trazirë, grindje”, me thirrjen “rroftë e qoftë vëllazëria”.

E njëjta reflektohet dhe në personalitete të shquara greke. Gati tri dekada pas Naimit, Pangallos, gjeneral dhe për ca kohë Kryeministër e President, miqësinë me shqiptarët e shikonte me faktin që “me ta na bashkojnë lidhje origjine, gjaku, luftërash të përbashkëta…”. Shembuj të tillë, të mëparshëm e të mëvonshëm, kanë po atë emërues: shëndoshjen e marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë shëndoshje, minoriteti grek në Shqipëri ka kontributin e vet.

Sepse bashkëjetesa shembullore e shqiptarëve me këtë komunitet, me të cilin kemi përjetuar së toku çdo gëzim e shqetësim, në ditë të mira e të vështira për të dyja palët, ka qenë dhe mbetet inkurajim i fuqishëm i këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve. Këtyre iu shtua pas viteve ’90 dhe emigrimi i mijëra shqiptarëve në Greqi. Ndaj, nëse është e nevojshme, legjislacioni ynë dhe më tej, kundër çdo diskriminimi, le të bëjë për të dhe minoritetet e tjera, sikurse kërkohet dhe nga ai grek.

Ky afrim dhe dëshirë e mëtutjeshme afrimi me fqinjin tonë, ka bërë që Greqia të jetë e pranishme në vendin tonë, si partneri i dytë tregtar i Shqipërisë dhe investitori i huaj i parë, kryesor, pavarësisht krizës së njohur që po përjeton ky vend, me 25 për qind në total të investimeve të huaja në Shqipëri, sidomos në sektorin bankar e siguracione, në telekom, ndërtim, transport etj. Sikundër shihet, balanca anon jo pak nga ato që na bashkojnë, sesa nga ato që na ndajnë.

Ndaj dhe deklaratat, si ato që përmendëm në fillim të shkrimit, pavarësisht funksionit të tyre, do të donim të ishin më pranë afrimit, miqësisë që lidh dy vendet dhe popujt tanë, për të sfumuar dhe ato problematika të së shkuarës nga fqinji ynë. Ç’ka për t’u reflektuar dhe nga pala jonë, nuk mund të injorohet gjithashtu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura