Edda, e bija e Musolinit, e dashuruar me një komunist

Mar 27, 2011 | 12:15
SHPËRNDAJE
Edda Mussolini Ciano (Lart) Leonida Buongiorno

A mundet një grua të dashurojë armikun? Nëse gruaja është Edda Ciano dhe armiku është Leonida Bongiorno, atëherë mund të ndodhë. “Edda Ciano dhe komunisti” (“Edda Ciano e il comunista”) me regji të Graziano Diana, me skenar të Stefano Marcocci e Domenico Tommasetti ka sjellë në ekranin italian historinë e dashurisë së vajzës së Duçes dhe një komunisti. Nën interpretimin e aktorëve Stefania Rocca e Alessandro Preziosi, filmi është bazuar në librin e Marcelo Sorgit, i cili tërhoqi kuriozitetin dhe interesin e lexuesit. Marcelo Sorgi ka arritur të ndërtojë një histori, që për ’60 vjet u kufizua në Lipari. Ka mbledhur dëshmi, letra, fotografi dhe ka treguar një histori dashurie të plotë, të pastër, magjike, e aftë për të djegur çdo kornizë.
Romë, vitet ‘30. E fuqishme dhe prepotente, e shqetësuar dhe e mbajtur nëpër gojë, adhuruese e perëndeshës së mondanitetit, Edda Ciano është “kontesha e Pariolit”. Pa komplekse, ekstravagante, i pëlqen xhini, pokeri, cigaret e forta, burrat më të rinj, romanet amerikane dhe veprat e De Chirico-s. I përket asaj race së cilës e përditshmja i rezervon vetëm tronditje kënaqësie. Jeta e saj është një sfidë ndaj rregullave, një roman. Skenari i saj duket të jetë shkruar nga perëndia e fatit. Pastaj, papritur ja ku vjen shpagimi: perënditë e së keqes hakmerren dhe pushimet e saj të gjata dhe elegante përfundojnë në një tragjedi në atmosferën e errët të fashizmit që po vdes.
1944

Aktorët, Stefania Rocca e Alessandro Preziosi, në rolet e Eddës dhe Leonida Bongiorno, në filmin ““Edda Ciano dhe komunisti”

Rebelja e artë e lagjeve të pasura transformohet në një rebele autentike me një maskë tragjike. Një grua kundër gjithçkaje, krenare, por e sfilitur nga jeta. Lufton me të gjitha forcat e saj për të shpëtuar të shoqin, Galeazzo Ciano, ish-ministër i Punëve të Jashtme dhe krah i djathtë i Duçes, të cilin e ka dënuar me vdekje i ati i saj me akuzën e tradhtisë. Lutet, kërcënon, urren babain aq të dashur, derdh të gjitha lotët. Por më kot. E plagosur, e tërbuar, e dëshpëruar, ajo shfaqet një grua e vërtetë, protagoniste dhe viktimë e historisë. Të tjerët vdesin, ajo mbijeton, por është një grua pa buzëqeshje. E ka dashur të shoqin, Galeazzon, në mënyrën e saj dhe ia morën. E donte të atin, Beniton, me gjithë forcën e saj dhe ai e tradhtoi. Ka dashur shumë dhe jeta e bëri që të urrente: një kapriçio tragjike e fatit, që pa mëshirë i ka kërkuar llogarinë.
Lipari, shtator 1945
Edda është në kufi. Është e mbikëqyrura speciale numër 1, siç dëshironte ta quante veten. Është e sëmurë, e depresuar dhe e mbyllur në vetmi. Në moshën 35-vjeçare duket një grua e marrë fund. Por, nuk do të jetë kështu. Nga mesi i fatit të mbrapshtë do të dalë një As: Leonida Bongiorno, një partizan komunist. Mes së bijës së Duçes dhe një burri që me krenari tregon teserën e Partisë Komuniste, lind një pasion i zjarrtë, një dashuri e dëshpëruar. Ai është i bukur, i gjatë, i fortë, romantik. Ajo ka sharmin, tundimin e misterit, tërheqjen prej paganeje. U takuan, u njohën, u dashuruan. Puthje të dhëna dhe të mohuara, arrati, kapriçio, fjalë të pëshpëritura, poezi të dedikuara, vështrime të humbura në boshllëk, momente pasioni, letra, xhelozi…
Edda lë ishullin, kthehet, e lë sërish. Dashuria e tyre është e vërtetë, por rrugëtimet, të ndryshme. E ardhmja e Leonidas është në Lipari, me një grua të tokës së tij, ndërsa e Eddës në Romë, në Kapri, Kortina…, kudo që e çon bota e saj. Një histori paksa e çmendur, e stilit të Pirandelos, konfuze në ambiguitetin e vet, mes teatrit dhe jetës, që përfundoi në miqësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura