“E vërteta e tri çlirimeve të Skraparit!”- Ish-kreu i LANÇ: Ultimatum me letër për togerin italian! Si i detyruam fashistët të dorëzonin armët te shtiza e flamurit

Sep 5, 2021 | 14:52
SHPËRNDAJE

Xhelal Staravecka-Enver Hoxha111-1Në çdo 5 shtator, skraparllinjtë festojnë çlirimin e zonës së tyre nga okupatori fashist. Në librin me kujtime të Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”, mes shumë ngjarjesh dhe personazhesh që sjell në vëmendje, një nga krerët kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është edhe çlirimi i Skraparit, i kryeqendrës së tij, Çorovodës dhe rrethinave të saj. Sipas variantit që sjell Staravecka, Çorovoda është çliruar 3 herë në vitin 1942.

Hera e parë ishte më 9 shtator, e dyta më 8 dhjetor dhe hera e tretë më 19 dhjetor. Në të gjitha rastet, Staravecka rrëfen se çlirimi ka ardhur nga një grusht luftëtarësh skraparllinj me të në krye, ndërkohë që nuk kishte asnjë përfaqësues nga forcat e tjera politike, si Balli Kombëtar, me në krye Abaz Ermenjin.

Askush nuk mund të mohojë, pavarësisht se historiografia e kontrolluar dhe e politizuar e regjimit komunist e bëri këtë, se Xhelal Staravecka ka qenë protagonist i organizimit të luftës dhe betejave çlirimtare në disa rajone në Berat, Skrapar, Korçë, Fier, Kolonjë, Përmet, madje ka komanduar luftën e drejtpërdrejtë kundër pushtuesve aty”.

Kështu që, pavarësisht notave subjektive që vihen re në librin e Staraveckës, në të flitet me data dhe emra konkretë, çka do të mjaftonte qoftë edhe për të vënë në dyshim historianët shqiptarë mbi të vërtetat e historisë.

PJESË NGA LIBRI ME KUJTIME I XHELAL STARAVECKËS
“PËRPARA GJYQIT TË HISTORISË”

…Nga fundi i pranverës 1942 më thirrën në Berat. Të nesërmen më nisën në Skrapar për të ndjekur Mestanin (Ujaniku, shën. i botuesit). Ajo punë më kënaqi, mbasi arratisjen kisha vendosur ta bëja dy javë më vonë… Posa arrita në malet e Skraparit, në bashkëpunim me Mestan Ujanikun u përgatitëm të përballonim reaksionin e armikut. Okupatori dhe mbeturinat e plehrat e botës shqiptare që bashkëpunonin me okupatorin, si Kasëm Radovicka më shokë, nuk e humbën minutën, por çuan këmishëzeztë e tyre për të shuar luftën. Mirëpo të gjitha ato fuqi që dërguan herë pas here ua dërgonim mbrapsht në Berat si mos më keq, pa armë, të grisur copë-copë e në pikë të vrapit, këmbëzbathur nga sulmet tona.

LUFTA E RADËSH GRADECIT, 7 SHTATOR 1942

Në muajin shtator 1942, Kasëm Radovicka kishte vendosur t’i shqiste llogaritë me ne, prandaj nuk hezitoi të vihej në krye të tri batalioneve mercenare këmishëzeze e më 7 shtator u ndal në katundet Mollas dhe Radësh, përballë nesh që ndodheshim në malet e Gradecit dhe të Radëshit. Në orën 23:00, me fuqinë që kishim ndarë në tri çeta nga tridhjetë veta, i sulmuam. Lufta u ndez, sado që në fillim nuk patëm më tepër se 100 burra të Skraparit, mirëpo afër mëngjesit kishim rreth 700 burra nga Skrapari, të tërbuar e që luftonin si luanë të plagosur.

Ajo përpjekje kundra tri batalioneve të okupatorit, që quhet lufta e Radësh-Gradecit, vazhdoi deri në orën 16:00 të datës 8 shtator 1942, ku fuqia e luftëtarëve të lirisë kombëtare, pas 17 orë luftimesh, përfundoi me fitore dhe me shpartallimin e turpshëm të okupatorit që ishte zëvendësuar me veglat qorre të tij, të komanduara nga Kasëm Radovicka. Kasëmi vetë e ndaloi vrapin në Therepel, pa kapelë në kokë. Pas shpartallimit të fuqisë mercenare të lodhur nga ajo luftë, shkuam e pushuam në katundin Mollas dhe Vërzhezhë.

Fitimin e asaj përleshjeje vendosa ta shfrytëzoj mirë politikisht, porse nuk ua kallëzova shokëve, Mestanit dhe Gjin Markut. Ky i fundit kishte disa muaj që qëndronte me Mestanin. Sado që isha i lodhur e i këputur, nuk munda të flija pse kërkoja zgjidhjen e asaj probleme, realizimi i së cilës më dukej shumë i vështirë. Mirëpo në mëngjesin e parë na lajmëruan se një komision nga qendra e nënprefekturës së Skraparit, Çorovoda, donte të takohej me ne. Ju nuk mund ta imagjinoni sesa u gëzova, sepse në atë rast pashë realizimin e ëndrrës sime. Tani nuk më duhej tjetër veçse të bëhesha autori i një fakti të kryer. Posa erdhi komisioni përpara nesh dhe na paraqiti mesazhin e autoriteteve qeveritare të prefekturës se lufta që u bë në lokalitetin e naltëshënuar mbetej një pikë pa ndjekje, në qoftë se ne nuk do të sulmonim qendrën, Çorovodën…

Xhelal Staravecka-Enver Hoxha1

ÇLIRIMI I ÇOROVODËS

Në orën 15:00 të 9 shtatorit 1942, atëherë kur nazifashizmi luftonte me sukses prej ElAlamein-it deri në Stalingrad, ne hymë në Çorovodë pa luftë, pasi okupatori nuk ishte në gjendje të mbronte atë qendër. Po në atë ditë, ne, qoftë edhe simbolikisht, vetëm për 36 orë çliruam për të parën herë një qendër nënprefekture shqiptare në tokën tonë. Çfarë entuziazmi! Një jehonë dukej sikur mbushte qiellin dhe dheun, duke na përkëdhelur me një sihariq që mbante fshehur. Se një muaj e pak ditë më vonë do të merrnim emrin lavdiplotë: “partizanët e Nacionalçlirimtares glorioze”, natyrisht pas përfundimit të Kongresit të Pezës në dyjavëshin e fundit të muajit tetor 1942, në Pezë.

GJASHTË ORË LUFTË PËR ÇLIRIMIN E ÇOROVODËS

Çlirimi i komunës së Çepanit kishte një qëllim, dhe qëllimi ishte ai që realizova të nesërmen: çlirimin e kryeqendrës së nënprefekturës së Skraparit, Çorovodës. Të nesërmen, më 8 dhjetor 1942, te Ura e Sharovës, në mëngjes gjeta të katër partizanët me burrat e Zabërzanit, të Lapanit, të Prishtës dhe ata pak çepanakë që solla vetë. Gjithsej, numri i atyre trimave nuk i kalonte 40, e duke qenë i sigurt se skraparasit, sapo të dëgjonin pushkët e para, do të vinin për të marrë pjesë në atë luftë, vendosa të sulmoja okupatorin për të çliruar kryevendin e popullit të Skraparit. Posa u grumbulluam tek Ura e Sharovës, i pyeta ata burrat që i ishin përgjigjur thirrjes sime nëse dëshironin të luftonin për të çliruar Çorovodën dhe ata ma prenë fjalën, duke më thënë:

-Derisa çdonjëri prej nesh të ketë shpirtin në dhëmbë dhe armën në dorë, çdo vendim për aksion luftarak që të kesh marrë, cilido qoftë aksioni që ti të kesh zgjedhur për ta kryer, të mos dyshosh në vendosmërinë tonë. Atëherë, në mesin e ditës i shkrova një letër italisht komandantit të trupës okuponjëse, duke i thënë se i jepja dy orë afat për të vendosur mbi qëndresën apo largimin pa luftë dhe shtoja se, në rast tërheqjeje pa konflikt, i siguroja rrugën nga çdo rrezik deri në Berat. Në Çorovodë, në atë kohë ndodheshin dyzet karabinierë sardenjolë e sicilianë, gjoja më trima dhe dyzet e pesë milicë shqiptarë. Por, këta të fundit, para se të shtrëngoja rrethimin, i lanë lamtumirën Çorovodës, prandaj nuk munda të kapja asnjë, megjithëse kisha një dëshirë të zjarrtë që ata që do t’i kapja të gjallë t’i pushkatoja.

Toger Politi, emrin e të cilin e mësova në Itali me rastin e gjykimit tim në Romë, atëherë komandant i rrethit të Skraparit, posa mori letrën time, lajmëroi Beratin, pasi unë nuk i kisha prerë telefonat dhe Berati lajmëroi Tiranën dhe kjo e fundit i dha urdhër Beratit që të qëndronte “Tenenza” e Skraparit, pse me të shpejtë do t’i shkonin ndihma nga kryeqyteti. Në orën 14:00, karabinierët e “Tenenza-s” së Skraparit, të cilët gjatë atyre dy orëve i kishim parë duke fortifikuar kazermën e tyre te dyert dhe te dritaret, më dhanë përgjigje negative me një të shtënë mitralozi që më hodhi në tokë… U ndez lufta dhe pas tri orëve të vazhdimit të saj erdhën katër avionë që na bombarduan dhe na mitraluan, por edhe ata morën disa plumba në trup, natyrisht jo në organet jetike dhe mbas pesëmbëdhjetë minutash të aksionit të tyre ikën e na lanë në punën tonë, në atë punë që do ta kurorëzonim me sukses, mbas gjashtë orësh lufte të egër.

Mbas katër orësh e gjysmë luftë, rrethimin e shtrëngova në afërsi të komandës së rrethit e pastaj me aksione bombash e me qitje të dendur kundra dritareve, u futa nën strehën e godinës ku rezistonte trupa italiane. Toger Politi, kur e pa se asnjë ndihmë nuk mund ta shpëtonte nga dara ime që po shtrëngohej rreth tij, mbasi kisha krejt një natë në dispozicionin tim, pse me një kushëririn tim, Fejzi Zabërzanin, edhe me Riza Lapanin, thyem portat e kazermës me bomba dore dhe u bëmë sundimtarë të katit përdhes… Në atë moment togeri italian, duke u ndodhur përpara një pamundësie, vendosi të ngrite duart lart. Pushka u pre dhe togeri italian dhe karabinierët e tij, ca të aftë e ca të plagosur, u dorëzuan. Meqë ishte bërë një përpjekje në formën thjeshtësisht ushtarake, i akordova togerit italian dhe trupës së tij një sjellje ushtarake.

Toger Politi, kur hyra brenda me trupën që ishte vënë në rresht, i paraqiti nderin e armëve flamurit tonë që e kishin grisur plumbat e italianëve në atë përpjekje. Pastaj më tha se dyzet ushtarakë që kishin marrë pjesë, pesë ishin të plagosur, tre nga të cilët ishin rëndë… U dhashë urdhër të lëshonin armët te shtiza e flamurit për t’u dhënë të kuptonin se unë dhe kushdo tjetër ishim në shërbim të kauzës dhe të aspiratave legjitime të çlirimit të vendit tonë nga thundra e të huajit, duke u thënë se ato vegla ishin të rrezikshme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për njerëzimin mbarë.

Xhelal Staravecka-Enver Hoxha

Me fjalë të tjera, u thashë se cilido me ato armë në dorë, kur nuk i ka marrë të mbrojë një të drejtë qoftë personale, qoftë kombëtare, edhe pse mund të ketë formën e jashtme si njeri, bëhet shtazë e egër, i aftë t’i bëjë çdo të keqe të ngjashmit të tij. Në dorëzimin e armëve togeri italian hoqi revolverin nga brezi dhe e dorëzoi i pari te shtiza e flamurit e pastaj filloi dhe trupa.  Mirëpo, gjatë dorëzimit të armëve të inferiorëve të tij, nga shkaku i dëshpërimit apo lëndimit të thellë për sedrën dhe krenarinë e armës që bënte pjesë, nxori një bombë nga xhepi që ia kishte hequr siguresën gjatë luftimit dhe e hodhi në mes tij dhe meje me qëllim që bomba të na hidhte në erë që të dyve. Në atë çast një nga njerëzit e mi, plaku kushëri Ahmet Staravecka, me një shpejtësi të çuditshme, nxori revolverin për t’ia shkarkuar në kokë italianit.

Admirimi për atë veprim më bëri që të ndërhyrja për mosvrasjen e tij, por i dhashë edhe revolverin… Me përjashtim të armëve, u thashë karabinierëve dhe komandantit të tyre se ishin të lirë të merrnin gjithçka që kishin pasur në zotërimin e tyre. Veç pesë të plagosurve që u dhashë pesë mushka, natyrisht nga mushkat e tyre dhe dy të tjera për të ngarkuar çantat e sendet e tjera, nuk u mora as paratë e administracionit, që ishin e drejta jonë si botin ushtarak në luftë. Madje u dhashë edhe një detashment që i përcolli deri në periferi të Beratit… Dua akoma të vë në dukje përshtypjet e mia që pata atë natë, më 8 dhjetor të 1942-shit, në çlirimin e Çorovodës. Nga të pesë të plagosurit, jo vetëm që nuk dëgjova asnjë ankim, por marshall Zagu, të cilit i kishte hyrë plumbi në ballë dhe i kishte dalë prapa kokës, natyrisht pa ia prekur trurin, mundohej të tregonte se nuk e ndiente fort dhembjen e plagës.

Në fytyrën e atyre njerëzve këndohej çiltazi urrejtja e thellë që ndjenin kundra nesh, pse, sipas mentalitetit të tyre, ne kishim bërë sakrilegjin më të tmerruar, duke prekur sedrën dhe krenarinë e tyre, duke i detyruar të çonin duart përpjetë, prandaj edhe të plagosurit nuk i ndienin dhembjet e plagëve. Pikërisht nga hidhërimi i thellë, në çastin e dorëzimit të armëve te shtiza e një copë stofi të një vendi që e kishin okupuar, të cilët i kishin dalë për zot banditët (partizanët), pse kështu mendonin shokët e toger Politit, toger Politi bëri gjestin që përshkrova më lart. Kryevendin e nënprefekturës së Skraparit, për të dytën herë, mbas më se gjashtë orësh luftë të rreptë, e çlirova me skraparasit, të cilët posa dëgjuan pushkët e para, erdhën menjëherë të merrnin pjesë, sa u detyrova që një pjesë t’i lija jashtë konfliktit.

Midis tyre nuk ndodhej profesor Abaz Ermenji, që ishte më i detyruar se të tjerët, se Skrapari i kishte dhënë qumështin që e rriti, shkollën dhe zgjuarsinë, porse ndjenjat atdhetare i kishte shumë të varfra, aq sa u zhyt pa të keq në liqenin e Ballit Kombëtar, si bekçi i okupatorit…

Xhelal Staravecka11-

KTHIMI I OKUPATORIT DHE ÇLIRIMI PËRFUNDIMTAR I QYTETIT, DHJETOR 1942

Kur nisa karabinierët për në Berat, mblodha krejt ata burra të Skraparit, numri i të cilëve ishte më shumë se i dhjetëfishuar, e u thashë se okupatori nuk do ta linte punën me aq, prandaj të qëndronin me armë në dorë për t’iu përgjigjur reparteve italiane që do të vinin përsëri për të shkelur truallin që sapo liruam për herë të dytë atë vit. Në të vërtetë, më 12 dhjetor, një repart kavalerie e karabinierë erdhën përsëri në Çorovodë. Populli i Skraparit, në shpirtin e të cilit kisha ndezur flakën e luftës për liri, sipas porosisë sime, nuk i lëshuan armët nga dora. Okupatori hyri në Çorovodë, porse mbeti i rrethuar në atë gropë të tmerrshme e kur tentoi të dilte në katunde, iu desh të kthehej prapë në qendër, pasi pushka valonte në të katër anët.

Komanda e armikut në Tiranë, për të terrorizuar banorët e Skraparit, dërgoi dy avionë të bombardonin dhe të mitralonin jo vetëm njerëzit në katunde, por edhe shtazët në kullotë. Mirëpo një katundar, që piloti i kishte plagosur një viç tre a katër-muajsh, shkoi me të shpejtë në shtëpi, mori armën, një “mauzer” Turqie dhe qëndroi atje ku i kishin plagosur viçin, duke pritur avionët që të ktheheshin përsëri, ashtu si u kthyen. Me mitralim dhe me një të shtënë e dërgoi pilotin në Parajsën e Shën Pjetrit, dua të them shpirtin e tij dhe të avionit, pse karakasat e avionit dhe të pilotit nduknin dhenë të Ura e Sharovës. Aeroplani tjetër u nis nga kishte ardhur me pamjen e tymit dhe të zjarrit të aeroplanit të rrëzuar nga plumbat e pushkës së një katundari të Skraparit. Ajo trupë, e tmerruar nga rrethimi i plotë që i bëra me popullin e Skraparit, aq sa nuk mund të nxirrte hundët nga kazerma ku ndodhej në ndërtesën qeveritare të asaj qendre, meqenëse pushka kërciste nga të gjitha anët, nuk pati rrugë tjetër, veç t’i kërkonte komandës së saj në Berat me insistim të rikthehej nga kishte ardhur.

Pse ishte e pamundur jo vetëm të bënte operacion për të rivendosur pushtetin qeveritar të okupatorit dhe të mbante ndërlidhjen me komandën e saj në atë qytet, por, ashtu e izoluar si ishte, nuk kishte ushqim veç se për pak ditë. Kështu okupatori, duke parë një izolim të tillë të trupës që kishte në Çorovodë dhe i bindur se populli i Skraparit ishte i përgatitur të përleshej me të në luftë frontale, më kërkoi udhë të lirë për tërheqjen e kontingjentit që kishte në Çorovodë, të cilën ia akordova pa vonesë. Kisha derdhur gjak, djersë dhe aq mundim, por më në fund e shporrëm okupatorin për herën e tretë dhe përgjithmonë nga toka dhe malet krenare të Skraparit në 19 dhjetor 1942 dhe Lufta Nacionalçlirimtare regjistroi në fletët e saj suksesin e bijve të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura