E sëmurë mendore, i vdes në bark fëmija 6-muajsh

May 31, 2012 | 13:42
SHPËRNDAJE
Spitali i qytetit të Vlorës

Një vajzë 20-vjeçare me probleme të shëndetit mendor abortoi në muajin e gjashtë të shtatzënisë fëmijën e vdekur në bark. E reja iu nënshtrua një operacioni nga ana e mjekëve të Vlorës për të hequr fëmijën, i cili dyshohet se ishte fryt i një abuzimi seksual.
Policia dyshon se vajza me inicialet L.S., nga fshati Mesaplik i Vlorës, është përdhunuar nga një person ende i paidentifikuar, autorësia e të cilit është duke u hetuar dhe pritet që shpejt ai të vihet para drejtësisë, pas sigurimit të përgjigjes së analizave të ADN-së.
Nisur nga shqetësimet shëndetësore të 20-vjeçares, familjarët kanë shkuar në qytet rreth një muaj më parë ku kanë bërë edhe vizitat përkatëse, derisa mjekët konstatuan se pacientja ishte në muajin e pestë të shtatzënisë. Për shkak se ajo kishte lindur me probleme mendore dhe rrjedhimisht pa zotësi juridike për të vepruar e për të marrë përsipër përgjegjësitë familjare e prindërore që i takojnë, e reja nuk ishte as e fejuar dhe as e martuar. Të shokuar nga ngjarja, familjarët e saj i janë drejtuar policisë. Më 24 prill, Policia e Vlorës ka marrë informacion dhe ka nisur hetimin. “Nga familjarët e shtetases me iniciale L.S. është marrë informacion se ajo kishte ngelur shtatzënë. Është ngritur grupi hetimor dhe ka nisur procedimi penal për veprën penale “kryerje e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me persona që janë të pazotë për t’u mbrojtur” parashikuar nga neni 103 i Kodit Penal, dhe janë kryer një sërë verifikimesh nga të cilat ka rezultuar se shtetasja L.S. vuan nga shëndeti mendor. Nga oficerë të Seksionit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe po hetohet për të identifikuar dhe kapur autorin e kësaj vepre penale”, thuhej në njoftimin e Policisë së Vlorës për këtë ngjarje.
Burime spitalore bënë të ditur se 20-vjeçarja është paraqitur dy ditë më parë me shqetësime serioze të shëndetit e dhimbje të forta. Mjekët kanë kryer vizitat përkatëse dhe kanë konstatuar se fëmija kishte rreth dy ditë që kishte vdekur në barkun e nënës. Të gjendur në këto kushte, ata kanë kryer ndërhyrjen e nevojshme duke ia hequr fëmijën. Mësohet se një muaj më parë, kur u konstatua shtatzënia e saj, mjekët e policia vendosën ta mbajnë për pak ditë në psikiatrinë e Vlorës për të kryer edhe hetimet e nevojshme. Në praninë e një psikologu, policia është munduar të marrë ndonjë informacion sado të paktë nga 20-vjeçarja në lidhje me autorin e abuzimit seksual. Por ajo nuk ka qenë në gjendje të japë asnjë shpjegim për policinë, për shkak të gjendjes së rënduar dhe paaftësisë për të kuptuar situatën e saj. “Nuk di asgjë, nuk di asgjë”… këto kanë qenë të vetmet fjalë që ka mundur të perifrazojë 20-vjeçarja në praninë e psikologut, të shënuara dhe në procesverbalin e policisë. Të afërm të vajzës kanë deklaruar se nuk kishin kuptuar çfarë kishte ndodhur me vajzën e tyre. Burime të Policisë bënë të ditur se është duke u hetuar se çfarë ilaçesh mund të ketë konsumuar 20-vjeçarja gjatë periudhës së shtatzënisë, por po hetohen edhe pista të tjera që mund të kenë ndikuar në vdekjen e fëmijës në muajin e gjashtë të zhvillimit. Në kushtet e një sëmundjeje që në lindje të nënës së re, sipas mjekëve mund të jenë disa faktorë që çuan në dështimin e lindjes shëndoshë të fëmijës.

Dyshimi, përdhunim apo abuzim i vazhdueshëm?
Hetimet e deritanishme nuk konfirmojnë nëse shtatzënia e vajzës ishte produkt i një përdhunimi në kushte e rrethana ende të paqarta, apo nëse ndonjë person ende i paidentifikuar mund të ketë abuzuar seksualisht në mënyrë të vazhdueshme me 20-vjeçaren duke përfituar nga paaftësia e saj për të vepruar dhe kuptuar se çfarë po ndodhte. Sipas Policisë është duke u hetuar edhe ky fakt, ndonëse bashkëpunimi me të dëmtuarën është i pamundur.

MEDIKAMENTET
Dyshohet se medikamentet e marra nga ana e vajzës në rast të ndonjë krize të caktuar, të kenë ndikuar në “vrasjen” e fëmijës. Sipas mjekëve të maternitetit, shkak për moszhvillimin e fëmijës në mitrën e nënës mund të jenë barnat që ajo ka përdorur për shkak të problemeve shëndetësore që ajo ka pasur. Nga ana tjetër, po verifikohet dhe gjendja e mitrës dhe trajtimi i shtatzënës gjatë muajve që kishte në bark fëmijën. Për shkak të shëndetit të saj mendor nuk ka qenë në kushtet normale trajtimi i 20-vjeçares, çka solli në vdekjen në bark të fëmijës.

Përdhunuesi
Policia e Vlorës ka nisur hetimet prej një muaji për ngjarjen e ndodhur në fshatin Mesaplik. Sipas burimeve, deri më tani janë shoqëruar disa persona, banorë të zonës, të dyshuar si autorë të veprës penale. Ata janë marrë në pyetje, ndërsa konfirmimi i autorësisë pritet të kryhet shkencërisht pasi të jenë vërtetuar analizat e ADN-së së tyre. Mësohet se personat e shoqëruar nuk kanë pranuar të kenë lidhje me ngjarjen që, sipas përllogaritjes logjike, ka ndodhur rreth 6 muaj më parë.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura