E rrallë, berberi bëri 80 ditë burg sepse…i bërtiti tatimores

Dec 7, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Taulant Hasanaj, berberi i arrestuar në Tiranë gjatë aksionit antiinformalitet, qëndroi gati tre muaj në qelitë e paraburgimit. E gjitha kjo vetëm pse është nevrikosur ndaj inspektores së Tatimeve që shkoi t’i bënte kontroll në vendin e tij të punës.

hetimi-tatimor

Ky është “mëkati” i vetëm i konstatuar në veprimet e 39-vjeçarit nga ana e Gjykatës së Tiranës. Kjo e fundit e deklaroi të pafajshëm berberin e arrestuar më 12 shtator 2015 për akuzën e “kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore, apo një funksion publik”.

Hasanaj u kallëzua nga inspektorja Marjeta G., e cila bashkë me dy inspektorë të tjerë ushtruan kontroll në një lokal në pronësi të berberit. Inspektorja pretendoi se, pasi kishin lajmëruar Task-Forcën të vinte të konfiskonte pajisjet, Hasanaj e kishte kapur nga krahu me forcë për ta nxjerrë jashtë dhe asaj i kishin rënë dokumentet në tokë.

Në vendimin e zbardhur këtë të premte, gjykata arsyetonte se nga të gjitha provat e administruara në gjykim, rezultonte se i pandehuri nuk e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Gjykata thekson se e vetmja provë kundër të pandehurit është kallëzimi penal i inspektores së Tatimeve, Marjeta G. dhe deklarimet e saj, që, sipas gjykatës, bien në kundërshti dhe nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën.

NGJARJA

Paraditen e 9 shtatorit 2015, tre inspektorë të Tatimeve janë futur për kontroll të dokumentacionit tatimor dhe kasës fiskale në një berberhane në rrugën “Mine Peza”, ku ushtronte veprimtarinë Indrit Lluka. Ai u ka thënë se nuk zotëronte dokumentacion, pasi dyqani nuk ishte i tij dhe se ai vetëm po e provonte për pak ditë, para se të nënshkruante kontratë qiraje me pronarin.

Inspektorët i kanë komunikuar se, për shkak të mungesës së dokumentacionit, do të njoftonin Task-Forcën pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve për të konfiskuar gjithë mallin dhe orenditë e berberhanes. Në këtë situatë Lluka ka telefonuar vëllain e të pandehurit, S. Hasanaj. Në pak minuta ai ka mbërritur aty bashkë me të pandehurin Taulant.

Kur kanë hyrë në dyqanin në pronësi të tyre, kanë gjetur brenda tij shtetasin Indrit Lluka dhe njërën nga inspektoret, Marjeta G., e cila po priste në dyqan ardhjen e grupit të gatshëm të Dr.R.T. Tiranë, të cilët do të ekzekutonin konfiskimin e të gjitha orendive.

Në kallëzimin e saj, Marjeta G. pohoi se në këtë kohë, teksa ndodhej pa dy koleget e saj brenda në dyqan, është shtyrë duke u kapur nga krahu prej të pandehurit Taulant Hasanaj, i cili, në nerva e sipër, forcërisht e ka shtyrë për ta nxjerrë jashtë nga dyqani i tij.

VENDIMI

Në vendimin e arsyetuar, Gjykata e Tiranës shprehej se nuk provohet dhe dokumentohet në asnjë moment dhe në asnjë rrethane, që i pandehuri të ketë ushtruar dhunë fizike, që t’i ketë sjellë dëmtime të çdo lloji inspektores së Tatimeve.

“Nuk ekziston asnjë dëshmitar okular që e pohon dhe e sqaron këtë fakt, të cilin ta ketë parë dhe ta ketë dëgjuar vetë në vendngjarje. Po kështu, nuk ekziston një akt ekspertimi mjekoligjor, ndonjë procesverbal këqyrjeje, tabelë fotografike, raport mjekësor, qoftë edhe ndonjë recete mjekësore ambulatore që të lidhej me një mjekim të nevojshëm apo të detyruar të asaj dite, që do t’i ishte nevojitur kallëzueses, si rrjedhojë e dëmtimeve të pretenduara”, thuhej në vendimin e gjykatës.
vendimi i gjykates

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura