E quajti Berishën psikopat, Kosova shkarkon ambasadorin

Jul 31, 2014 | 12:32
SHPËRNDAJE

Ish-ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Xhafer Ahmeti
Një postim fyes në rrjetin social i ka kushtuar vendin e punës dhe mbase edhe shkatërrimin e përhershëm të karrierës së tij diplomatike ambasadorit të Kosovës në Mal të Zi.
Në një postim të tij në “Facebook”, ambasadori Xhafer Ahmeti e ka quajtur ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, psikopat. Deklarata e tij është cilësuar si një skandal diplomatik. Ahmeti, i cili ishte thirrur si përfaqësues diplomatik për të përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore me Malin e Zi, duke përfaqësuar Kosovën atje si dhe për të promovuar kulturën, traditën dhe historinë e Kosovës e kosovarëve, ka fyer ish-kreun e qeverisë shqiptare, tashmë deputetin e PD-së në opozitë, Sali Berisha. Dhe jo vetëm kaq, Ahmeti ka vijuar me një mori përcaktimesh fyese për vetë shqiptarët e Kosovës, për mënyrën e tyre të mendimit, duke i përcaktuar si njerëz që i mungon aftësia e gjykimit e logjikës. Në postimin e tij në “Facebook”, Ahmeti e ka quajtur psikopat Sali Berishën, si dhe ka shtruar pyetjen se si mundet që një pjesë e popullit të Kosovës ta duan atë.

Postimi i ish-ambasadorit Ahmeti

Postimi në faqen e ish-ambasadorit, të mërkurën
“Definitivisht ky njeri nuk është normal. Çuditem se si ka mundësi të duhet ky psikopat nga një pjesë e shqiptarëve të Kosovës. Por edhe nuk duhet të çuditem, se shumë rrallë populli i Kosovës mendon me logjikë, mendim kritik dhe aftësi gjykuese. Dëshmitar jemi edhe tani”. Ky ishte postimi i Ahmetit, tashmë ish-ambasador i Kosovës në Mal të Zi. “Frymëzimi” i Ahmetit për postimin e tij erdhi si pasojë e komentit të një shkrimi me titullin: “Rama i urren myslimanët, ngrihuni në protesta për Xhaminë”.   


Shkarkimi

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk ka pritur shumë për të marrë vendimin e shkarkimit nga detyra të Xhafer Ahmetit, pas statusit që ai kishte shkruar për ish-Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, i cili është konsideruar fyes. Mesazhi i Ahmetit nuk është cilësuar si në linjë me gjuhën e një diplomati. Sipas “Koha.net”, këshilltari i Hoxhajt, Bashmir Xhemaj, duke konfirmuar shkarkimin e ambasadorit ka vlerësuar se: “Komentet e tij në rrjetin social nuk korrespondojnë me rregullat diplomatike dhe sjelljet e një diplomati”. Më tej, Xhemaj ka sqaruar se komentet e Ahmetit nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve të Kosovës. “Ministri Hoxhaj personalisht dhe i tërë populli i Kosovës i janë mirënjohës ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për kontributin e tij të madh për Kosovën”, ka thënë Xhemaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura