E PLOTE/ ”Jap dorëheqjen që tani nëse…”- Zbardhen replikat, Basha, Nishani e Ristani: Një herë fitove dhe e dimë si fitove! Rama ta hodhi dy herë, ik! Kreu i PD: Morëm mbështetje të jashtëzakonshme!

May 17, 2021 | 21:00
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Mbledhja e Kryesisë dhe më pas e Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, që zgjati rreth 5 orë, dje u shoqërua me debate të shumta mes kreut të PD-së dhe kritikëve, por edhe mes anëtarëve. Kryedemokrati Basha ka sfiduar anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar që të ndajnë vetëm një qëndrim dhe se ai do të jepte dorëheqjen e menjëhershme.

Kreu i PD-së tha se anëtarët e Kryesisë dhe KK duhet të ndanin nëse zgjedhjet ishin të ndershme apo të vjedhura. Nëse demokratët do të vendosin se janë të ndershme, tha kreu i PD-së në kryesi dhe KK, ai është i gatshëm të japë dorëheqjen menjëherë. Por megjithatë, ndonëse të gjithë ishin dakord se zgjedhjet u blenë, sërish kishte kritikë për veprimet politike të kreut të opozitës.

Fatbardh Kadilli, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD-së, u shpreh se kryedemokrati ka dështuar të sjellë fitoren për PD-në, ndaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen e parevokueshme. Por nuk ka gjetur në masë mbështetjen e anëtarëve të tjerë të Kryesisë, që sipas tyre, problemi ka qenë te fenomeni i blerjes së votës. Në mbledhjen e djeshme ka pasur edhe një debat mes juristëve të PD-së. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, propozoi aktin për shpalljen e garës partiake me data. Por ky akt u kundërshtua nga Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, të cilët sipas burimeve, bashkë me Enno Bozdon dhe Tomor Alizotin, kanë abstenuar për vendimin e caktimit të datës së zgjedhjeve. Sipas Alibeajt dhe Bylykbashit, dy juristëve të hershëm në PD, akti është i pakonsultuar dhe procesi është i përshpejtuar.

Basha, në fjalën e hapjes: Regjimi Rama-Doshi janë vjedhja, krimi dhe antivlerat; ne jemi të gjithë kundër tyre, që Shqipëria të fitojë. Regjimi Rama-Doshi ka zgjedhur një sistem qe i përmbys vlerat, që mjetet e së keqes i konsideron më të vlefshme se mjetet e së mirës. Që legjitimon përdorimin e krimit dhe që nuk lë shteg tjetër veçse futjen e vendit në një spirale vicioze, ku bandave u duhet përgjigjur me banda, vjedhjes me vjedhje, antivlerave me antivlera. Por a është ky misioni ynë? A është kjo ajo që në duam për Partinë Demokratike? Ajo që ne duam për të ardhmen e këtij vendi? Përgjigja ime është “Jo”. Jo dhe prapë jo! Kjo nuk mund të jetë alternativa jonë për Shqipërinë. Prandaj, nuk do të ndalemi asnjë çast derisa të çmontojmë këtë regjim dhe vlerat që i ndajmë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve të triumfojnë. Jam i bindur në drejtësinë e betejës sonë.

Fatbardh Kadilli: Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd. Fushatën e bërë i vetëm. Nuk mbështete asnjë njeri. Janë bërë shumë gabime në fushatë. Problemet në zgjedhje nuk duhet të justifikojnë humbjen. Për një pjesë të problemeve je vetë përgjegjës. Për një pjesë tjetër, ke qene i pazoti t’i ndalosh. Lufta për votën bëhet brenda sistemit. Kjo luftë do të vazhdojë sa herë të ketë zgjedhje.

Lulzim Basha: Në PD ka vend për të gjithë, por ne s’mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve. Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin.

Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizmit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizmit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë. Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalcifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas së cilave hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore.

Fatbardh Kadilli: Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Në luftën për votën ke pasur më shumë sukses brenda sistemit se sa jashtë sistemit. Përvojat: 2015-ta më mirë se 2021-shi, dhe këto dukshëm më mirë se 2017-ta, apo dhe më keq, nga 2019-ta. Nuk je aspak i nevojshëm për luftën institucionale për votën. Kemi ekipin më të mirë dhe ekspertizë të shkëlqyer. Ata që na dhanë fitoren tënde në 2011-ën.

Luftën politike e bëjmë me një koncept te ri, me qasje të re dhe me frymëzim të ri, me besueshmërinë, me vërtetësinë dhe me vendosmërinë si tipare që ty të kanë munguar. Humbja është e jotja, përgjegjësia jotja.

Të kemi mbështetur duke sakrifikuar identitetin tonë dhe profilin politik; karrierën dhe çdo gjë. E ndërtove opozitën me kauza rastësore dhe ishe i destinuar të dilje humbës. Braktise shume kauza duke korruptuar besimin e mbështetjes. Nuk ndërtove raport të qartë dhe besimi me aleatët strategjikë; mbete peng i lobimeve private dhe nuk pate asnjëherë një qasjes solide dhe strategjike. Mos u fshih pas mbështetjes që kërkon lart e poshtë në parti. Edhe Berisha kishte mbështetje absolute në parti, por kishte realizmin të ikte. Ti nuk mund të ndërtosh më asgjë të re. Në qoftë se unë jam bartës i një projekti të ri, ti je kujtesa e projektit të shteruar dhe humbjes.

Jemin Gjana: Jam më i vjetri se ju në këtë sallë dhe i di mirë historitë e humbjes dhe të fitores. Kam qenë pjesë në ’99-ën, kur për shkak se na ndryshuan kodin në momentet e fundit, na fituan zgjedhjet në 2001-shin. Ndërkohë, ne bëmë betejë 4-vjeçare për të rregulluar kodin. Ishin ato ndryshime që na dhanë fitoren, nuk qe as fushata elektorale, as KOPI dhe as na erdhën më shumë demokratë. Ndërkohë, e njëjta gjë ndodhi edhe këto zgjedhje. Ishin ndryshimet e njëanshme. Ndërsa ne në këto zgjedhje pësuam rritje dhe kemi pasur shumë vota.

Fatbardh Kadilli: Nuk është e vërtetë që kemi pasur kaq shumë, sepse kemi pasur edhe më shumë.

Jemin Gjana: Sigurisht që kemi pasur, sepse duhet të kesh parasysh edhe 400 mijë të larguar nga Shqipëria që të them unë pa frikë që minimalisht 100 mijë ishin të djathtë.

Edmond Spaho: E kam pyetur veten se çfarë mund të bënim më mirë në këto zgjedhje. Dhe kam dalë në konkluzionin se asgjë s’mund të bënim më mirë. Janë 10 mandate të cilat PS i ka marrë me ndihmën e bandave kriminale, me Aqif Rakipin e Tom Doshin.

Fatbardh Kadilli: Pra, kemi ndërmarrë vendime të gabuara që nga djegia e mandateve.

Edmond Spaho: Vendimet që kemi marrë në çdo hap kanë qenë në unison, ndaj nuk duhet të fajësojmë vetëm një person.

Lulzim Basha: Ne mund të kishim bërë diçka. Të pranonim të bënim kompromis me bandat. Por sigurisht për këtë mbaj përgjegjësi personale. Më ka ndenjur Aqif Rakipi për dy vite që priste të takohej me mua dhe nuk pranova. Dhe sërish po të kthehesha, këtë do të bëja.

Ina Zhupa: Dorëheqja nuk duhet të kthehet në qëllim në vetvete. Ne duhet të jemi të qartë në vetvete në atë se çfarë ndodhi. Si mund të fajësoj unë për shembull Lulzim Bashën, kur ministrja e Financave, Anila Denaj, në të njëjtën zonë me mua shpërndante TVSH-në për bizneset me zarfe.

Fatbardh Kadilli: Duhet të kishim më shumë bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Ina Zhupa: Edhe këtë nuk mund ta themi, sepse konferencat që janë bërë gjatë fushatës me ndërkombëtarët nga ana e Bashës vunë në siklet edhe vetë Ramën.

Flamur Noka: Ne duhet të biem dakord që në fillim për të vendosur diçka. Nëse zgjedhjet ishin të vjedhura apo normale. Nëse të gjithë biem dakord për këtë të dytën, atëherë nuk ia vlen kjo analizë e dytë, por duhet të gjejmë mënyrat si ta luftojmë.

Albana Vokshi: Ne duhet të merremi tani të mendojmë se çdo t’u themi demokratëve, sepse ata kanë më shumë nevojë për ne tani.

Gazment Bardhi: Pikërisht, ndaj kemi menduar që do të bëjmë fillimisht një analizë me Kryesinë të zgjedhjeve dhe më pas me të gjitha degët. Ndërkohë po ju prezantojë propozimin për organizimin e zgjedhjeve për kryetar partie.

Enkelejd Alibeaj: Nuk jam dakord. Më duket shumë e përshpejtuar. Neve duhet të na ishte thënë se çfarë do të votonim këtu. Ndërkohë ky material do duhet të ishte konsultuar paraprakisht.

Oerd Bylykbashi: Koha që është përcaktuar në atë dokument për kryetarët për të bërë fushatë është shumë e shkurtër. Procesi është shumë i nxituar. Duhet të ishim konsultuar më herët për këtë. Janë vetëm 21 ditë kohë për fushatë, ndërkohë janë mbi 70 degë. Si do të munden kandidatët të bëjnë fushatë dhe t’i kryejnë të gjitha takimet në çdo degë?

Gazment Bardhi: Herën e kaluar, në 2017-ën, kanë pasur më pak kohë. Nga tri javë që janë tani, atëherë kanë pasur 2 javë. Kështu që u mjafton.

Alfred Rrushaj: Shumë dakord. Zgjedhjet të bëhen sipas këtyre afateve.

Tomor Alizoti: Unë kam ardhur në Partinë Demokratike sepse jam antikomunist, jam familje e persekutuar. Unë jam koshient që Rama i vodhi zgjedhjet me të gjitha makinacionet e tija. Por mua më dhemb koka kur e mendoj që Rama do të jetë sërish Kryeministër. Ndaj ne duhet të mbajmë përgjegjësi për rezultati. Ndërkohë, neve nuk duhet të përgojojmë zërat ndryshe në Partinë Demokratike. Ne jemi PD, nuk jemi si Partia Socialiste. Ndërkohë abstenoj parimisht për propozimin. Më duket i shpejtuar.

Enno Bozdo: Në parti kemi pasur luftë të brendshme. Në çdo vend ndodh kjo, po këtu ka qenë më e theksuar. Ndërkohë, PD ka qenë gjithmonë e vonuar me procedurat. Ndërsa Paria Socialiste kishte nisur fushatën, ne merreshim me përzgjedhje të kandidatëve. Kur PS kishte trokitur 3 herë në dyert e qytetarëve, ne kishim trokitur një herë.

Grida Duma: Përgëzoj këdo që ofron garën ne Partine Demokratike. Kushdo qe jep një mendim konstruktiv dhe kërkon gare është vlere e shtuar. Ndaj nja here thëne kjo, uroj sukses ne garimin e ardhshem.  Nga ana tjetër dëgjoj që ndokush guxon e quan procesin e tanishëm të apelimit te votës si proces teknik dhe për ketë arsye mund ta ndjekin juristet e partisë pa nevojën e Kryetarit. Zotërinj nëse mbrojtja e votës do ishte proces teknik dhe institucionet e ketij vendi do funksiononin ne sdo ishim te gjithe ketu sot te kerkonim votën e shqiptareve si te manipuluar.

Mbrojtja e votës eshte proces plotësisht politik dhe kerkon qe Kryetari i organizates politike pra i PD te jete ne detyre.   Nga ana tjeter degjova qe thoni qe duhet te mbajme dhe ne peshen e fajit jo vetem kundershtari.

Por me kete ju jeni duke thene qe ta mbajme vetem ne se kundershtari nuk po thote “kam faj” po thote “fitova”.

Atehere e verteta e fakteve eshte nje: ka dy lloje gjykimesh mbi PS, midis atyre politike dhe atyre menaxheriale.  Nga pikepamja e vendimeve politike dhe te lidershipit vendimet e marra ju bini dakord qe paskan qene te duhurat sepse jeni ju qe keni votuar per ato vendime ne kryesi dhe ne keshill! Sa i perket vendimeve menaxheriale ato le te reflektohen dhe permiresohen nepermjet zgjedhjeve partiake ashtu si po propozohet te behet me zgjedhjet per kryetarin e partise.

Se fundmi ju sugjeroj mos te veproni me kompleksin e fajit e pasi te thoni qe faji i madh eshte i atij qe manipuloi zgjedhjet ta lavderoni per Sofistikimin e vjedhjes e te tregoni kompleks faji duke adhuruar qe jane te shkelqyer ne vjedhje.

Jo zoterinj askush nuk mund te me thote qe mjetet e drehta jane te dobta dhe mjetet e padrejta jane te forta. Kjo parti do ta ndertoje forcen pikerisht me mjetet e drejta dhe te forta.

Ivi Kaso: Një, tani duhet të merremi të mendojmë se çfarë duhet t’u themi demokratëve. Janë ata të parët që po përballen me këtë parti, sepse kanë shkuar menjëherë e tu vendosin gjoba mbështetësve tanë. Ne duhet të jemi të qartë në fjalimet politike, duhet t’i njohim apo jo zgjedhjet. Ka pasur padrejtësi. Ne po merremi me to, por duhet ta themi qartë, sepse vetëm beteja politike nuk mjafton.

Lulzim Basha: Unë kam qenë i qartë në deklaratën time. Ne nuk do t’i njohim zgjedhjet, por kjo nuk do të thotë që nuk do të hymë në Parlament. Nuk e konsiderojmë legjitim Parlamentin.

Enno Bozdo: Për t’u kthyer te propozimi ku kam edhe unë emrin si anëtar. Nuk jam pyetur për këtë, ndaj duhet të mendohem.

Jemin Gjana: Të kam futur unë meqë nuk je në konflikt interesi. Ke pasur gjithmonë detyra dhe nuk ke përfituar ndonjëherë.

Enno Bozdo: Më duhet të mendohem. Mbledhja e Këshillit Kombëtar.

Bujar Nishani: PD-ja sot ndodhet në një situatë dëshpërimi, zhgënjimi, udhëkryqi, por edhe momenti historik. Së pari, dua të shpreh simpatinë, solidaritetin dhe mirënjohjen time për të gjithë kandidatët tanë për deputetë për betejën e pabarabartë që zhvilluan. Mbi të gjitha, për demokratët, aktivistët, shtabet tona elektorale, komisionerët, numëruesit, strukturat e partisë, për sakrificat e bëra në një betejë elektorale, jo vetëm anormale, por me një regjimi gangsterësh. Sot Shqipëria ka mbetur peng e të njëjtit regjim që do të vendosë fatet e këtij vendi edhe për katër vite të tjera.

Pavarësisht skandaleve, dështimit, korrupsionit dhe shkatërrimit të shtetit që shkaktuan në 8 vite, sot jemi thirrur nga kryetari i partisë për të analizuar masakrën elektorale. Po masakra elektorale që ka ndodhur është e vërtetë, por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës së hidhur. Por gjysma tjetër e së vërtetës po aq e hidhur është dështimi ynë për të fituar këtë betejë, çka përbën pjesën tonë të përgjegjësisë.

U dëshpëruam nga dështimi i aksionit politik që nisi me djegien e mandateve në Parlament, por sërish e rikuperuam. U dëshpëruam nga dështimi dhe kostoja e madhe politike që morëm nga bojkotimi i zgjedhjeve lokale të 2019-ës, por përsëri e rikuperuam. Sot dëshpërimi është në një përmasë të paimagjinueshme. Kam dëgjuar që kryetari i Partisë Demokratike u thoshte kandidatëve: “Mos e vrisni mendjen për vendimin e komisionit, jam unë këtu”. Nëse kjo është e vërtetë, kjo është paburrëri.

Lulzim Basha: Zgjidhni dhe dua t’ju shoh të gjithëve në sy. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani. Ajo që na pret përpara është një sfidë e madhe. Por ne kemi me vete mbështetjen e jashtëzakonshme nga demokratët dhe gjithë shqiptarët. Ajo që na pret përpara është një sfidë e madhe, por të mos harrojmë atë që kemi ndërtuar dhe arritur së bashku, të mos harrojmë kë dhe çfarë kishim përballë, të mos harrojmë mbështetjen e jashtëzakonshme që morëm nga demokratët dhe gjithë shqiptarët.

Arben Ristani: Mund ta duartrokasim sa të duam kryetarin apo atë që mbështet kryetarin, por dhe 4 vjet të tjera jemi në opozitë. Duhet të kemi shpresë të fitojmë pas 4 vjetëve dhe jo të vijmë prapë këtu si sot. Nga Rama nuk presim asgjë tjetër. Rama i tillë mbetet. Kryetari ka thënë se “po ma hodhe njëherë është faji yt, po ma hodhe dy është faji im”.

Tani meqë ta hodhi dy herë, ik. Ke humbur tri herë. Dhe një herë që fitove, e dimë të gjithë si fitove. Më duket i nxituar dhe i shpejtë ky proces. Më duket si i projektuar për të mbaruar punë shpejt e shpejt. Me këtë mënyrë drejtimi do të humbasim prapë. PD duhet të bëhet demokratike. Rama nuk mundet me të njëjtin model. Mundet vetëm me modelin e demokratit, duke i nxjerrë njerëzit në zgjedhje dhe duke i frymëzuar ata.

Fatbardh Kadilli: Nuk ka nevojë të tregoni mbështetjen për kryetarin. Edhe Sali Berisha kishte mbështetje absolute, por e dinte kur duhet te ikte nga drejtimi i partisë. Burri duket jo kur merr pushtetin, por kur vendos që duhet të heqë dorë nga pushteti.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura