“E kishin bërë shoshë, syri i kishte dalë vendit”, flet vjehrri i Alket Muhos: Kishte konflikte për hashashin, por…

Sep 8, 2018 | 18:56
SHPËRNDAJE

BRIKENA META/ Viktima i ekzekutuar në tokat e tij në fshatin Rabije të Memaliajt, 43-vjeçari Alket Muho, ka pasur konflikte të mëparshme për çështje droge, madje me miq të tij.

riza
Riza Ardita, vjehrri i Alket Muhos

Këtë fakt e pohoi dje vjehrri i tij, Riza Ardita, nga Mallakastra, i cili gjendej dje në fshatin e largët ku jetonte e bija me të shoqin dhe fëmijën e tyre të mitur. Por pavarësisht këtij fakti, i moshuari e përjashton mundësinë e një krimi për shkaqe të tilla.

Siç ai thekson, dhëndri dhe personi me të cilin ka pasur një debat të tillë, i cili tashmë është arrestuar për kultivim droge, i kishin zgjidhur këto mosmarrëveshje. Për vrasjen e Muhos janë shoqëruar deri më tani 5 persona në Polici. Sipas pohimeve të vjehrrit të tij, Riza Ardita, ditën e ngjarjes, viktima ka qenë duke komunikuar në telefon me bashkëshorten e tij.

Si ndodhi ngjarja?

Më mori vajza në telefon e më tha që Alketin e kishin vrarë. Ajo e kish dëgjuar nga telefoni që u kishte folur disa djemve “Çfarë bëni kështu more çuna?”, dhe më pas dëgjoi krismat.

Ka pasur konflikte të mëparshme dhëndri juaj?

Kishte konflikt me një fqinj, pasi rruga për në shtëpinë e Alketit kalonte në tokën e tyre. Konfliktet janë të hershme, vjet madje kanë shkuar edhe në gjyq, pasi dhëndri ishte zënë fizikisht me djalin e familjes fqinje. Katër vjet kishte që jetonte në fshat, merrej me dhentë, kosiste jonxhë.

A keni ju dijeni se dhëndri juaj mund t’i ketë treguar Policisë për disa parcela me hashash të mbjella në zonë?

Janë gënjeshtra. Ai (Alketi) e ka pasur shok atë që u kap me hashash. Parvjet u zu me të se ai e akuzonte se i kishte vjedhur hashashin. Por, në fakt, ia kishte vjedhur nipi i tij dhe u sqarua kjo situatë mes tyre. Ky shoku i tij është kapur me hashash.

Mos ka qenë Alketi informatori, çka u bë shkak i këtij arrestimi?

Jo, jo, atë e kapi Policia, por ky (dhëndri) nuk kishte thënë gjë.

Keni dyshime se kush mund të jenë autorët?

Vetë unë si person dyshoj për fqinjët, me të cilët ka pasur konflikte. Djali i familjes fqinje ka pasur çifte me leje, por kur ia kërkoi Policia dje, tha se i kishte humbur dhe nuk kishte bërë denoncim. Policia gjeti në një fshat këtu afër edhe djalin e tij, rreth 18 vjeç. I ka shoqëruar në Polici, plakën, djalin dhe nipin. Alketi është vrarë me 10 plumba, krahu i majtë i trupit ishte bërë shoshë. Këmba e majtë e gjitha, krahu i majtë, zemra, dhe syri i kishte dalë fare. U gjet vetëm një gëzhojë. Kuptohej se ishte goditur me çifte dhe kallash.

Po telefonin e viktimës e gjetët në vend?

Jo, telefonin e tij e kanë marrë autorët. Vajza ime ka kërkuar këtu që ta gjente telefonin, por ndërkohë ishte zhdukur bashkë me autorët.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura