“E kemi paralajmëruar Haradinajn të mos qëndronte pranë ‘Gjarprit’”- Albin Kurti kërkon zgjedhje të reja dhe “kërcënon” Thaçin

Jul 20, 2019 | 12:59
SHPËRNDAJE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se e kishte paralajmëruar Ramush Haradinaj se sa më afër “gjarprit” të rrinte, aq më i rrezikuar ishte.

kurti

“Gjarpri” është nofka e përdorur për Hashim Thaçin gjatë luftës në Kosovë, aktualisht President i vendit.

“Ish-kryeministrin e kemi paralajmëruar disa herë shumë herët. Sa më afër gjarprit, aq më i rrezikuar je. Rexhep Selimi e pat paralajmëruar ish-kryeministrin që të ketë kujdes nga puthja e gjarprit, mirëpo e mbani mend se si ai u pat shfryrë kundër Rexhep Selimit në një seancë plenare.

Po të mos kalonte demarkacioni i gabueshëm me Malin e Zi, do të binte presidenti Thaçi. Deri me 21 mars të vitit të kaluar, Haradinaj e kishte kapur gjarprin për koke. Pas 21 marsit 2018 kur u ratifikua demarkacioni ‘Meha’, Haradinaj e mbante gjarprin për bishti”, theksoi Kurti gjatë një konference shtypi.

Ai kërkoi që Presidenti Thaçi duhet të thërrasë partitë politike për të caktuar datën e re të zgjedhjeve. “Presidenti Thaçi duhet të na thërrasë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kaq. I bëj thirrje të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Kosova sot nuk ka qeveri. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re. Mirëpo, për këtë duhet të flasin qytetarët njëherë. Qytetarët duhet të zgjedhin. Qytetarët duhet të përcaktohen”, theksoi ai.

“Andaj, le të shkojmë në zgjedhje të reja pa vonesë. Presidenti ta dijë që secila tentativë e tij eventuale për të zvarritur zgjedhjet e reja vetëm se do të përshpejtojë shkarkimin e tij. Le të garojmë me programe zhvillimore, le t’ia kthejmë shpresën popullit, drejt një qeverie të re që mundëson drejtësi në vend pa korrupsion dhe punësim në vend të emigrimit”, shtoi gjithashtu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura