E ke të ndaluar të hysh në Mal të Zi? Merr një avion privat

| 17:02
SHPËRNDAJE
 

Më shumë se 50 avionë privatë u ulën në Mal të Zi javën e kaluar kryesisht nga Serbia, Rusia dhe Bjellorusia, duke shfrytëzuar një përjashtim për hyrjen në vend të shtetasve nga këto vend për shkak të frikës nga përhapja e COVID-19, sipas gjetjeve të BIRN.

49764042836_87c2d915b3_o-1-e1596228508494-1280x720-600x338 (1)

Që nga 25 maji, kur qeveria malazeze e shpalli vendin “pa koronavirus”, avionët e vegjël me maksimum 10 vende janë lejuar të ulen, pavarësisht nëse ata transportojnë apo jo njerëz nga vende shtetasve të të cilëve nuk u lejohet hyrja në Mal të Zi.

Vetëm që nga 12 qershori, atyre që vijnë me avion privat u kërkohet të kenë një test PCR negativ të kryer në 8 orët e fundit. Para kësaj, ata nuk përballeshin me kufizime të tjera.

Kritikët thonë se këto fluturime janë një rast standardesh të dyfishta që u japin privilegje atyre që i kanë mundësitë për të kryer fluturime VIP.

Me 239 raste aktive për 100,000 njerëz, Mali i Zi aktualisht ka shkallën më të lartë të infeksioneve në Ballkanin Perëndimor, një normë që është rritur dy muaj pasi kryeministri Dusko Markoviç deklaroi se virusi ishte mposhtur dhe hoqi pothuajse të gjitha kufizimet, teksa qeveria përpiqej të shpëtonte sezonin turistik.

“Fluturimet ajrore janë ‘pika të verbra’ në kontrollin e kufijve të Malit të Zi”, tha Milena Popoviç Samardziç, kreu i Unionit të Mjekëve në Mal të Zi. “Kur qeveria vendosi të aprovojë fluturimet pa kontrolle të rrepta, ata hapën derën për importimin e virusit.”

“Ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e tyre për të ruajtur ekonominë dhe turizmin e vendit, por vendime të tilla mund të rrezikojnë sistemin shëndetësor.”

Instituti shtetëror i Shëndetit Publik e kundërshtoi këtë, duke thënë se nuk kishte asnjë rrezik nga fluturime të tilla. “Nëse të dhënat tona tregojnë një rrezik të rritur epidemiologjik dhe se masat parandaluese nuk mund të frenojnë si duhet përhapjen e virusit, ne do t’i korrigjojmë ato menjëherë”, tha zëvendësdrejtori i institutit, Senad Begiç.

Një rregull për të pasurit…

Gjatë valës fillestare së pandemisë midis marsit dhe majit, kufijtë e Malit të Zi ishin të mbyllura për qytetarët e huaj. Aeroportet në Podgoricë dhe Tivar ishin gjithashtu të mbyllura për të gjithë, përveç fluturimeve të organizuara nga qeveria për riatdhesimin e qytetarëve malazezë ose për largimin nga vendi të qytetarëve të huaj. Ushtria dezinfektonte aeroportin pas çdo fluturimi.

Pas 25 majit, kur qeveria deklaroi se e kishte mposhtur koronavirusin, Mali i Zi u hap për fluturime nga vendet e Bashkimit Europian, ndër të tjera, por i mbajti të mbyllur kufijtë për një sërë vendesh të tjera si Serbia, Rusia dhe Bjellorusia. Nga ky rregull përjashtoheshin vetëm ata që fluturonin me avion privat.

Më 10 korrik, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosa, tha se fluturime të tilla nuk paraqisnin rrezik.

“Për këta pasagjerë zbatohen të gjitha rregullat shëndetësore”, tha ai. “Ne lejuam fluturimet kur Mali i Zi u shpall pa koronavirus, pasi konsideruam se avionët me deri në 10 pasagjerë mund të kontrolloheshin lehtësisht. Mbi të gjitha, nuk kemi pasur probleme me të tilla fluturime.”

Megjithatë, dy ditë më vonë Organi Koordinues Kombëtar për Sëmundjet Infektive tha se testet negative PCR dhe vërtetimi për rezervimin e një hoteli ishin të detyrueshëm për pasagjerët në avionët e vegjël që vinin nga Serbia, vend që gjithashtu është prekur shumë nga pandemia. Qytetarëve malazez dhe të huajve të tjerë jo-serbë që vijnë nga Serbia – jo me avion privat – iu kërkua të izolohen për dy javë pas mbërritjes në vend. Duke përdorur disa aplikacione që gjurmojnë fluturimet, BIRN ka identifikuar më shumë se 50 fluturime me avion privat që kanë mbërritur në aeroportin e Podgoricës dhe Tivarit midis 9 dhe 15 korrikut.

Shumica vinin nga Serbia, Rusia dhe Bjellorusia, shtetasit e të cilëve e kanë të ndaluar të hyjnë në Mal të Zi me ndonjë mjet tjetër për shkak të niveleve të larta të COVID-19. Një biletë në një avion privat prej tetë vendesh nga Beogradi në Mal të Zi kushton mesatarisht 2,500 euro, sipas reklamave në rrjetet sociale dhe në faqet e internetit të kompanive që ofrojnë transferta të tilla.

Qytetarët rusë mund të fluturojnë për 3,000 euro secili.

Popoviç Samardziç tha se qeveria duhet të jetë më e kujdesshme dhe të shmangë standarde të tilla të dyfishta.

“Një test negativ PCR-jë dhe kushte unike për të gjithë mund të jetë një model shumë më i mirë”, tha ajo për BIRN. “Hapja e klinikave turistike për COVID-19 gjithashtu do të kontribuonte në një kontroll më të mirë dhe një reagim më të shpejtë në rast të një fluksi më të madh turistësh.”

Më 26 qershor, duke pasur parasysh kërcënimin që do të përbente për ekonominë malazeze një rënie dramatike e numrit të turistëve, Mali i Zi lejoi trafikun ajror me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Pasagjerët duhej të siguronin një test PCR-je negativ dhe dëshmi të rezervimit të hotelit. Midis 9 dhe 13 korrikut nga Bjellorusia për në Tivar mbërritën dy fluturime.

“Këto janë mbërritje të organizuara në grup me kushte të rrepta për udhëtime dhe mbërritje në Mal të Zi”, tha Begiç nga Instituti i Shëndetit Publik. “Një sërë masash përpara, gjatë udhëtimit dhe pas mbërritjes në Mal të Zi po minimizojnë rrezikun e importimit të virusit.”

/Birn/

 

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.