E hëna e shënuar për zikaltërit, Lautaro Martinez premton golat dhe yllin e dytë të Interit

Apr 20, 2024 | 9:31
SHPËRNDAJE

Ditën e hënë, Lautaro Martinez ka në këm bët e tij shansin e ëndërruar nga çdo interist që ka pasur shiritin në krah përpara tij, të fitojë kampionatin në shtëpinë e Djallit.

lautaro

Asnjë kapiten tjetër nuk ka pasur kaq shumë fat, as Faketi, as Bergomi apo Zaneti. Ja që rastësia dhe zotësia ka bërë që kjo t’i ndodhë për herë të parë Lautaro Martinezit, liderit shpirtëror dhe udhëheqësit të një populli në mision. Të shënojë për të mundur Milanin janë 2 gjëra që argjentinasi i ka bërë shpesh në kohët e fundit. Të ngrejë trofeun e titullit kampion të Italisë si kapiten është diçka e jashtëzakonshme dhe Lauti po e pret me padurim këtë ditë.

Për më tepër pas festës së madhe të titullit do të vijë edhe firma në kontratën e tij për të qëndruar edhe 5 sezone të tjera me zikaltrit. Pas shumë bisedimeve mes klubit zikaltër dhe menaxherit të lojtarit duket se është arritur gjuha e përbashkët. Lojtari do të përfitojë 9 milionë euro duke përfshirë dhe bonuset. Nga kina ka ardhur miratimi për një rrogë që është disi më e lartë sesa plani që kanë në mendje pronarët. Por Lautaro e meriton.

DUHET YLLI- Por përpara firmës duhet ylli. Është çështje prioritetesh. Ky titull i dytë për Lautaro Martinezin është shumë ndryshe nga ai i pari. Në epokën e Kontes ishte thjesht “shërbëtori” i mbretit Romelu Lukaku, ndërsa në këtë grup demokratik lojtarësh përgjegjësia është e të gjithëve. Por sigurisht që Lautaro ka ditur ta bëjë mirë detyrën e tij si kapiten duke u përfshirë në diskutime edhe me senatorët e tjerë si Bastoni, Barela apo Dimarko. Havier Zaneti, që e ka “bekuar” gjithmonë e ka vlerësuar vazhdimisht për mënyrën se si po e bën rolin e kapitenit dhe shiriti ka mbetur në krahun e duhur.

“Thesi” me gola që ka shënuar numri 10 është thjesht rrjedhojë e lojës së bukur dhe e klimës pozitive që mbizotëron në skuadrën e Interit. Por meritë për këtë ka edhe Turam, që është asistuesi më i mirë për të. Kundër Kaljarit francezi shënoi dhe festoi si kapiteni, ndërsa ky i fundit e duartrokiti nga tribuna. Argjentinasi ishte i skualifikuar prej kartonëve të verdhë, ndërsa tani rikthehet me dëshirën dhe besimin e madh për të gjetur rrugën e rrjetës. Goli i mungon që nga 28 shkurti, kur luhej ndeshja me Atalantën. Të hënën do të bëhen 54 ditë pa gol.

UNIK- Nga ai gol në San Siro, Lautaro nuk ka qenë në momentin më të mirë dhe jo rastësisht Interi humbi disi nga forma pozitive që po kalonte. Humbi shënjestrën dhe gjatë kësaj periudhe erdhi eliminimi nga Champions-i me penalltinë e gabuar në mënyrë flagrante prej tij. Pastaj 2 barazime në shtëpi në Serinë A me Kaljarin dhe Napolin. Javë pas jave u zbeh edhe ëndrra e tij e madhe për të arritur 36 gola në një sezon si Higuain.

Me 23 gola të realizuar dhe 6 ndeshje në dispozicion kuota e 30 golave është diçka e mundur, por duhet të gjejë patjetër instinktin e munguar gjatë kësaj kohe. Kundër Milanit ai nuk “mungon” kurrë, në kuptimin që është i rëndësishëm për golat dhe lojën. Në 5 fitoret radhazi që zikaltrit kanë arritur ndaj kuqezinjve, Lautaro ka shënuar 3 gola. Në total janë 8 të tillë duke llogaritur 15 derbit e luajtur. Por ky këtë herë është ndryshe, është unik, vlen për yllin. As i përjetshmi Faketi nuk ka mundur dot ta luajë.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura