E ‘dogji’ pasuria e bashkëshortit/ Ankimi i Antoneta Sevdarit, Strasburgu pikëpyetje për përzgjedhjen e KPA

Dec 16, 2019 | 14:18
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i ka drejtuar një sërë pyetjesh shtetit shqiptar, në lidhje me ankimin e bërë nga ish-prokurorja Antoneta Sevdari, për vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).Antoneta Sevdarit -KLP

Ish-prokurorja e Tiranës u shkarkua nga KPA, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend, ndërsa vendimi është një ndër më të diskutuarit. Kundër këtij vendimi ka qenë edhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që më një relacion të gjatë muaj më parë, thoshte se ligji nuk ishte respektuar drejtë nga KPAa-ja dhe se kishte pasur tendenca për rëndimin e situatës së subjektit.

Në ankim, Sevdari ka pretenduar edhe për paligjshmëri në zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe gjykata pyet nëse është marrë në shqyrtim kërkesa e subjektit për papërshtatshmërinë e dy prej anëtarëve të trupës e nëse po, cili ka qenë përfundimi. “A është shqyrtuar kërkesa e subjektit, bërë më 23 maj 2019, lidhur me fillimin e procedurës disiplinore ndaj dy anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe largimin e tyre nga detyra, për shkak të papranueshmërisë nga institucionet përkatëse? Nëse po, cili ka qenë rezultati i procedurave të tilla?”, kërkon të dijë Gjykata e Strasburgut.antoneta-sevdari-compressor

ZGJEDHJA E KPA

Më tej, GJEDNJ pyet për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, nëse janë respektuar parashikimet ligjore ose jo. “A ishte trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ajo që merrej me rastin e ankuesit ‘një gjykatë e pavarur dhe e paanshme’, e themeluar me ligj në kuptimin e nenit 6 pika 1 e Konventës? Në veçanti, a u emëruan anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në përputhje me kërkesat ligjore, përfshirë kërkesat e pranueshmërisë për emërimin e anëtarëve të institucioneve të vetingut?”, është kjo një nga pyetjet e Gjykatës së Strasburgut. Kjo gjykatë pyet gjithashtu, nëse ka ndonjë mjet ligjor me të cilën ish-prokurorja të “sfidonte” përbërjen e Kolegjit. Më tej, pyetjet e drejtuara shtetit shqiptar kanë të bëjnë me rezultatet e hetimit për pasurinë dhe faktin nëse është ruajtur privatësia e jetës personale.

PRETENDIMI PËR TRUPËN

Ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari, me anë të një kërkese më 23 maj, iu drejtua Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e dy anëtarëve të këtij institucioni. Duke argumentuar se ata nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë pjesë e KPA-së, Sevdari kërkoi në atë kohë fillimin e procedimit disiplinor dhe mbarimin e mandatit për Luan Dacin e Ardian Hajdarin, të dy pjesë e trupit gjykues që firmosën për shkarkimin e saj nga detyra.

ARDIAN HAJDARI

Në lidhje me anëtarin Ardian Hajdari, Sevdari shkruan se nuk plotëson kushtin “të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës”. Sipas verifikimeve të ish-prokurores, rezulton se Ardian Hajdari e ka mesataren në studime 6,44. Në këto kushte, ai “nuk përmbush kushtin e parashikuar në germën (d) të pikës së dytë të nenit 6, të ligjit 84/206, pra, notën mesatare jo më pak se 8, nëse ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për Drejtësi me diplomë ‘Master i shkencave’ në Shqipëri, ose studimet universitare për Drejtësi jashtë shtetit, dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj”.

Pasuria e bashkëshortit shkarkoi Sevdarin

Duke iu referuar vendimit të zbardhur të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Antoneta Sevdari u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm për të ardhurat e bashkëshortit. KPA-j argumentonte në vendim se Sevdari nuk ka arritur të justifikojë të ardhurat e siguruara nga emigracioni, si dhe në një rast, pretendoi se nuk janë paguar tatime për këto të ardhura, duke e konsideruar këtë si cenim të besimit të publikut. Por vendimi është marrë me shumicë vote. anëtarja e pesëshes gjykuese, Ina Rama, I ka vlerësuar si të padrejta argumentet e shumicës dhe nuk ka qenë dakord me përfundimin se Sevdari ka cenuar besimin e publikut.

SHKAQET E ANKIMIT Kolegji ka pranuar si të bazuara në ligj vetëm 2 nga 5 shkaqet e ankimit të bërë nga Komisioneri Publik dhe më konkretisht, pretendimin se të ardhurat e deklaruara si të fituara nga emigracioni në Greqi, në vitet 1997-2000, në vlerën 3 milionë lekë, si dhe 12 mijë euro nga punë në Arabinë Saudite, nuk provohen si të ligjshme me dokumentacion. “Trupi gjykues arrin në konkluzionin se të ardhurat e deklaruara nga subjekti i rivlerësimit në vlerën prej 3.000.000 lekësh (duke përfshirë vlerën prej 12.000 eurosh), të deklaruara si burim për krijimin e pasurive tokë-arë dhe godinë banimi, me vendndodhje në Yzberisht, Tiranë, nuk u provuan nga subjekti se përmbushin kriteret ligjore për t’u konsideruar të ardhura të ligjshme.

Për rrjedhojë, në kuptim të kësaj dispozite kushtetuese, nga kontrolli lidhur me pasuritë e sipërcituara, subjekti i rivlerësimit rezulton të jetë në kushtet e pamjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme për t’i justifikuar ato”, shkruan KPA-ja. Më tej, Kolegji pranon si të bazuar pretendimin e Komisionerit Publik, se për të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti i Sevdarit, po nga puna në Arabinë Saudite, në vlerën 20 mijë dollarë, nuk provohet të jenë paguar taksat.

“Në përfundim, lidhur me këtë shkak të ankimit, trupi gjykues arrin në konkluzionin se për të ardhurat e krijuara nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit në vlerën e 20.000 USD, nga shërbimet e tij në Mbretërinë e Arabisë Saudite gjatë vitit 2006, nuk u arrit të provohet se për këto të ardhura janë përmbushur detyrimet tatimore përkatëse dhe, për rrjedhojë, ato nuk përmbushin kriteret për t’u konsideruar të ardhura të ligjshme në kuadër të këtij procesi”, argumenton KPAja. Ndërkohë, KPA-ja ka rrëzuar pretendimet e Komisionerit se bashkëshorti i ishprokurores nuk ka paguar taksat për fitimet nga biznesi privat i tij, duke e konsideruar ankimin si të pambështetur.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura