E akuzuan për favorizim, reagon arbitri: Spaho? Nuk e di a ka qenë i vetëdijshëm. Ja si është e vërteta…

Mar 16, 2018 | 22:14
SHPËRNDAJE

Në përfundim të ndeshjes Lushnja-Laçi, trajneri dhe kapiteni i verdhejeshilëve deklaruan se kryesori i takimit, Olsid Ferataj, u kishte thënë lojtarëve të Lushnjës se e kishin të kotë festën pas golit të Pepës.

olsid ferataj

Kapiteni Spaho deklaroi për “Panorama Sport” se kryesori ishte shprehur “pse festoni ju?”. Lidhur me këtë akuzë të bërë nga kapiteni i Lushnjës, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me arbitrin kryesor të këtij takimi, i cili mohon kategorikisht akuzat. Pranon “gabimin” për intervistën pa leje, por e justifikon me indinjatën mbi deklaratat nga kampi i verdhejeshilëve.

Mikel-Spaho-470x295

Zoti Ferataj, ju kontaktoj në lidhje me akuzën e bërë nga kapiteni dhe trajneri i Lushnjës…

Po, e lexova gazetën sot (dje).

Është e vërtetë që i keni thënë ato fraza?

Absolutisht jo!

Trajneri dhe kapiteni janë shprehur se ju keni përmendur frazën “pse po festoni kot?” dhe frazën “po ky Rexhinaldo pse nuk e bëri të mbaronim punë shpejt?”. I keni thënë?

Ata mund të thonë çfarë të duan. Nuk kam përmendur dhe nuk bëhet fjalë fare. Loja është e filmuar edhe në momentin kur ka shënuar gol Lushnja. Të jepen të gjitha pamjet e të shikohen, nuk e di se çfarë pretendojnë ata. Le t’i shikojnë me kë kam komunikuar, me Spahon, apo nuk e di se me kë pretendojnë ata se kam thënë diçka, dhe të verifikojnë gjithçka. Duket, është e qartë fare.

Po insistoj sepse të dy kanë deklaruar diçka dhe po e kundërshtoni. Nuk ka asnjë të vërtetë në deklaratën e tyre?

As që bëhet fjalë fare. Absolutisht jo!

Po juve personalisht, ju thanë ndonjë gjë lojtarët e Lushnjës në fund të pjesës së parë apo në fund të ndeshjes?

Jo, fare. Nuk më kanë thënë asnjë gjë. As në fund të pjesës së parë dhe as në fund. Jam i çuditur nga kjo deklaratë e tyre. Neve nuk na lejohet që të flasim në media, por jam pak i indinjuar nga shkrimi që lexova dhe deklaratat e bëra prej tyre. Unë nuk e di sesi i bëjnë deklaratat njerëzit, kur janë të vetëdijshëm a jo. Punë e tyre. Ndeshja është e filmuar dhe lehtësisht verifikohet. Po e përsëris, në momentin e shënimit të golit, të shihet nëse kam komunikuar me ndonjë nga lojtarët e Lushnjës apo me Spahon, meqenëse ka dalë ai dhe ka thënë. Është lehtësisht e verifikueshme nëse kam kontaktuar apo jo me ndonjë.

Keni bërë ndonjë ankesë në federatë për këtë gjë?

Personalisht, më vjen shumë inat për këtë gjë, por s’kam ç’të them më shumë. Jo, nuk kam bërë ankesë, por do të pyes se çfarë ndodh në të tilla raste.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura