“Dyshoj që bisedat i dëgjon dikush tjetër”/ Policin e përplasi makina teksa kontrollonte ‘BMW’-në, pasi daljes nga spitali, përballet me tjetër problem

Sep 23, 2020 | 22:51
SHPËRNDAJE

radio-ok-850x450

R. Q mori shërbimin si polic rrugor si çdo ditë, sipas një plani masash të detajuara që e vendosnin atë për të matur shpejtësinë e automjeteve përgjatë autostradës. Për të ishte një ditë e ngarkuar pune deri në orën 13.30 kur një makinë që po udhëtonte me mbi shpejtësi e përplasi në postbllokun ku polici R.Q po kryente detyrën.

Sipas një burimi të sigurt të gazetës Si, pikërisht pas këtij aksidenti automobilistik që i kushtoi për pak jetën efektivit rrugor, nisën jo vetëm problemet e tij shëndetësore, por edhe me punën që ai kryen dhe veçanërisht për zhdukjen e radios së policisë, të cilën 29-vjeçari e posedonte si pjesë të pajimeve.

ilustruese
ilustruese

Aksidenti automobilistik sipas burimeve të policisë rrugore ndodhi në datën 4 maj 2020, por humbja e pajisjes së rëndësishme, me të cilën policët komunikojnë në frekuenca të caktuara është zbuluar në fillim të shtatorit.

Gjatë ditëve në vazhdim dhe gjatë verës, jeta e policit ishte në rrezik, derisa ai ia doli mbanë dhe pas shëndetit filloi të mendojë edhe për punën, në të cilën shërben prej katër vitesh. Burimet policore të gazetës Si sqarojnë se 29-vjeçari u shpjegoi kolegëve në kallëzimin e mbajtur shënim nga seksioni i hetimit dhe parandalimit të krimit në Drejtorinë Qendrore:

“Isha në detyrë me kolegun tim B. V., në linjat interurbane. Ndalova rreth orës 13.00 një automjet tip BMW. Pasi i kërkova dokumentet drejtuesit të mjetit, në komunikim e sipër me këtë shtetas unë mora një goditje nga një automjet tjetër, i cili humbi drejtimin dhe më goditi mua dhe mjetin e ndaluar”, rrëfen polici pasi doli nga spitali.

Sipas burimeve të gazetës Si në procesverbalin e përpiluar në polici, shënohet se pas aksidentit polici i plagosur humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital në gjendje të rënduar.

29-vjeçari shton “nuk mbaj mend asgjë, m’u rrezikua jeta. Më kanë transportuar drejt Spitalit të Traumës, ku kam qenë në trajtim intensiv për më tepër se dy javë dhe më pas me regjim shtrati”.

Polici pasi ka kaluar rrezikun për jetën dhe po bëhej gati të kthehej në punë ka kuptuar se uniformës së tij i mungonte radiomarrësja. Por ai dyshon se dikush po e dëgjon policinë sa herë raportohen ngjarje, apo jepen urdhra nga eprorët. Dhe ky dikush nuk është as salla operative as brenda llojit të uniformave blu.

Së bashku me uniformën mbaja veshur edhe pajimet që kërkon uniforma, armën e shërbimit, radiomarrësen, prangat, kamerën e trupit, rripin multifunksional si dhe tabletën që shërben për verifikimin e automjeteve”, numëron polici rrugor.

Burimet e gazetës Si përmendin se me gjithë kontrollet dhe verifikimet mes shokëve, polici që shpëtoi nga përplasja falë një mrekullie nuk e gjeti askund radion me të cilën si çdo efektiv komunikohet me sallën operative. Por dyshimet e policit janë më të forta se një humbje e rastësishme dhe një pakujdesi e shkaktuar nga ankthi i kolegëve, të cilët të shqetësuar e transportuan drejt spitalit.

“Dyshoj që radio është shkëputur nga uniforma në momentin e përplasjes. Dyshoj që kjo radio mund të ketë përfunduar te ndonjë person që nuk është në strukturat e policisë dhe që nuk i lejohet për ta përdorur apo dëgjuar”.

Megjithëse kolegët e pyesin policin e mbijetuar se mos nga nxitimi radion mund ta ketë marrë ndonjëri nga policët që mbërriti në vendngjarje, 29-vjeçari R. Q është kategorik dhe nuk lë shteg për dyshime.

“Në rast se radion do ta kishin gjetur shokët e mi do ma kishin dorëzuar, dyshoj se ka rënë në duart e personave jashtë policisë”.

Pas përpilimit të këtij procesverbali, policia është vënë në kërkim të radiomarrëses, kodi i të cilës është shpërndarë tek të gjithë policët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura