Dy shefa terrori më pak në Lindjen e Mesme e hijet e tyre në nahijen tonë

Jan 23, 2020 | 10:05
SHPËRNDAJE

GENC POLLO genc-pollo-655x356-1

Lindja e Mesme me trazirat e saj të përhershme e konvulsionet periodike tërheq vëmendjen botërore si dhe ndërhyrjen e fuqive të mëdha. Por afërsia gjeografike dhe lidhjet e ndryshme me Europën e Shqipërinë lipset të na bëjnë që, përtej rreshtimit automatik me aleatët tanë, të thellohemi në pasojat direkte te ne të këtyre ngjarjeve.

NJË KALIF E NJË GJENERAL NË SHËNJESTRËN AMERIKANE

Në fillim të janarit 2020, Presidenti i SHBA, Donald Trump, urdhëroi vrasjen e shënjestruar të Qazim Sulejmanit, komandantit të njësisë Kuds, pjesë e Korpusit të Rojeve të Revolucionit Islamik iranian, e cila operonte kryesisht jashtë vendit, përgjithësisht në Lindjen e Mesme. Gjeneral-major Sulejmani u vra nga një raketë në aeroportin e Bagdadit.

Në fund të tetorit 2019, përsëri me urdhër të Presidentit Trump, trupat amerikane në Siri sulmuan pranë Idlib-it Abu Beqir al Bagdadin, kalifin e vetëshpallur të DAESHit (Shteti Islamik në Irak e Levant, i njohur me akronimin anglisht ISIS ose ISIL). Al Bagdadi vrau bijtë e tij e veten gjatë këtij operacioni.

DY TERRORISTË TË NDRYSHËM, DY LLOJE TË NDRYSHME TERRORI: NË LINDJEN E MESME

“Njësia Kuds shkon kudo ku e kërkojnë popujt e shtypur për t’u kthyer atyre dinjitetin”, shkruante pardje në “Twitter” Kamenei, udhëheqësi suprem islamik i Iranit. Meqë popujt nuk kanë gojë ose kanë shumë të tilla e nuk kuptohet se ç’thonë, atëherë kërkesat në emër të tyre i formulon udhëheqja. Nën urdhrat direkte të Kameneit, njësia Kuds, e komanduar nga Suleimani, përmes operacioneve direkte e aleancave me milicitë shiite, zgjeroi ndikimin e Teheranit në Lindjen e Mesme duke destabilizuar, Libanin, Sirinë, Jemenin, Bahreinin, Saudinë etj. Amerika, “satani i madh” dhe Izraeli, “që duhet asgjësuar”, janë objektivi jo vetëm retorik: jo pak ushtarakë e diplomatë amerikanë janë vrarë në rajon gjatë disa dekadave nga sulmet e milicive shiite të orkestruara nga Kudsi i Suleimanit. U desh një President si Donald Trump, i cili nuk do të fillojë luftëra të reja, por që me realizmin strategjik është i paparashikueshëm, që të lante hesapin e vjetër amerikan me Sulejmanin. Të gjithë kritikët e tij në SHBA e Europë, të cilët, pas vrasjes së shefit të Kuds-it, u alarmuan për luftë frontale me Iranin e për Lindjen e Mesme në zjarr e flakë rezultuan të gabuar. Njëlloj si kur parashikuan para dy vjetësh një skenar të ngjashëm, kur Presidenti Trump e transferoi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem. Udhëheqja në Teheran simuloi një hakmarrje të vogël dhe e pa të udhës që ta linte me aq.

DAESH do të kujtohet si kryengritja e vetme, e cila, që pas Luftës së Parë Botërore, arriti të shtrihej në dy shtete, Irak e Siri, në një sipërfaqe rekord dhe me një kohëzgjatje rekord. DAESH do të kujtohet edhe për mizorinë fanatike e shpesh shtazarake ndaj popullsisë nën kontroll duke filluar nga sunitët “jo dhe aq fetarë”, te shiitët rivalë të urryer, te të krishterët dhe jazidët e pafe. Një koalicion shtetesh fqinjë e europianë, i mbështetur nga milici e tribu rajonale dhe i drejtuar nga SHBA, pas pesë vjetësh arriti ta zhdukte nga harta këtë monstruozitet. Vrasja e Al Bagdadit në vjeshtë ishte një fitore simbolike, por edhe domethënëse e koalicionit.

Si në rastin e një shteti si Irani u imponohet fqinjëve me dhunë e kërcënim, ashtu edhe në rastin e një organizate ahistorike si DAESH-i, që tmerron dynjanë me kultin e vdekjes, fuqia e botës së civilizuar u tregua jo vetëm në frenimin e përmbajtjen e tyre, por edhe në eliminimin e titullarëve të terrorit me duar të përgjakura.

NË EUROPË

Në Europë, Irani ka tentuar kryesisht të bëjë zap kundërshtarët e regjimit që strehohen e organizohen aty. Ka vrarë në Holandë e Danimarkë, ka vënë bombë në Francë. Por, gjithsesi, “merret me të vetët”, siç bën fatkeqësisht edhe Rusia, Saudia e ndonjë tjetër shtet.

DAESH në Europë synoi destabilizimin deri te marrja nën kontroll dhe ngritjen e një regjimi të ngjashëm me DAESH-in. Ai ka luajtur me një tjetër kalibër: përmes propagandës ekstremiste online, apo përmes imamëve të ndikuar prej tij, ai synoi radikalizimin në masë të myslimanëve dhe nxitjen e tyre për dhunë në ambiente publike kundër kujtdo që i dilte para. Sulmet me armë zjarri, bomba, thika apo edhe makina kundër kalimtarëve të rastësishëm ndodhën në Barcelonë, Paris, Nizza, Bruksel, Berlin e gjetkë. Pasojat në sigurinë publike, por edhe vragat në psikën kolektive, europiane janë të mëdha.

E NË SHQIPËRI

Në Shqipëri, prej qeverisë së mëparshme dhe asaj aktuale, janë strehuar një grup i madh në numër i Muxhahedinëve E Kalk (MEK), një lëvizje me të kaluar plot dritëhije dhe me një ideologji që mikson islamizmin me marksizmin. Në kampin e tyre në Irak, atyre u rrezikohej jeta nga agjentët iranianë, prandaj me kërkesë e përkrahje të SHBA-ve muxhahedinët u transferuan tek ne.

MEK synon përmbysjen e regjimit të ajatollahëve në Iran, por ndërkohë ka përqafuar parimet e demokracisë. Ndonëse vendi ynë nuk ka ndonjë interes direkt në çështjet e Iranit, për luajalitet ndaj SHBA-së, por edhe për humanizëm, strehimi i tyre ishte vendimi i duhur. Ky vendim nuk është pa kosto e pa risk. Si rrallë ndonjë vend i vogël e i largët, Shqipërisë u adresuan mallkime nga goja e vetë Kameneit. Por qëndrueshmëria jonë nuk duhet të pësojë luhatje dhe ishte pozitive që pas eliminimit të Sulejmanit, shefi i opozitës e mbas tij qeveria shprehën qartë përkrahjen për SHBA e dënimin për terrorin e Kuds-it.

Influenca negative e DAESH-it apo edhe organizatave të ngjashme post-Al Kaeda është radikalizimi i dhunshëm. Vërtet ne besojmë në traditën e mirë shqiptare të frymës joektremiste e bashkëjetesës harmonike ndërfetare, por numri relativisht i lartë i “luftëtarëve të huaj”, që vitet e fundit në Shqipëri lanë shtëpitë e kaluan kufirin turkosirian për t’u futur në radhët e DAESh-it dëfton rreziqet e indoktrinimit dhe pasojat e mosveprimit të shoqërisë e të shtetit.

POST SCRIPTUM PËR DEMOKRACINË NË LINDJE TË VËSHTIRË

Pas dështimit të pranverës arabe, pritshmëria për një fitore të afërt të sistemeve demokratiko-liberale në Lindjen e Mesme është shumë e vagullt. Irani, i cili, pavarësisht nga regjimi teokratik “vilajeti-i-fakih”, ka një shoqëri relativisht të emancipuar, jep shenja shprese në këtë drejtim. Atëherë kur gjithë bota mendonte se iranianët, të cilët jo rrallë protestojnë, ishin zhytur në hidhërim nga vdekja e “heroit Sulejman” e ishin shtrënguar “grushtbashkuar” rreth regjimit, populli në rrugë tregoi se “heroi” nuk ishte veçse një sigurims i urryer dhe se doza ditore e helmit shtetëror mbi Amerikën e Izraelin ishte pa efekt, pasi studentët refuzonin të shkelnin dy flamujt e tyre. Ashtu siç erdhi ndryshimi në Shqipëri nga studentët, intelektualët e qytetarët, por jo nga mërgatat e kohës së luftës, edhe në Iran shpresën për ndryshim e bartin ata që vuajnë përditë nga regjimi e përditë i rezistojnë atij.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura