Pronari i piceri ‘Era’ denoncoi dhunën, Policia: Ai u vra vetë

Jun 27, 2016 | 7:13
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit ka reaguar ndaj dy rasteve ku ajo është akuzuar për dhunim të qytetarëve. Në reagim thuhet se ka nisur verifikimi i të gjithë punonjësve të përfshirë në ngjarjen e ndodhur në Korçë ku u dhunua Juxhin Kulla dhe Tiranë ku u dhunua biznesmeni Altin Bamllari.POLICIA-TIRAne

Reagimi i Ministrisë së Brendshme:

Në lidhje me njoftimet në media, sipas të cilave Policia ka ushtruar dhunë ndaj dy qytetarëve në Tiranë e Korçë, informojmë se:

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka filluar verifikimet për të gjithë punonjësit dhe strukturat e Policisë të përfshira në këto dy ngjarje.

Paraprakisht, nga të dhënat paraprake rezulton se:

Në njërin prej rasteve, konkretisht në Korçë, ku shtetasi i arrestuar Jurxhin Kulla pretendon për dhunë nga ana e Policisë, sqarojmë se Policia i është përgjigjur kundërshtimit me dhunë ndaj forcave të rendit.

Shtetasi Jurxhin Kulla ishte shoqëruar në ambjentet e Policisë nga Sektori për Narkotikët dhe Trafiqet dhe është arrestuar për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.

Ky person është me precedent kriminal, pasi ka qenë i dënuar disa herë më parë:

– Në datë 10.11.2005  me vendim nr 293 të Gjykatës së Korçë është dënuar me 7 muaj e gjysëm heqje lirie për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, pasi më datën 21.06.2005 ky shtetas ka plagosur me thikë shtetasin A.K.

– Në datën 02.11.2007 është arrestuar për veprën penale “Trafikimi i Narkotikëve”,  ku është dënuar me 8 vjet burg dhe është liruar me kusht në datën 19.03.2012.

– 3 muaj pas lirimit me kusht, në datën 22.06.2012 është arrestuar sërish për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, ku është dënuar me 5 vjet burg dhe ka dalë nga burgu në datën 28.04.2015.

Për sa i përket rastit në Tiranë, sqarojmë se në datën 26.06.2016, ka filluar procedimi penal për “Mosbindje të punonjësve të policisë” në ngarkim të shtetasve:

– A.B., 46 vjeç, banues në Tiranë

-A. B., 22 vjeç, banues në Tiranë,  djali i tij.

Këta dy shtetas në datën 26.06.2016, rreth orës 00.30 minuta në Bulevardin “Bajram Curri”, duke udhëtuar me mjetin me targë TR3884 U, nuk i janë bindur shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore për të çuar mjetin në pikën e bllokimit.

Masa administrative e pashlyer prej afro 1 viti, ishte në vlerën 15.000 L (të reja) për mungesë siguracioni dhe sipas Kodit Rrugor automjeti duhet të bllokohet në pikë bllokimi deri në përfundim të procedurave.

Pas kundërshtimit të urdhërit për shoqërim të dhënë nga punonjësit e policisë, këta shtetas kanë braktisur makinën përballë ambasadës ruse dhe janë larguar me vrap në drejtim të Piramidës.

Gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, shtetasi A.B. është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime të lehta.

Policia ka bërë të mundur kapjen e tyre afër Piramidës dhe i ka shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve, këta shtetas janë proceduar penalisht për “Mosbindje të urdhërit të punonjësit të policisë”, parashikuar nga neni 242 i K.Penal.

SHÇBA vijon me verifikimin e veprimeve të punonjësve të policisë, në përfundim të të cilit do të marrë masat përkatëse.

Policia e Shtetit është e angazhuar t’i shërbejë publikut, duke kërkuar kontributin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari për të respektuar ligjin dhe rregullat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura