Dy oferta nga Belgjika, Shkodra drejt largimit nga Kukësi. Ja prapaskenat me mesfushorin

Aug 21, 2018 | 19:19
SHPËRNDAJE

Donjet Shkodra pritet të jetë largimi i radhës nga Kukësi. Fantazisti kosovar u afrua te verilindorët në janar të këtij viti, ndërsa e kishte nisur sezonin te Skënderbeu. Deri në momentin që në krye të pankinës së Kukësit ishte trajneri austriak, Peter Pakult, ai ishte pikë referimi në mesfushë. Por, me ardhjen e Armando Cungut në drejtimin e Kukësit, çdo gjë ka ndryshuar.

shkodra

Duket se mesfushori ka humbur terren, pasi në disa takime, sidomos në Kupat e Europës, ai nuk ka luajtur si titullar, ndërsa duhet të pritej sfida me Laçin që të ishte në formacion. “Panorama Sport” mëson se fakti që Cungu nuk e sheh si titullar, ka bërë që lojtari të mendojë largimin, edhe pse është nën kontratë me Kukësin deri në fund të këtij sezoni. Mirëpo, një tjetër arsye është edhe fakti që mesfushori kërkon të rikthehet në futbollin belg. Gazeta mëson ekskluzivisht se në adresë të Shkodrës kanë ardhur disa oferta të rëndësishme nga klube belge të Divizionit të Dytë si KSV Roseleare dhe Royal Union Saint Gilliose. Këto të fundit po monitorojnë situatën e 28- vjeçarit, por më parë ky i fundit duhet që të zgjidhë marrëveshjen me Kukësin, e më pas të flasë konkretisht me klubet e interesuara, ku pista belge është më konkrete.

SITUATA

Futbollisti nuk është shumë i kënaqur me atë çfarë po kalon te Kukësi, pasi aktivizimet nuk kanë qenë të mjaftueshme. 28-vjeçari është futbollisti më i paguar në radhët e Kukësit, me 7 mijë euro neto në muaj, plus bonuset në rast shënimi golash, asiste dhe nëse klubi fiton titullin. Shkodra firmosi një kontratë 6 mujore me opsion rinovimi edhe për një vit me Kukësin, por duket se futbollisti po joshet nga ofertat belge, vend në të cilin është nënshtetas dhe ka luajtur për ekipet e Deinze, Aalast, Sint Niklas.

Ndërsa, në Shqipëri Shkodra u bë i njohur te Flamurtari dy sezone më parë, ku në 26 takime shënoi plot 9 gola dhe ishte pa dyshim një nga futbollistët më të mirë në kampionatin shqiptar në rolin e vet. Më pas, te Skënderbeu për një gjysmësezoni, aktivizimet e tij ishin me pikatore, gjë që bëri të kalonte në radhët e Kukësit. Shkodra ka luajtur si titullar i padiskutueshëm për gjysmën e sezonit të shkuar, ku në 20 takime ka shënuar 2 gola. Tashmë Kukësi dhe lojtari pritet të ndajnë rrugët.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura