Dy libra që u përgjigjen pyetjeve për globalizimin

May 19, 2011 | 9:43
SHPËRNDAJE

Instituti Shqiptar i Medias ofron dy tituj të rinj librash, të cilët mëtojnë t’u japin përgjigje një sërë pyetjesh që ngrihen shpesh kohët e fundit. Një ndër ta është “Çfarë mendon Kina”, i Mark Leonard. Në këtë libër ai na sjell një tablo magjepsëse për mënyrën se si intelektualët dhe elitat politike kineze e shohin botën, çka pa dyshim do të ndikojë në mbarë botën gjatë shekullit që sapo ka nisur. Leonard është drejtori ekzekutiv i European Council on Foreign Relations, e para organizatë mbarëeuropiane për studime ndërkombëtare, me seli në Berlin, Londër, Paris, Romë, Sofje dhe Varshavë. Libri i tij i parë, “Why Europe will run the 21st century”, pati mjaft sukses dhe u botua në 18 gjuhë. Shkruan rregullisht për gazeta dhe revista, si “The Economist”, “The Guardian”, “Financial Times”, “Liberation”, “Die Ëelt”, “Wall Street Journal”, etj. “Frikë nga numrat e vegjël” është një tjetër libër interesant me autor Arjun Appadurai. Si një ndër teoricienët kryesorë të globalizimit, Appadurai i kushton vëmendje dinamikës së tij komplekse, dhunës së motivuar kulturalisht, duke nisur që nga gjenocidet që ndodhën në Europën Lindore, në Ruanda apo dhe Indi, në fillim të viteve 1990-të, deri te “lufta bashkëkohore kundër terrorizmit”. Duke paraqitur një strukturë konceptuale novatore, për të kuptuar burimet e dhunës globale, ai analizon bombardimet vetëvrasëse; anti-amerikanizmat, teprimin e mllefit të shprehur me prerjen e filmuar të kokave; deri te organizata të tilla terroriste si Al-Kaeda. I fuqishëm, provokues dhe njëkohësisht i botuar në kohën e duhur, “Frikë nga numrat e vegjël” është një ftesë e matur për të menduar dhe një herë ç’është dhuna në një epokë globalizimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura