Dy grabitje brenda një nate

Dec 29, 2011 | 12:00
SHPËRNDAJE

Tre personat vodhën me dhunë një familje e një karburant.

Tre të rinj nga Durrësi u arrestuan dje nga forcat e Policisë së Kavajës, gjatë operacionit të koduar “Maskat e natës”, të akuzuar për dy grabitje me dhunë të ndodhura natën e Krishtlindjeve. Sipas Policisë, gjatë natës së Krishtlindjeve grabitësit e maskuar dhe të armatosur kanë vjedhur një pikë karburanti dhe një makinë me të cilën lëviznin pjesëtarët e një familjeje në Golem të Kavajës. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se autorët e dyshuar të grabitjeve janë Eduart Myftari, 19 vjeç, Sabedin Plaku, 23 vjeç dhe Marjan Trendi, 19 vjeç, të tre nga Durrësi. Për realizimin e vjedhjeve, ata kanë përdorur një makinë tip “Benz” me targa false Kosove, si dhe një pistoletë “TT” e një  automatik. Sipas Policisë, tre të dyshuarit, natën e Krishtlindjeve, rreth orës 20:00 kanë kërcënuar me armë, duke qëlluar edhe në ajër me automatik, rojën e një pike karburanti në Golem dhe më pas i kanë vjedhur rreth 50 mijë lekë të rinj. Brenda natës, disa orë pas grabitjes së karburantit, rreth orës 03:40, të njëjtët persona i kanë prerë rrugën një makinë që udhëtonte drejt Kavajës. Më pas duke qëlluar në ajër me automatik kanë kërcënuar drejtuesin e mjetit, Elvis Maçin, që të zbriste nga makina bashkë me familjen e tij dhe i kanë detyruar që t’u dorëzojë të gjitha paratë dhe telefonat që kishin me vete. Sipas Policisë, autorët kanë arritur të grabisin rreth 12 mijë lekë të rinj dhe 3 celularë. Më pas janë larguar në drejtim të Durrësit me makinën që kishin në përdorim me targa të Kosovës. Menjëherë pas ngjarjeve të njëpasnjëshme, Policia ka nisur hetimin me metodat speciale, derisa u arrit arrestimi i tre të dyshuarve në një lokal në Shënavlash të Durrësit. Sipas burimeve nga Policia, pas kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarit Marjan Trendi, u gjet automjeti i vjedhur tip “Benz” me targa të falsifikuara të Kosovës, që ishte përdorur gjatë grabitjeve. Ndërsa në banesën e Eduart Myftarit u gjend automatiku, që ka shërbyer për të realizuar grabitjet dhe disa kapuça që janë përdorur si maska. Në shtëpinë e të arrestuarit tjetër, Sabedin Plaku, u gjetën dy pistoleta tip “TT”, model francez. Gjithashtu u bllokua edhe një makinë tip “Rover”, që dyshohet të jetë përdorur në grabitje të tjera që të dyshuarit mund të kenë kryer.

50 mije
lekë të rinj ka qenë shuma financiare që është grabitur në karburant nga tre personat e dyshuar, të cilët më pas i kanë marrë me kërcënime edhe 12 mijë lekë të rinj një familjeje.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura