Durrës, muaji i Ramazanit largon pushuesit nga plazhi

Jun 30, 2014 | 13:24
SHPËRNDAJE

Pushues dje në plazhin e Durrësit
Sezoni turistik veror i këtij viti parashikohej të kishte një “bum” të madh pushuesish që do të frekuentonin vijën bregdetare të Durrësit që në muajin qershor, por fatkeqësisht po ndodh krejt e kundërta.
Në një kohë që ndodhemi në pikun e sezonit turistik, vija bregdetare e plazhit të Durrësit dhe më gjerë është thuajse e braktisur nga pushuesit vendës por edhe të huaj. Gjatë një vëzhgimi me sy të lirë përgjatë vijës bregdetare, shihet qartë se numri i frekuentuesve është i ulët për periudhën në të cilën ndodhemi. Ndërkohë që në të njëjtën gjendje ndodhen edhe hoteleritë që operojnë përgjatë plazhit të Durrësit. Pritshmëritë nga ana e subjekteve private për të pasur një numër më të lartë pushuesish përgjatë fundjavës kanë qenë të shumta, por e diela e fundit e qershorit nuk solli dyndje të pushuesve. Operatorët turistikë përgjatë vijës bregdetare, parashikojnë një sezon të dështuar, duke renditur disa prej shkaqeve që mbajnë larg pushuesit. Sipas tyre, edhe pse sezoni turistik ka muaj që ka filluar, kushtet e papërshtatshme atmosferike, nisja e Muajit të Ramazanit, por dhe mungesa e infrastrukturës në shërbim të pushuesve ka ulur ndjeshëm numrin e frekuentuesve në krahasim me sezonin e shkuar. Administratori i hotel “Mitrovica”, Fatjon Mazreku, shprehet se ka një rënie të ndjeshme të numrit të prenotimeve nga pushuesit që vijnë nga jashtë vendit. “Përgjatë muajit qershor thuajse të gjitha dhomat e hotelit kanë qenë të boshatisura, për shkak të kohës së keqe, duke bërë që pushuesit të mos frekuentojnë zonat turistike. Ndërsa, nëse flasim për muajin korrikgusht, sa u përket prenotimeve situata mbetet e njëjtë, pasi janë të pakët personat që kanë shfaqur interes për t’i kaluar pushimet në bregdetin e Durrësit”, sqaron Mazreku. Edhe agjencitë turistike tregojnë se ka një ulje të prenontimeve nga ana e turistëve të huaj, për të kaluar pushimet verore në vendin tonë. “Fillimisht ishin kushtet atmosferike që mbajtën larg pushuesit, ndërsa tani është edhe Muaji i Ramazanit që po ul ndjeshëm ardhjen e pushuesve nga Kosova, Maqedonia, por edhe nga trevat e tjera shqipfolëse. Siç dihet, 80% e numrit të turistëve që frekuentojnë plazhet e Durrësit janë nga vendet shqipfolëse dhe përkimi i muajit të Ramazanit me sezonin turistik po na penalizon”, thotë Ardian Dedja, operator i njërës prej agjencive turistike në Durrës.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura