Durrës, dy pista për vrasjen mafioze

Mar 31, 2011 | 11:22
SHPËRNDAJE
Viktima Arbër Bardhi

Dy pista ka ngritur policia e Durrësit për zbardhjen e ekzekutimit të 20-vjeçarit Arbër Bardhi.Njëra prej tyre, së cilës po i mëshohet, është ajo e një krimi për hakmarrje për një vrasje të kryer nga i ati i viktimës 10 vjet më parë. Ndërsa pista e dytë është ajo e një konflikti të krijuar nga vetë 20-vjeçari, i cili njihej nga policia për mbajtje municionesh luftarake dhe grabitje. Gjatë ditës së djeshme janë mbajtur në polici 20 persona, të dyshuar për vrasjen e Bardhit ose që kanë dijeni për vrasjen misterioze të tij, por asnjë nuk është ndaluar. Arbër Bardhi është vrarë me pistoletë me pesë të shtëna në një pritë të ngritur nga vrasësi. Policia ka sqaruar se autori i krimit dhe viktima e tij duhet të kenë qenë në një distancë të shkurtër, rreth 3 metra, në kohën që mbi Bardhin janë zbrazur plumbat në drejtim të kokës e të gjoksit. Në vendin e krimit është gjetur dhe një thikë, e cila mendohet se i përket viktimës, por që nuk arriti ta përdorë. Ndonëse shiu i rënë mbrëmjen e së martës ka fshirë shumë gjurmë në vendngjarje, por policia mendon se ka nisur të zbardhë ngjarjen, pa deklaruar shumë detaje. Mësohet se i riu ka qenë në një lokal të zonës duke pirë kafe, ndërsa ka marrë një telefonatë, e cila e ka udhëzuar atë që të dilte prapa qendrës tregtare, ku më pas është qëlluar. Grupi hetimor, që nga momenti i krimit dhe 24 orë pas tij, mbështetet te një vrasje për hakmarrje, nisur nga precedentët e vetë viktimës dhe familjarëve të tij. Sipas burimeve të policisë, Ramazan Bardhi, babai i 20-vjeçarit, është në burg, i dënuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në një fshat pranë Shën Vlashit në Durrës. Pas një konflikti për një sherr fëmijësh, Bardhi ka qëlluar për vdekje atë e bir, duke shënuar një krim të dyfishtë. Vetë viktima rezulton i ndaluar rreth dy vite më parë, ndërsa aktualisht dhe i vëllai i tij ndodhet në burg për akuzën e vjedhjes. Dje, Arbër Bardhi është varrosur në fshatin e Durrësit, vendi nga ku është shpërngulur pas krimit të ndodhur në vitin 2001 nga i ati i tij. Policia e Durrësit ka marrë masa shumë të forta në këtë ceremoni mortore, duke vënë postblloqe në të gjitha rrugët hyrëse e dalëse në fshatin pranë Shën Vlashit. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe i ati i 20-vjeçarit të vrarë, Ramazan Bardhi. Ai është sjellë nga burgu ku vuan dënimin i shoqëruar me disa furgonë policie dhe efektiva të uniformave blu, të cilët nuk kanë lejuar askënd të afrohet pranë tij gjatë ceremonisë mortore të të birit.

Konflikti për pronësinë, plagoset babai me 2 djemtë

SHIJAK – Tre persona, pjesëtarë të një familjeje, kanë mbetur të plagosur me pistoletë pas një konflikti të dyshuar për një vijë uji. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut të Durrësit bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 19:15, në fshatin Gjepalaj në Shijak, kur në konflikt e sipër, Arsen Shehu ka qëlluar mbi Hekuran Kurtin, 45 vjeç, si dhe mbi dy djemtë e tij, Besim Kurtin, 21 vjeç dhe 19-vjeçarin Ermal Kurti. Të plagosurit janë dërguar menjëherë për në spitalin rajonal të Durrësit, ku u konfirmua dalja jashtë rreziku e babait dhe njërit prej djemve, ndërsa në gjendje kritike për jetën është 19-vjeçari. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së qarkut të Durrësit, Ornela Cako, të 4 personat janë takuar dhe janë konfliktuar sërish mbrëmë, pasi përplasja mes tyre vijonte prej kohësh. Gjatë debatit të fundit Shehu ka nxjerrë armën, duke qëlluar ndaj tre familjarëve. Banorët e fshatit u kanë shkuar në ndihmë të plagosurve, duke i përcjellë për në spital, ndërsa është lajmëruar policia. Menjëherë është identifikuar autori si bashkëfshatari i të plagosurve, Arsen Shehu, i cili është shpallur në kërkim. Të dyja familjet ishin shpërngulur nga Dibra vite më parë, por për shkak të afërsisë së shtëpive kishte nisur dhe konflikti për një pronë që të dyja palët pretendonin se ishte e vetja.                                       l.m

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura