Duhen investime dhe jo amnisti e legalizim droge

May 15, 2020 | 10:25
SHPËRNDAJE

SHEREFEDIN SHEHU sHEREFEDIN-sHEHU

Amnistia e parave të krimit dhe tatimeve të fshehura dhe legalizimi i drogës po propagandohen nga qeveria si shpëtimi i Shqipërisë, por eksperiencat tregojnë se ato nuk e zhvillojnë vendin dhe se nuk duhet që të ndërmerren para se të plotësohen disa kushte. Për amnistinë fiskale, qeveria duhet të garantojë ndërprerjen e bashkëpunimit me krimin, ndëshkimin e krimit pa ngjyra politike dhe interesa ekonomike, administrimin e mirë dhe barazi tatimore, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e qeveritarëve dhe konsensusin e gjerë për mospërsëritjen e amnistisë pas rrotacionit politik. Ndërsa prodhimi dhe shitja e drogës mund të legalizohet nëse qeveria garanton se ajo nuk do të mbillet në mbarë vendin dhe mbasi Shqipëria të dalë nga harta e vendeve që prodhojnë dhe trafikojnë drogë.

Asnjë vend në botë nuk është zhvilluar nga amnistitë dhe droga. Prej tyre kanë përfituar vetëm disa individë dhe jo shoqëria. Vendet më të përparuara ekonomikisht në botë janë ato, të cilat vlerësojnë, respektojnë dhe stimulojnë sipërmarrësit e tyre. Prandaj, edhe Shqipëria ka nevojë për reforma që garantojnë një rritje të lartë dhe të qëndrueshme ekonomike, të punësimit dhe të të ardhurave për frymë, të cilat sot janë sa çereku i të ardhurave mesatare për frymë të BE-së.

Të gjitha vendet në zhvillim kanë përparuar vetëm në sajë të investuesve të huaj seriozë, që kanë investuar kapitalet e lira dhe riinvestuar fitimet e siguruara po në këto vende. Por, këta investues shkojnë vetëm në vende ku investimet janë të sigurta dhe të garantuara si nga pikëpamja ekonomike, edhe politike. Prandaj, para amnistisë dhe legalizimit të drogës është më mirë një reformë që garanton investime të huaja serioze sepse Shqipëria ka nivelin më të ulët të tyre për frymë në rajon. Investimet e huaja për frymë në Shqipëri janë 5700 dollarë më të ulëta sesa në Serbi, 3000 dollarë më të ulëta se në Mal të Zi dhe 1000 dollarë më të ulëta se në Maqedoni.

Investuesit seriozë nuk preferojnë amnisti fiskale dhe legalizim droge, por klimë miqësore për biznesin dhe shtet ligjor. Rreth 80 për qind e bizneseve të anketuara nga Banka Botërore konfirmojnë se preferojnë vendet me risk të ulët politik, institucional dhe rregullator, stabilitet makroekonomik dhe infrastrukturë të mirë fizike. Rreth 81 për qind e tyre e konsiderojnë garantimin e investimeve të rëndësishëm dhe konfirmojnë se sjelljet e papërshtatshme të administratës i kanë detyruar më shumë se gjysmën e tyre që të anulojnë investimet e parashikuara ose të largohen nga vendet ku kishin investuar. Ata i konsiderojnë transparencën, sjelljen e institucioneve të shtetit dhe lehtësinë për të bërë biznes si faktorët përcaktues në zgjedhjen e vendit ku ata do të investojnë. Sipas tyre, abuzimi i administratës, rregulloret e interpretueshme, procedurat komplekse dhe kostot e larta të transaksioneve kufizojnë lirinë ekonomike dhe ulin konkurrueshmërinë në treg.

Edhe para tërmetit dhe pandemisë, Shqipëria rrezikohej nga rënia e rritjes ekonomike. Prandaj është emergjente që në vend të amnistisë dhe legalizimit të drogës, të mbështetet biznesi sot dhe të ndërmerren reforma serioze që krijojnë një ambient konkurrues, garantojnë investimet private vendëse dhe të huaja, thjeshtojnë sistemin tatimor dhe përmirësojnë administrimin e tij, përmirësojnë menaxhimin e investimeve publike dhe PPP-ve, ulin borxhin publik dhe përmirësojnë shërbimet publike bazë si uji i pijshëm, kanalizimet, arsimi dhe shëndetësia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura