Driloni & Adelina kërkojnë suksesin te “Kënga Magjike”

Sep 30, 2012 | 13:34
SHPËRNDAJE

Drilon Shala është prezantuar në fazën e parë të festivalit “Kënga Magjike” me këngën ”Do kthehesh”, projekt ky i shkruar nga vetë këngëtari, por me orkestrim të Endrit Shanit. Ndër gjashtë konkurentët të cilët janë prezantuar javën e kaluar, spikati  për interpretimin e bukur që i bëri këngës, duke ndier gjallë atë që thuhej në tekst e duke e përcjellë me shumë emocione te publiku, në mënyrë shumë origjinale. Duartrokitjet gjatë performancës bënë që Driloni të emocionohet shumë, edhe pse nuk është hera e parë që del në skenë. ”Falënderoj shumë stafin e festivalit dhe publikun e spektaklit që gjatë interpretimit të këngës më dhanë shumë emocione të papërshkrueshme”, thuhet në statusin e lënë nga këngëtari Shala, i cili krahas muzikës është i angazhuar me punë edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës. Nga ana tjetër, edhe këngëtarja e re Adelina Emini ka sjellë një tjetër baladë të bukur në këtë festival. Kënga me titull ”Në përvjetor” ka bërë për vete shumë fansa, saqë rrjetet sociale janë të mbushura me këtë baladë të mrekullueshme të cilën e solli këngëtarja Emini. Edhe pse njihet gjithmonë për këngët ritmike, këtë radhë ajo solli një baladë klasike të stilit ballkanik, me të cilën shënon një tjetër risi në karrierë. Teksti i këngës është bërë nga Big Basta, kurse orkestrimi nga Darko Dimitrov. Është një nga këngët më të dëgjuara dhe të klikuara në këto dy javë të para të festivalit. Edhe Adelina përveç muzikës punon në sektorin e marketingut në RTK.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura