Drama e re në skenë/ Papagjoni: Me Pjetrin e Naun Shundit ne mundemi të “vuajmë vuajtjen” dhe të “fisnikërohemi nga fisnikëria”

Sep 10, 2021 | 19:55
SHPËRNDAJE

 

“Kapterr Behari”, është shfaqja më e re që do të vihet në skenë me autor dhe regji të Stefan Çapalikut.

nauni 3

Në dramën ku do të trajtohet mënyra e fabrikimit të jetëve paralele dhe të fshehta të krijuara në kohën e diktaturës, aktori Naun Shundi do të luajë rolën e të një të burgosuri veteran me emrin Pjetër.

Studiuesi dhe kritiku i njohur Josif Papagjoni i ka kushtuar një artikull dramës, ku vë në dukje se “Me Pjetrin e Naun Shundit ne mundemi të “vuajmë vuajtjen” dhe të “fisnikërohemi nga fisnikëria”

SHKRIMI I PLOTË

NGA JOSIF PAPAGJONI:

Por te ky shkrim do doja t’ia kushtoja krejt vëmendjen aktorit të mirënjohur, më shumë i komedisë dhe më pak i dramës, Naun Shundit. Nuk e di, por më mirë se te ky rol unë nuk e kam parë Naunin. Dhe më vjen aq mirë që eksperienca, mosha, përvoja dhe sidomos “rasti i bukur” ia solli këtë përkitje të mrekullueshme midis tij si aktor e si psikoteknikë aktoriale dhe rolit që mishëroi. Pjetri është nga rolet më të bukur që kam parë së fundmi në teatër. Shundi është shkrirë prore kapilarëve të personazhit, është bërë frymë, gjak, limfë, zë e fjalë, plastikë e lëvizje, veprim e gjest, imazh e kostum, përshtatje e reagim. Gjithçka. I tërësishëm. Një qelizë. Aq konkret e i njënjëshëm m’u duk loja e tij, sa dhe të ngjan sikur brenda petkave të tij, brenda sjelljes, bëlbëzimit, ndrojtjes, frikës, germëzimit të rrokjeve e fjalëve, finsikërisë së tij prekëse ne shohim gjithë të ndëshkuarit e mirë e të pafajshëm të diktaturave kudo ku ato gjallojnë. Sepse, në këtë rast, nga vetjakja dhe e papërsëritshme, tërësisht “personalja” e Naun Shundit, në arrijmë në një përfaqësim, asociim dhe abstragim, ku mund të rrokim, pse jo, kohët, historinë, hapësirat, ku mund të sublimojmë qenësinë, vetë zgripin ekzistencial. Me Pjetrin e Naun Shundit ne mundemi të “vuajmë vuajtjen” dhe të “fisnikërohemi nga fisnikëria”. Fjala kurrë nuk u bërtit, por gëlltitej, tretej, bëlbëzohej në ligjërimin e tij aktorial. Në fund të shfaqjes doja t’i përcillja një gjest vetjak kënaqësie aktorit, se nuk ishim larg as dy metra, përpos duartrokitjes sime të ngrohtë.

Ky nuk është një rol i bukur thjesht i Naun Shundit, por gjykoj se është një nga rolet më të bukur që kam parë këto vite, të cilin e krahasoj veçse me dy role, që kam shkruar plot pasion më herët: me Totin e Robert Ndrenikës në shfaqjen “Mendohu, Xhakomino!” të Pirandelos dhe Andrean e Reshat Arbanës te drama “Babai” e Florian Zeller. Dhe nuk besoj se gaboj. Ishte një interpretim plot ndjenjë e drithërimë, që i shkonte aq shumë, në thelloma, tunele e zhbirilime psikologjike magmës së shpirtit njerëzor i gjendur në ngërth, në frikë, por çuditërisht i mbetur deri në fund poetik. Personazhi që ai krijoi, ndofta, më sillte në mendje perkthyesin e jashtëzakonshëm dhe njeriun e fisëm, Isuf Vrioni, por pse jo dhe Pjetër Arbnorin e njerëz të tjerë shpirtbukur, të ditur e me personalitet, që dritëronin atyre honeve, qelive dhe punëve robëronjëse të burgjeve të përbindshme. Dhe ne, spektatorët, nën këtë “pabëzajë” të Naun Shundit, në këtë ton të butë që mbërrinte në ultësirat e shpirtit tonë të prekur, aty ku loti këputet sysh, sikur pamë vetveten në rrethanën gjegjëse. Pamë një shpirt jo me “flamur” në duar dhe as me gojën e mbushur përplot me slogane. Mjaft më me to! Përkundrazi, pamë njeriun e vërtetë, të cilit i besojmë dhe prandaj vuajmë tok me të. Naun Shundi e solli mrekullisht këtë shpirt fisnikërie e lirie, që bredh pa bërtitur udhëve të historisë, ashtu si ata profetët që shpërndajnë farën e mirësisë tokës së shkretë.

Dhe pas Naun Shundit, e kam vështirë të flas e të shkruaj më tej!

Ti ke gjithë duartrokitjen time entuziaste, i nderuar Naun Shundi!…

nauni 1 nauni 2 nauni 4 nauni 5 nauni 7

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura