Drafti, ndryshon zgjedhja dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm

Sep 2, 2015 | 13:21
SHPËRNDAJE

Komisioni i Reformës në Drejtësi kërkon mendimin e prokurorëve për ndryshimet ligjore që pritet të bëhen në lidhje me organin e akuzës. Ditën e djeshme, më 1 shtator, pasi janë kthyer nga pushimet e verës dhe kanë rinisur punën, prokurorët në të gjithë vendin kanë gjetur në inbox-in e adresës së e-mailit draftin përfundimtar të Komisionit për Reformën në Drejtësi, siç është hartuar deri tani.

Komisioni i posaçëm për reformën në Drejtësi
Komisioni i posaçëm për reformën në Drejtësi

Dokumenti u është dërguar prokurorëve për ta shqyrtuar dhe për të dhënë më pas mendim në lidhje me ndryshimet ligjore që mendohet të bëhen në strukturën e Prokurorisë. Prokuroria ka pasur deri tani dy përfaqë- sues në grupin e punës për reformën në Drejtësi, por në përfundim të fazës së parë të hartimit të dokumentit, drafti u është dërguar gjithë trupës së prokurorëve për t’u njohur me të e më pas për të dhënë mendime.

Dokumenti i është dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shoqatës së Prokurorëve. Përveç qëndrimit të dy përfaqësuesve të organit të akuzës në Komisionin e Reformës, secili prokuror ka të drejtën të japë mendimin e tij pro apo kundër, apo edhe të shtojë propozime në lidhje me reformën. Kërkimi i mendimit të prokurorëve bëhet nga Komisioni i Reformës, në kohën kur ishte deklaruar se pritej edhe drafti i opozitës për këtë proces për ta diskutuar më pas me institucionet që preken nga ndryshimet ligjore.

DRAFTI
Dokumenti i shpërndarë prokurorëve në formën e deritanishme (pasi mund të ndryshohet në vazhdim), vendos theksin te qartësimi dhe forcimi i kritereve kushtetuese për emërimin e prokurorit të Përgjithshëm. Reforma parashesh ndryshimin e procesit të emërimit të prokurorit të Përgjithshëm, duke i atribuuar Këshillit të Prokurorisë të drejtën për t’i propozuar Presidentit dy kandidatë të kualifikuar.

Po kështu, drafti parashikon edhe ndryshimin e kompetencave të prokurorit të Përgjithshëm, zgjatjen e mandatit të tij pa të drejtë riemërimi dhe parashikimin e garancive për statusin dhe karrierën e tij pas mbarimit të mandatit. Në dokumentin e Komisionit të Reformës parashikohet edhe ndryshimi i statusit dhe përgjegjësive të Këshillit të Prokurorisë, duke e shndërruar atë në një institucion të pavarur kushtetues, ose si një prej dhomave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (nëse zgjidhet modeli i Prokurorisë pranë pushtetit gjyqësor), duke synuar në të dyja rastet forcimin e pozitave të Këshillit dhe ushtrimin prej tij të funksioneve vendimmarrëse.

Një tjetër ndërhyrje ligjore ka të bëjë me ndryshimin e përbërjes së Këshillit të Prokurorisë, duke siguruar përfaqësimin në Këshill të anëtarëve joprokurorë nga shoqëria civile, trupa pedagogjike, avokatia etj. dhe një shumicë të prokurorëve.

Komisioni i Reformës kërkon edhe vendosjen e rregullave të qarta që disiplinojnë pushtetin hierarkik të prokurorit më të lartë, në respekt të parimit të ligjshmërisë dhe kryerjes së hetimeve të pavarura e objektive. Drafti i reformës parashikon edhe krijimin e një strukture të specializuar antikorrupsion në nivel kombëtar, në përbërje të së cilës është Policia, Prokuroria dhe Gjykata.

KRITIKAT
Në dokument adresohen kritika për sa i takon gjendjes së tanishme të Prokurorisë dhe mënyrës si funksionon ajo. Sipas dokumentit, prokurori i Përgjithshëm, si institucion, aktualisht karakterizohet nga kompetenca të forta hierarkike dhe pushtet të përqendruar mbi çështjet e prokurorëve individualë, ashtu sikurse për çështjet e karrierës, transferimeve dhe disiplinës.

“Kjo kufizon pavarësinë e brendshme të Prokurorisë. Gjithashtu, ky pushtet i lartë i përqendruar mbi prokurorët e vendos sistemin në riskun e ndë- rhyrjeve të jashtme politike”, thuhet në dokumentin e Komisionit të Reformës në Drejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura