“Doshi story”, superdeputeti që rrinte vetëm me ministra e s’dukej aspak në ankth

Mar 13, 2015 | 11:59
SHPËRNDAJE

Kjo është një foto shumë interesante. Doshi po futet në selinë e PS ku më pas do përjashtohet dhe mbase kjo ishte hera e fundit që shkel aty dhe në sfond ka kaq shumë media! Kjo po që duket si skenë Hollivudi.
Ngjarja që mbajti pezull gjithë opinionin publik këto ditë, ishte historia që deputeti Tom Doshi rrëfeu publikisht. Sipas tij, kryetari i Kuvendit Ilir Meta kishte futur njerëz që ta vrisnin, por njëri nga vrasësit me pagesë ishte penduar dhe i kishte rrëfyer gjithçka atij. Doshi rrëfen se kishte disa muaj që e dinte këtë histori dhe ishte shumë në ankth për jetën e tij dhe fajëson ministrin e Brendshëm, Tahiri, se nuk kishte bërë sa duhej për këtë ngjarje. Kjo gjë na bëri që të shkojmë pak muaj pas në kohë dhe të shohim foto ku protagonist është Tom Doshi. Pra, jemi rreth dy muaj më parë, ku presupozohet se Doshi po jetonte me ankthin e një skenari vrasjeje. Ajo që shohim nga fotot e sjella nga paparazzi ynë të enjteve kur ka Parlament, është që Doshi nuk shfaq as edhe një shenjë shqetësimi. Ai nuk është nga ata deputetë duhanpirës që kalojnë shumë orë në oborrin e Parlamentit dhe natyrisht të ketë  shumë kohë për të biseduar me kolegët. Por ama sapo del nga salla, ai nuk humbet asnjë minutë kohë. Siç e shihni edhe nga fotot, takimet e Doshit janë kryesisht me ministrat e kabinetit Rama,  prej të cilëve ai ka vëmendjen maksimale. Mbase i vetmi që frekuenton Doshin dhe bën përjashtim nga kupola e lartë e shtetit, është deputeti Mark Frroku, të cilin Doshi e merrte herë pas here edhe në makinën e tij. Gjatë kësaj kohe kur mendja e tij ishte e pushtuar nga skenarë triller, ai duket shumë i qetë teksa bisedon edhe me ministrin Tahiri. Prandaj ka dalë ajo shprehja e famshme: “Asgjë nuk është ashtu siç duket”.
[portfolio_slideshow]

Doshi nuk u kursye për jetën e tij, bleu makinë “Audi” si të Berluskonit

Në fakt, makina që kishte, një “BMW” tip i fundit, ishte një makinë shumë e shtrenjtë dhe shumë cilësore, por në kushtet që ndodhej, ku sipas tij i rrezikohej jeta, kjo bëri që Tom Doshi të marrë disa masa. Krahas eskortës dhe shumë njerëzve që ai paguan për t’i ruajtur jetën, Doshi pak muaj më parë ka blerë makinë të re. Makina është një “Audi A8”, për të cilën thonë se është e blinduar dhe nëse është me këta parametra, ajo e kalon vlerën e 200 mijë eurove. Në fakt, për një individ si Doshi kjo makinë e shtrenjtë nuk përbën ndonjë habi, sepse ai nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se është i pasur, madje deri tani ai ka rezultuar deputeti më i pasur i Parlamentit. Sipas dokumenteve të QKR, Doshi është aksioner në tri kompani të cilat merren kryesisht me ndërtime, import-eksport mallrash, shërbime hotelerie etj. Nga kërkimet tona rezulton se këtë markë makinash e përdorin shumë njerëz të pasur në botë, njëri nga të cilët është edhe Silvio Berluskoni.
Në foto Tom Doshi me makinën “BMW” që mbajti deri në shtator
Tom Doshi me makinën e re “Audi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura