Doris Lessing, një nënë e keqkuptuar

Dec 21, 2014 | 11:18
SHPËRNDAJE

Kritikët thonë se shkrimtarja Doris Lessing vendosi karrierën e saj përpara fëmijëve. E vërteta është shumë më komplekse dhe e dhimbshme…
Novela e saj “The golden notebook” është cilësuar si feministe, ndërsa vetë shkrimtarja britanike Doris Lessing (22 tetor 1919 – 17 nëntor 2013), e bërë e njohur në tërë botën për veprën e saj dhe çmimin “Nobel” në Letërsi, ka qenë në vëmendje të publikut dhe medias, e etiketuar si një nënë neglizhente, që braktisi dy fëmijët e saj të vegjël. Dhe Lessing vetë është cituar shpesh të thotë se: “Nuk ka asgjë më të mërzitshme për një grua inteligjente, sesa të shpenzojë kohë të pafundme me fëmijë të vegjël”.

Dy martesa të dështuara dhe largimi për në Londër
Ishte viti 1949 kur u ajo u zhvendos nga Rhodesia kolonialiste (tani Zimbabve) në Londër, duke marrë me vete në valixhen e saj dorëshkrimin e novelës së saj të parë, “The grass is singing” (“Bari po këndon”). Por a është në realitet Doris Lessing nëna neglizhente, përtej kësaj historie që kujtohet shpesh? A është ajo një nënë e padhimbsur, apo një grua që në fakt iu desh të paguante një çmim të lartë personal për suksesin letrar? Duke lexuar përmes shumë intervistave që ajo ka dhënë përgjatë dekadash, Lessing shfaqet shpesh si e irrituar ose therëse, kur pyetet veçanërisht për fëmijët e saj. Shpesh ajo thjesht i referohet rrëfimit të saj në autobiografinë e vet, “Under my skin” (“Nën lëkurën time”), ku shkruan shkurtimisht për “marrjen përsipër të të pafalshmes” dhe lënien e djalit të saj 10-vjeçar, John dhe të bijës 6-vjeçare, Jean, të rriten në një tjetër kontinent. Në prag të ndarjes së saj, ajo përpiqet të justifikojë vendimin e vet duke shpjeguar: “Po shkoja të ndryshoja këtë botë të shëmtuar, ata do të jetonin në një botë të bukur, në të cilën nuk do të kishte garë për të urryer, padrejtësi e kështu me radhë… Isha tërësisht e sinqertë”.

Përjetësisht nëna e Peter-it
Por a ishte në fakt pas këtij “largimi të sinqertë”, Doris Lessing një “nënë e lirë”? Ne shohim një anë tjetër të Lessing, në krah të djalit të saj të tretë, Peter, i cili jetoi me të për një pjesë të madhe të jetës së tij. Peter Lessing vdiq në moshën 66-vjeçare, vetëm pak javë më parë se nëna e tij Doris. Peter vuante nga një sëmundje e gjatë, me sa duket diabet i rëndë. E ëma u kujdes për të me përkushtim. Kur ajo la Rhodesia në 1949, dy fëmijët e saj më të mëdhenj mbetën me të atin e tyre, bashkëshortin e parë të Lessing, nëpunësin civil Frank Wisdom. Fëmijët kishin jetuar me të atin, që kur e ëma u largua nga shtëpia më 1943. Vetëm Peter, atëherë dy vjeç, djali i ardhur nga martesa e dytë e Lessing, po ashtu e dështuar, me komunistin gjerman Gottfried Lessing, shkoi me të. Doris nuk e braktisi atë për të ndjekur ëndrrën e vet për t’u bërë shkrimtare dhe ai qëndroi afër saj për më shumë se gjashtë dekada. “Asnjë nuk mund të shkruajë me fëmijë rrotull”, u prononcua njëherë ajo. “Nuk është mirë”. Megjithatë, në dekadën e parë në Londër, duke u kujdesur për Peterin si nënë beqare, ajo ia doli të shkruajë pesë romane, dy përmbledhje me histori të shkurtra, një “memoir” dhe pjesë të ndryshme. Pjesë e sekretit të suksesit të saj ishte të dërgonte Peterin gjatë pushimeve të qëndronte me një familje austriake, që njohu në Kent. Por vëllimi i dytë i autobiografisë së saj, “Walking in the shade” (“Të ecësh në hije”), e tregon atë si fëmija në qendër të jetës së saj. Dhe ky kordon ombelikal do të mbetej deri në fund të jetës së të dyve. Kështu, mbrapa Lessing si nënë “braktisëse” apo neglizhente shtrihet një realitet më i komplikuar, të cilin ajo e eksploron në romanet e saj. Karakteri qendror i “The golden notebook”, Anna Wulf, për shembull, është në të njëjtën kohë shkrimtare dhe nënë beqare, ndërsa në veprën e saj të 2001, “The sweetest dream” ajo vizaton përvojën e saj në vitet ’60, për të luajtur “nënën shtëpiake”, duke hapur shtëpinë që ajo dhe Peter ndanë me fëmijë të tjerë në nevojë. Miqtë konfirmojnë se Lessing ishte gjithashtu gjithmonë në kontakt me dy fëmijët e saj më të mëdhenj, edhe pse ajo ishte ndaluar nga autoritetet Rhodesian-e për të vizituar atdheun e saj të mëparshëm nga 1957 deri pak pasi regjimi i minoritetit të bardhë përfundoi më 1980.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura