“Frroku”, Didi jep dorëheqjen: Shkeljet nga Interpol Tirana cenuan imazhin e Policisë

Apr 1, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, dha dje dorëheqjen nga detyra që mbante prej një viti e gjysmë. Mëngjesin e djeshëm, me anë të një shkrese zyrtare, Didi i ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Artan Didi dhe letra e dorëheqjes

Më pas, në orën 09:45, vendimin e tij përfundimtar për të hequr dorë nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Didi ua ka komunikuar edhe vartësve të tij, drejtues të lartë në Polici, gjatë një mbledhjeje në Drejtorinë e Përgjithshme.

Mësohet se arsyeja e dorëheqjes së tij ka qenë përgjegjësia morale për rastin e deputetit Mark Frroku, për akuzën që i bën atij shteti belg në lidhje me një vrasje dhe mosveprimin e Interpol Tiranës. Dorëheqja e tij lidhet me akuzën ndaj shefi të Interpol Tiranës, Artan Bajraktarit dhe specialistes Loreta Alla, të cilët u arrestuan për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se kanë fshehur urdhër-arrestin ndërkombëtar dhe informacionet e dërguara nga Brukseli për Mark Frrokut.

Ata u arrestuan mbrëmjen e së hënës në lidhje me një dokument të Interpol Brukselit, të mbërritur më 8 janar të këtij viti, që konfirmonte shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Frroku, për akuzën e drejtësisë belge, atë të vrasjes. Gjithashtu edhe për një dokument të datës 23 janar, po të këtij viti, ku Interpol Brukseli kishte sjellë një material shtesë dhe përsëriste kërkesën për ndalimin e Mark Frrokut.

Dyshohet se këto dy shkresa janë fshehur nga Bajraktari dhe Alla, të cilën nuk kanë vënë në dijeni në kohë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Në letrën e tij drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Didi shprehet se e jep dorëheqjen për shkak të pamundësisë së tij për të parandaluar fshehjen e dokumenteve të Interpol Brukselit nga ana e shefit dhe specialistes së Interpol Tiranës.

Sipas tij, shkelja e procedurave ligjore të zyrtarëve të Zyrës Kombëtare të Interpolit, që i vunë ata përpara përgjegjësisë penale, cenoi imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin.

Ja kërkesa e dorëheqjes që Didi i ka drejtuar Ramës dhe Tahirit: 
 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura