Doganat me drejtoreshë të re, komandohet zv.ministrja Beqiraj. Cani: Nuk po shikojmë për rritje taksash

Mar 8, 2015 | 9:20
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj, është komanduar në pozicionin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, vend që mbeti bosh pas dorëheqjes së Elisa Spiropalit.

Cani e Beqiraj dje në konferencë për shtyp

Beqiraj do të mbajë të dy postet deri në momentin që do të gjendet një emër që do të vendoset në krye të administratës doganore. Prezantimin e zëvendësministres në funksionin e ri shtesë e bëri dje ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili do të vlerësonte edhe punën e Spiropalit në një vit e gjysmë në krye të Doganave.

“Respektoj dhe falënderoj Elisën për marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin shumë të mirë institucional. Për të bërë shumë shkurt edhe një vlerësim të arritjeve që ka arritur ky institucion në këtë 1.5 vite, do më duhet të përmend disa nga arritjet e këtij institucioni. Besoj se zv.ministrja që kam në krah, që do të komandohet në këtë detyrë deri në caktimin e dikujt tjetër përfundimisht, do të marrë të dhënat përfundimtare dhe do të bëjë të plotë analizën, kështu që do të merrni detaje më vonë”, tha Cani.

BEQIRAJ

Zv.ministrja, Irena Beqiraj, e cila do të drejtojë edhe administratën doganore, dha dje disa detaje mbi projektet, marrëveshjet dhe arritjet e Doganave. Lidhur me kontratën që vendi ka me “Crown Agents”, Beqiraj do të sqaronte se kjo është një kontratë konsulence që, përveç pjesës së të ardhurave ka katër baza ku përfshihet lufta kundër korrupsionit, miradministrimi, elementë që kanë të bëjnë me përmirë- simin e performancës dhe burimet njerëzore.

“Kemi disa elementë kyç të performancës që bazohen në realizimin më të mirë, më të shpejtë dhe më zbatues të këtyre katër faktorëve, ku ka një fokus të caktuar te procedurat, antikontrabanda dhe antikorrupsioni, por dhe tek analiza e riskut. Shpresojmë se duke ngritur një administratë më të mirë doganore, rezultat do të jetë rritja e të ardhurave. Të kuptojmë se rritja e të ardhurave nuk varet vetëm nga konsulenti. Kontrata është një kontratë konsulence, punën duhet ta bëjë dogana”, sqaroi Beqiraj.

Lidhur me realizimin e të ardhurave, Financat dhanë dje detaje se për shkurtin, të dhënat paraprake tregojnë një realizim 102 për qind të planit, por kjo ende mbetet për t’u parë.

EKONOMIA

Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar duket se janë në unison kur vjen puna te rishikimi i parashikimit të rritjes ekonomike për 2015 në kahun ulës. Por, sipas Financave, ky rishikimin nuk do të kërkojë marrjen e masave shtesë për të qenë në një linjë me pritshmëritë e programit që vendi ka me FMN. Pra, nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim në taksa.

“Janë të paktën reforma strukturore në tetë fusha. Në ekonominë shqiptare ndikon edhe ekonomia europiane sidomos, sepse pritshmëritë kanë qenë më të mira për këtë ekonomi. Efekti i të gjithë reformave i ul në mënyrë të ndjeshme risqet, ose minimumi për Shqipërinë, i vë ato nën kontroll. Por kjo do të jetë një pjesë e debatit, ku ne do të dalim me konkluzione. Sipas gjykimit tonë, për momentin gjykojmë se nuk lind nevoja e asnjë mase shtesë”, sqaroi Cani.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura