Dorëheqja e Kotzias, kush e merr në dorë Paktin për Detin me Shqipërinë

Oct 18, 2018 | 8:26
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, dha dje dorëheqjen ndërsa Kryeministri Alexis Tsipras do të ushtrojë dhe detyrën e ministrit të Jashtëm.

kotzias

Çështja e nxehtë e emrit të Maqedonisë dhe negociatat me Shqipërinë për kufirin detar, tokësor dhe ligjin e Luftës kanë detyruar Kryeministrin Tsipras që të marrë dhe detyrën e ministrit të Jashtëm deri në përmbylljen e këtyre marrëveshjeve.

Tsipras është marrë direkt me këto dy negociata, duke drejtuar dhe grupet e ekspertëve për hartimin e tyre. Me një deklaratë televizive për mediat, Kryeministri grek Alexis Tsipras ka pohuar se, me dhimbje në zemër ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, duke dhënë midis të tjerash mesazhin se do të sigurojë përfundimin e suksesshëm të marrëveshjes së Prespës.

rama cipras

“Vendosa që të marr Ministrinë e Jashtme në këtë moment, por edhe përgjegjësinë, duke dhënë njëkohësisht një mesazh se kjo zgjedhje është një opsion, që sinjalizon vendosmërinë time për të bërë çdo gjë që kam në duar për të siguruar përfundimin me sukses të marrëveshjes historike të Prespës, që përmirëson rolin ndërkombëtar të vendit”, tha Alexis Tsipras.

Kryeministri grek ka çuar mesazh të ri tek udhëheqja e Shkupit, duke e inkurajuar atë të përfundojë me vendosmëri marrëveshjen, sepse nuk do të ketë një mundësi të dytë për këtë problem. “Greqia – ka shtuar ai, – nuk do të pranojë kurrë integrimin e vendit fqinj në BE dhe NATO me emrin e sotëm kushtetues, Republika e Maqedonisë”.

DORËHEQJA

Dorëheqja e ministrit Kotzias ka ardhur si rezultat i një konflikti të brendshëm, që nuk është i ri, por është kulmuar pas vizitës së fundit në SHBA të ministrit të Mbrojtjes, Panos Kammenos, njëkohësisht kreu i partisë aleate në qeveri “Grekët e Pavarur”.

Kammeno që ka propozuar një marrëveshje ushtarake midis Greqisë dhe vendeve fqinje si mburojë ndaj Rusisë, në rast dështimi të miratimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin e fqinjit verior të Greqisë, ka hedhur kritika ndaj ministrit të Jashtëm, Nikos Koztias. Kjo ka sjellë në mbledhjen e qeverisë një debat të ashpër midis dy ministrave dhe Alexis Tsipras ka ndarë përgjegjësitë në mënyrë të barabartë mes dy partnerëve. Mediat greke raportojnë se debati mes Kotzias dhe Kammenos ka qenë shumë i ashpër, gjatë të cilit Kotzias ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes për kompetencat e tij, por dhe për fondet e mbrojtjes.

Në këtë debat, Kryeministri Tsipras raportohet se ka mbrojtur pozicionin e aleatit të tij në qeveri, Kammeno për të ruajtur stabilitetin e koalicionit të tij qeverisës. Në mbledhjen e qeverisë të martën, Kammenos akuzoi Kotzias për keqmenaxhimin e fondeve sekrete të ministrisë së Jashtme, duke e cilësuar atë si njeri të Sorosit.

Akuzë e fortë i erdhi edhe për shkak të marrëveshjes me Maqedoninë. Bashkëpunëtorët e Kotzias thanë se ai ishte “thellësisht i ofenduar” nga akuzat dhe nga fakti që nuk mori mbështetjen e Kryeministrit Alexis Tsipras. Dje në mesditë, Kotzias i ka dorëzuar Kryeministrit dorëheqjen e tij, të cilën Tsipras nuk e ka vënë në diskutim.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura