Dopieta e afron me “Këpucën e Artë”, Kejn kap 400 gola në karrierë: Kalojmë limitet kundër Realit

Apr 29, 2024 | 12:46
SHPËRNDAJE

Bajern Mynih e mbylli me sukses javën e 31-të të Bundesligës karshi Frankfurtit. Dopieta e Herri Kejn, vulosi rekord në numrat e “pykës” së bavarezëve. Herri shënoi për çdo pjesë nga një gol, e cila vlejti vetëm për statistikë në llogaritë e kampionatit, pasi Leverkusen e ka vendosur “kurorën” e kampionatit. Përtej panoramës mbi lojën e gjigandëve nga Mynihu, fokusi u kthye te rekordi i Herri Kejn. Ishullori me ndihmën e këtyre dy rrjetave ka grumbulluar 400 gola në karrierë, përgjatë 626 prezencave.

kane

REKORDI I HERRIT – Kejn është inkuadruar me disa ekipe në evoluimin e tij, duke nisur me Leiton Orjenton, Miluall, Lestër, Noruiç, Totenhem dhe së fundmi me Bajernin. Përfshi edhe konkretizimet me “tre luanët”, ai rrumbullakosi kuotën e 400 golave. Vlen të përmendet se vetëm me fanellën e Noruiç nuk ka dërguar dot sferën në katërkëndësh. Për ta bërë më të “freskët” nuhatjen e frikshme të sulmuesit 30-vjeçar mjafton t’i referohemi faktit se futbollisti në fjalë vendosi rekordin e ri personal të golave brenda një sezoni, 42 konkretizime. Cikli 2017-2018 përkonte paraprakisht me etapën më të frytshme të Herrit (41), por që aventura te Bajerni ka lënë gojëhapur edhe vetë mbështetësit e klubit më të titullar në Gjermani.

“BETEJA” ME LEVËN – Kanë mbetur edhe 3 javë nga përfundimi i ligës, ndërsa Bajerni duelon me Shtutgartin, Volfsburgun dhe Hofenhaim. Për të barazuar rekordin e Robert Levandovskit, rreth numrit më të lartë të golave në një cikël, i mjaftojnë edhe 5 finalizime, ndërsa me nga 2 rrjeta për ndeshje, Kejn thyen “mitin” e bomberit polak në ligë (42).

KEJN – “Paraqitje e mirë në tërësi, veçanërisht pjesën e parë. Mbase rezultati nuk ishte i drejtë për atë çka dhuruam në fraksionin e parë të lojës, sepse rastet ishin në masë, ndonëse mungojë saktësia. Ndeshja në 45′ e dyta u bë më e vështirë, pasi kundërshtari u mbrojt në mënyrë hermetike. Fitore e rëndësishme për të mbajtur moralin lartë, aq me tepër kur do zbresim në fushë kundër një prej skuadrave më të forta në botë, Real Madridit. Të gjithë fatet e sezonit janë të lidhura pikërisht me Champions-in. E pranoj se do jetë shumë e ndërlikuar karshi Bellingamit me shokë. Kalimi i limiteve do na mundësojë arritjen e objektivit. Kështu që jemi gati të tregojmë veten. Çerekfinalja me Arsenalin demonstroi qartë forcën e grupit, në këtë trajtë duhet të sillem edhe nesër në fushë. Mezi po e pres ballafaqimin me Realin dhe atmosferën e zjarrtë në shkallët e stadiumit, përpara tifozërisë sonë”, përfundoi Herri Kejn.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura