Doni Lu

Dec 19, 2015 | 12:16
SHPËRNDAJE

arian-galdiniE vjen një moment si ky kur në shoqërinë shqiptare të kap dëshira të gërthasësh me sytë nga udhëheqësit politikë dhe partitë politike, pa e kuptuar nëse je duke fol në dialekt a në anglisht, ndërsa u thua: A doni me Lu, a s’doni me Lu?

Që gjërat duhen me lujt vendit këtu, besoj se vetëm një grusht njerëzish nuk njëmendësohen. Shumica dërrmuese e kanë pikë në zemër dëshirën, thirrjen e brendshme, që jo me e lujt, por me e shkund vendit këtë realitet të mënxyrtë dhe shpresëvrasës. Për ne shqiptarët dilema është tronditëse, ose do lujmë ne nga vendi ynë për të kërkuar shpresën personale e familjare, ose do lujmë vendit drejt shpresës së përbashkët.

Mjaftojnë të enjtet Kuvendore për të nxituar drejt arratisjes pakushte nga Shqipëria.

Mjaftojnë orët e stërzgjatura me fjalime Kryeministrore për pastrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, që të mos pyesim më për çmimin e biletave, por të sikterisemi nga ky vend një orë e më parë.

Mjaftojnë protestat me turma dhe prijës të Opozitës për të mbathur opingat e të marrësh çdo mjet a udhë të mundshme për t’i kthyer shpinën këtij vendi me ngut e pa asnjë pishman.

Këtu ku jemi, kështu si jemi, ka të ngjarë që më parë lujmë në pakthyeshmërisht nga ky vend, sesa të ketë shanse ky vend të luj kah shpresëndërtimi.

Ndaj edhe çdo ndihmesë a thirrje që na vjen nga miq të vendit tonë, që ne a gjërat të lujnë, ka të ngërthyer brenda saj të gjithë sfidën qytetare që të lujmë ne për shpresën, që të lujë vendi ynë drejt shpresës.

Kur Ambasadori Amerikan, Donald Lu, kthehet në simbolikën e thirrjes, ‘a doni me lu?’, ne nuk duhet të shohim Amerikanin që bën punët tona, por mikun që thërret ndërgjegjet tona. E për miq të tillë, duhet mirënjohje.

Kjo mirënjohje më shtyn të mos mbetem tek analiza e detyrave dhe arsyet e Ambasadorit Lu, por të shoh pjesën që ka të bëjë rreptësisht me detyrat dhe arsyet tona si qytetarë të këtij vendi. Jemi ne ata që duhet ta lujmë këtë vend. Jemi ne ata që nuk duhet të shohim daljen nga ky vend apo rrugëdaljet e mbijetesës në këtë vend.

Ne mundemi, e duhet të ushqejmë kurajën për të ngritur krye e të shohim se brenda e rreth nesh ka aspiratë. Duhet vetëm të zhveshim zhguallin e mbijetojesisë, të sprapsim frikërat e të lexojmë drejt fuqinë brenda nesh.

Nuk mund të vazhdojë pafundësisht kjo katrahurë e një atdheu të një pakice që na vjedh e varfëron xhepat për të na blerë votën, e na varfëron mendjet për të na blerë shpirtrat. Nuk mund të lejojmë pashtershmërisht që ‘dyzinat e ndyta’ të partive të na shndërrojnë nga shoqëri në publik, e nga qytetarë në klientë.

Sepse kështu si publik që vetëm përtyp propagandën dhe spektaklet mediatike e elektorale, nuk ka asnjë dyshim se vetëm tifozëri, brohoritje, zënka e duartrokitje do bëjmë.

Ndërsa si klientë, do shkojmë ngaherë te partia që është ‘dyqani ynë i bukës’ për të shënuar emrin në lista të gjata që na mbyllin gojën, mundësitë dhe na ulin kokën. Kërkënd e asgjë nuk mund të ndryshohet nga pozicioni i publikut dhe klientelës.

Vetëm duke u ndjerë qytetarë e shoqëri në mund të lujmë edhe malet, e gjithçka. Nëse e kam kuptuar drejt, ky është edhe thelbi i inkurajimit që po na jep së fundmi me deklarimet e tij Ambasadori Amerikan Donald Lu.

Ambasadori Amerikan, si miku dhe dashamirësi ynë, është duke lujt. Shqipëria do të luj, kur të lujm ne qytetarët shqiptarë. Po nuk lujtëm ne sot, as Doni Lu nuk na bën dot gjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura