DOKUMENTI/ Ruajtja dhe administrimi i siteve arkeologjike, zbardhet raporti i KLSH-së, ja shkeljet e gjetura në Ministrinë e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj

Sep 16, 2021 | 15:47
SHPËRNDAJE

Sitet arkeologjike në vendin tonë, për periudhën 2016-2019 sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë qenë në “mëshirë të fatit” sa i takon ruajtjes, mbrojtjes dhe administrimit të tyre.

shutterstock_199728995-2_jrsk7_sdeyn

KLSH ka realizuar një raport për ministrinë e Kulturës dhe institucionet e saj në vartësi.

Sipas raportit zyrtar, thuhet se ky auditim u ushtrua: në Ministrinë e Kulturës, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Vlorë, Njësinë e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Kombëtar Butrint, Njësinë e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apolloni dhe Bylis, mbi efektivitetin e implementimit të politikave shtetërore për mirëmenaxhimin e parqeve arkeologjike dhe promovimin e tyre në aspektin ekonomik, kulturor e turistik.

Në përfundim të auditimit, KLSH ka arritur në përfundimin se “politikat shtetërore të ndjekura nga Ministria e Kulturës, si ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin e siteve arkeologjike, për shkak të mungesës së një kuadri rregullator të plotë në menaxhimin e tyre, nuk kanë rezultuar efektive.

images

Mbivendosja e legjislacionit, si pasojë e funksionimit të njëkohshëm të dy ligjeve për trashëgiminë kulturore, mungesa e akteve nënligjore zbatuese, miratimi i dokumentit strategjik pa plane konkrete veprimi, komunikimi ndërisntitucional i dobët, kanë bërë që menaxhimi i siteve të mos jenë efektiv.

Përzgjedhja e kritereve të menaxhimit nuk është bërë mbi bazën e studimeve të kryera nga Ministria e Kulturës, si dhe modelit më të mire, të integruar në kushtet shqiptare. Ndryshimi i strukturave të organizimit, funksionimit dhe administrimit të NJAKPA-ve është kryer pa analiza financiare, pa analiza burimesh njerëzore dhe nevojash për aftësi profesionale specifike, pa një planifikim mbi nevojat e konstatuara dhe rezultatet e dëshiruara.

Ministria e Kulturës, institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore dhe NJAKPA-të kanë shfaqur dobësi në marrjen e masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të parqeve arkeologjike.

Në mungesë të planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurisë kulturore, menaxhimi i siteve në këtë aspekt, nuk ka pasur efektivitet të plotë. Mangësitë infrastrukturore, logjistike dhe njerzore, në administrimin e parqeve, janë bërë pengesë për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për shfrytëzimin publik të tyre, nga ana e vizitorëve.

Mangësi konstatohen edhe në promovimin e tyre nëpërmjet kanaleve të komunikimit masiv. Ministria e Kulturës nuk ka asnjë plan veprimi, sa i takon marrëdhënieve me mediat vizive, lidhur me prodhimin, promovimin dhe transmetimin e dokumentarëve mbi sitet arkeologjike”, thuhet në raportin e KLSH.

GJETJET E RAPORTIT DHE REKOMANDIMET

Për pyetjen: A janё ndёrmarrё masa efektive pёr mbrojtjen e parqeve/siteve arkeologjike?

download

Gjetje: – IKTK dhe MK aktualisht nuk kanë hartuar e miratuar kriteret e hulumtimeve arkeologjike dhe standarde e kritere për gjurmimin, evidentimin, ruajtjen, mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore materiale as mënyrat e trajtimit, normat teknike, kriteret dhe modelet e ndërhyrjeve në fushën e ruajtjes së pasurive kulturore referuar nenit 29 pika 4, nenit 30 pika 6 dhe nenit 82 të Ligjit Nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

– Për parqet Arkeologjike nën subjekt auditimi Apolloni, Bylis, Amantia Orikum nuk janë hartuar ende plane për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurive kulturore referuar nenit 45 dhe 46 të legjislacionit te ri, Ligjit Nr. 27/2018. Realizimi i këtyre planeve kërkon studim gjithëpërfshirës dhe angazhim të të gjithë institucioneve përgjegjës por deri me sot nuk ka asnjë arritje në këtë drejtim për parqet e sipër përmendura.

– Në parqet arkeologjike intensiteti dhe numri i projekteve të gërmimeve shkencore apo restaurimeve dhe rehabilitimeve është i ulët. Ka pak punime e ndërhyrje edhe ato që kryhen janë të izoluara dhe të shpërndara. Referuar vlerësimeve gjatë inspektimeve dhe pohimeve gjatë intervistimeve të titullarëve pjesa me e madhe e zonave arkeologjike ka nevojë për aktivitete sistematike të gërmimeve shkencore, rehabilitimeve e aktivitetit konservues sepse ato kanë një potencial të madh objektesh të trashëgimisë kulturore ende të pagërmuar.

– Aktualisht nuk ka një procedurë të miratuar të kontrollit teknik dhe nuk ka asnjë kontroll teknik të dokumentuar me raporte përkatës për periudhën objekt auditimit në sitet e përcaktuara referuar nenit 71 të ligjit Nr. 27/2018.

– Bazuar në nenin 27 dhe 28 pikat 2, 3 e ligjit Nr. 27/2018 IKMTK nuk ka të dokumentuar asnjë veprimtari si institucion i specializuar në lidhje me ecurinë e gërmimeve arkeologjike në tokë dhe ato nënujore, masat mbrojtëse mbi pasuritë kulturore të paluajtshme në të gjithë territorin kombëtar, masat ruajtëse të vlerave kulturore në pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, masa të ruajtjes, mbrojtjes dhe cilësisë së punimeve të restaurimit të pasurive kulturore të luajtshme e të paluajtshme etj. Vendimi për mënyrën e organizmit dhe të funksionimit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk është miratuar dhe struktura dhe as organika e tij. Ai duhet të ishte i miratuar që në Maj të 2019 dhe struktura dhe organika e tij e miratuar brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi e vendimit.

– Parqet arkeologjike Bylis, Amantia dhe Orikum nuk kanë ndriçim dhe nuk janë të mbuluara me ruajte fizike.

raporti i klsh

Për këtë rekomandojmë: 3.1 Institucionet e specializuara përgjegjëse dhe Ministria e Kulturës të marrin masa të përfundojnë hartimin dhe miratimin e kritereve të hulumtimeve arkeologjike dhe standardet e kriteret për gjurmimin, evidentimin, ruajtjen, mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore materiale si dhe mënyrat e trajtimit, normat teknike, kriteret dhe modelet e ndërhyrjeve në fushën e ruajtjes së pasurive kulturore.

Brenda gjashtë mujorit të dytë të vitit 2021

3.2 Ministria e Kulturës, në koordinim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Njësinë e Administrimit e Koordinimit të Parqeve Kombëtare Apolloni Bylis dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë të marrin masa për hartimin e Planeve për ruajtjen dhe menaxhimin e vlerave të paluajtshme kulturore për parqet arkeologjike. Nëpërmjet një plani afatgjatë të synohet ndërtimi i një sistemi menaxhimi modern i këtyre parqeve arkeologjike duke përfshirë restaurimin dhe konservimin e monumenteve, rehabilitimin tyre dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës, duke pasur si qëllim shndërrimin e tyre në qendra me aktraktive.

Deri në fund të vitit 2022

3.3 Me qëllim ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në parqet arkeologjike nga institucionet përgjegjëse dhe MK të merren masa ti kushtohet më shumë vëmendje këtij sektori e të planifikohet një aktivitet sistematik për ndërhyrjet e lejuara. Gjithashtu të merren masa për hartimin edhe të projekteve apo ideve për promovimin e parqeve, krahas projekteve për ndërhyrjet në monumente, në mënyrë që të rritet vizitueshmëria e tyre, duke gjeneruar kështu më tepër të ardhura nga to te cilat mund ti akordohen komponentëve të mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve në monumente.

Brenda gjashtë mujorit të dytë të vitit 2021

3.4 MK të marrë masa për hartimin e udhëzimit për procedurën për kryerjen e kontrollit teknik në mënyrë që Institucionet e specializuara, të ushtrojnë kontrollin teknik mbi kushtet e ruajtjes së pasurive kulturore të paluajtshme.

Brenda gjashtë mujorit të dytë të vitit 2021

3.5 MK të marre masa e të filloje hartimin e draft vendimit për mënyrën e organizmit dhe të funksionimit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në vazhdim, sipas afateve të parashikuara të miratohet struktura dhe organika e tij.

Brenda gjashtë mujorit të dytë të vitit 2021

Për pyetjen: A janё ndёrmarrё masa efektive pёr tё siguruar kushte tё përshtatshme pёr shfrytёzimin publik tё parqeve/siteve arkeologjike?

Gjetje:

– Gjendja e degraduar e rrugës i bën shumë të vështira vizitat e turistëve në parkun arkeologjik të Bylisit.

– Procedurat dhe kriteret që duhet të përmbushen për të pasur akses në parkun arkeologjik të Orikumit, janë një pengesë e madhe për turistët dhe një mundësi më pak, për t’u siguruar vizitorëve një qasje atraktive me këtë aset historiko – kulturor.

– Ka pamjaftueshmëri tabelash orientuese për në parkun arkeologjik Apoloni, si dhe mungon tabela rrugore standarde, që orienton vizitorët për te lënë rrugën e Lumit të Vlorës dhe për t’u ngjitur në drejtim të kodrës, ku ndodhet siti arkeologjik i Amantias.

– Lëvizja e vizitorëve për në sitet e largëta të Bylisit dhe të Amantias nuk është e mbuluar aspak nga linjat e transportit publik. Ndërkohë Ligji 27/201810 shprehet qartë se si bashkëpunohet në nivele të ndryshme lidhur edhe me sitet arkeologjike: “Autoritetet shtetërore qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkërendojnë punën, koordinojnë, harmonizojnë dhe integrojnë aktivitetet, me qëllim sigurimin e ruajtjes, mbrojtjes, vlerësimit dhe administrimit të trashëgimisë kulturore, si dhe krijojnë kushtet për aksesimin e tyre nga publiku.”11 .

– Ajo që konstatohet nga materiali i studiuar dhe nga inspektimet në terren, pranë P. A. Amantia është moskoordinimi ndërinstitucional për të zgjidhur në themel çështjen e staneve të ngritura në këtë sit, pavarësisht zellit dhe përkushtimit të DRKK –së Vlorë. Prania e staneve është duke degraduar mjedisin dhe duke krijuar vështirësi të papranueshme për vizitorët, të cilët duhet të kalojnë në parcela të kufizuara nga gardhet e tyre dhe që kutërbojnë erë të keqe.

– Në Parkun Kombëtar të Butrintit ka mungesë të ndjeshme vendesh parkimi për makinat dhe autobusët, me të cilat udhëtojnë vizitorët. Çështja është diskutuar në të gjitha nivelet dhe duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare, duke qenë e përfshirë edhe në Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar Butrint 2020 – 2030

– Në Parkun Kombëtar Butrint problemi i radhëve të gjata në biletari është shumë i mprehtë dhe krijon shqetësim tek vizitorët.

– Mungojnë krejtësisht shërbimet higjeniko – sanitare në parkun arkeologjik të Orikumit dhe në parkun arkeologjik të Amantias. Ndërkohë që në këto dy parqe mungojnë edhe linjat elektrike. Ndërsa Parku Kombëtar Butrint ka nevojë të restaurojë shërbimet higjeniko – sanitare tek Kalaja dhe të instalojë nyje higjenike të reja, sikurse konstatuar dhe vënë në dukje kjo domosdoshmëri edhe në mbledhjet e Bordit Kombëtar të Parkut të Butrintit.

– Përjashtuar Parkun Kombëtar Butrint, në parqet e tjera arkeologjike mungojnë këndet e shitjes së souvenireve, pijeve freskuese dhe prodhimeve të zonës. Nxitja dhe përfshirja në njësitë tregtuese, që mund të bëhen pjesë e këtyre realiteteve turistike, e operatorëve që shesin souvenire dhe produkte vendase sezonalisht, do ishte një ndihmë dhe mundësi ekonomike për komunitetet lokale.

– Në strukturën dhe organikën e parqeve arkeologjike, nuk parashikohen pozicione me detyrë funksionale, vetëm shoqërimin e vizitorëve.

– Edhe në raport me rekrutimet e punonjësve sezonalë të cilët ofrojnë shërbimin e guidës vihet re se, ose rritja e numrit tyre ka mbetur e njëjtë, si në rastin e ZAKPA Apoloni, ose nuk ka patur asnjë punësim sezonal për të ofruar këtë shërbim, sikurse në rastet ZAKPA Bylis, ZAKPA Butrint, DRTK Vlorë (Sektori i Parqeve AmantiaOrikum) në vitin 2019, pavarësisht se fluksi i vizitorëve është rritur progresivisht vit pas viti.

– Në parqet arkeologjike të Amantias dhe të Orikumit sinjalistika orientuese dhe shpjeguese ka nevojë për përmirësim. Në brendësi të Parkut të Bylis, duhen vendosur tabelat, të cilat mungojnë krejtësisht që nga viti 2019.

– Në organigramën dhe strukturën e NJAKPA – ve mungon pozicioni me detyrë funksionale dedikuar marrëdhënieve me publikun”.

– Në sitet arkeologjike të audituara, vizitat e turistëve zhvillohen pa mbështetjen e teknologjive të audioguidës dhe të videoguidës.

Për këtë rekomandojmë:

5.1 Ministria e Kulturës të formulojë një plan veprimi, me qëllim rikualifikimin e rrugës që çon në parkun arkeologjik të Bylisit dhe ta materializojë me veprime konkrete, të cilat synojnë sensibilizimin e gjithë faktorëve që mundësojnë zgjidhjen.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.2 Ministria e Kulturës të vlerësojë me propozimet e bëra nga Ministria e Mbrojtjes, lidhur me mundësinë e ndërtimit të rrugës alternative dhe të marrë masa në bashkëpunim me pushtetin lokal, për dhënien e një zgjidhjeje përfundimtare për problematikën e hyrjes pa pengesa të vizitorëve në parkun arkeologjik të Orikumit.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.3 ARRSH – ja të plotësojë tabelat që mungojnë drejt parkut arkeologjik Apoloni, sikurse kërkuar nga NJAKPA Apoloni – Bylis, si dhe të vendosë tabelën që orienton drejt sitit arkeologjik të Amantias, në pikën e lënies të rrugës së Lumit të Vlorës.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.4 NJAKPA e Bylisit dhe Amantias të kërkojnë zgjidhjen e problemit të transportit publik me Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore nën juridiksion territorial të të cilave janë, duke siguruar transportin publik për këto dy site, të paktën gjatë sezonit turistik.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.5 DRKK Vlorë në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, si dhe duke përfshirë të gjitha institucionet që kanë kompetencat përkatëse ligjore, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për heqjen e staneve dhe rehabilitimin e Zonës A të parkut arkeologjik të Amantias.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.6 Bordi i Parkut Kombëtar të Butrintit dhe Ministri i Kulturës, në cilësinë e Kryetarit të këtij Bordi, në përgjigje të nevojës së rritjes së sipërfaqes së parkimit, të kërkojë pranë Këshillit të Ministrave, vënien në dispozicion të një mjedisi të përshtatshëm për këtë qëllim.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.7 Bordi i Parkut Kombëtar Butrint dhe AADF, të cilit i është dhënë me koncesion shërbimi i biletarisë së Parkut, të vlerësojnë dhe të marrin masa për rritjen e numrit të sporteleve të biletarisë.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.8 Ministria e Kulturës dhe DRKK Vlorë të përgatisin projektet përkatëse për garantimin e kushteve higjeniko – sanitare, si dhe shtrirjen e linjave elektrike në P. A. të Orikumit dhe në P. A. të Amantias. Ministia e Kulturë të sigurojë mbështetjen buxhetore për realizimin e këtyre nismave. Për Parkun Kombëtar të Butrintit të miratohet restaurimi i shërbimeve higjenike dhe të parashikohet shtimi i nyjeve të tjera higjenike.

Brenda vitit 2021

5.9 DRKK Vlorë të marrë kontakt me Dhomën e Tregtisë Vlorë, Njësitë e Vetqeverisjes Vendore dhe operatorë tregtarë vendas, me synimin për të sugjeruar dhe mundësuar çeljen e pikave, që ofrojnë një gamë minimale produktesh tipike të zonës, gjatë sezonit turistik.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.10 NJAKPA – të në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, të vlerësojnë dhe të ndjekin procedurat e nevojshme për të propozuar miratimin e strukturave dhe organikave të reja, për NJAKPA – të, në të cilat të parashikohen pozicione me detyrë funksionale vetëm shoqërimin e vizitorëve, si dhe ai me detyrë funksionale dedikuar administrimit të marrëdhënieve me publikun.

Brenda vitit 2021

5.11 NJAKPA – të të parashikojnë nevojat për punonjës sezonalë, në kushtet e rritjes së fluksit të vizitorëve në sitet arkeologjike gjatë sezonit turistik dhe të ndjekin gjithë procedurën e parashikuar për punësimin e tyre.

Brenda dymbëdhjetë muajsh

5.12 ZAKPA Bylis të marrë të gjitha masat për vendosjen e tabelave orjentuese dhe shpjeguese në parkun arkeologjik të Bylisit, sikurse dhe DRTK Vlorë, të marrë të gjitha masat për plotësimin dhe përmirësimin e tabelave orientuese dhe shpjeguese në parqet arkeologjike të Amantias dhe Orikumit.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

5.13 Ministria e Kulturës dhe NJAKPA – të të ngrenë një grup të përbashkët pune, për të diskutuar, vlerësuar dhe vendosur, mbi nevojat dhe mundësitë efektive për futjen e përdorimit të teknologjive të audioguidave dhe videoguidave.

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura