Dokumentet, deputeti i PS bëri burg në Itali

Jul 17, 2014 | 10:54
SHPËRNDAJE

Flamur Noka, Arben Ndoka
Partia Demokratike ka publikuar dje të dhënat të reja që, sipas tyre, tregojnë se deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka është dënuar nga drejtësia italiane në vitin 2002. Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka bëri dje publike kërkesën në të cilën sipas tij deputeti i së majtës, që goditi disa ditë më parë demokratin Gent Strazimiri, ka kërkuar prej drejtësisë italiane uljen e dënimit. Në faksimilen e kërkesës së paraqitur nga Flamur Noka, thuhet se: “Arben Ndoka ka lindur në Shqipëri më 14 tetor të vitit 1974; duke parë se kërkesa e Prokurorisë më datë 11 dhjetor 2006, marrë më datë 14 dhjetor 2006, me të cilën njoftohet kërkesa e lirimit e lëshuar nga Zyra e Prokurorisë së Republikës më datë 3 gusht 2006, e cila ka vendosur, që data e dënimit të ulet në 2 vjet dhe 11 ditë, kërkesë dërguar për ekzekutim në Institutin e Burgimit të Torinos; në këtë kërkesë të datës 11 dhjetor të viti 2006 Prokuroria ka precizuar që i dënuari është burgosur jashtë vendit”. Ulja e dënimit është firmosur nga tre gjyqtarët italianë, presidenti i jurisë Carmella Russo dhe gjyqtaret Anna Maria Gavoni e Rosalba Liso.
Deklarata
Pas publikimit të shkresave, ish-ministri i Brendshëm tha se vërtetohet që: “Arben Ndoka, jo vetëm është dënuar në Itali, por edhe ka vuajtur një pjesë të dënimit në burgun e Varezes. Ndalimi që i kanë bërë në 2002-shin në Itali, nuk ka qenë një keqkuptim që është sqaruar, por ai ka nisur vuajtjen e dënimit atje dhe më pas është transferuar në Shqipëri. Kemi këtu kërkesën e deputetit të Edi Ramës, dërguar Gjykatës së Romës, për të marrë falje për 3 vite, nga 7 vite e 6 muaj që ishte dënuar. Kjo dëshmon se deputeti i Edi Ramës ka pranuar vetë akuzën dhe dënimin për trafik prostitucioni në rrethana rënduese. Kjo tregon se deputeti i Edi Ramës ka pranuar vetë akuzën dhe dënimin për rrëmbim personi. Faktet e reja vërtetojnë edhe një herë se Edi Rama ka veshur me imunitetin e deputetit një person me të kaluar të rëndë kriminale”. Noka shtoi më tej: “Edi Rama i hapi rrugën hyrjes në Kuvend të deputetit të tij me këtë të kaluar kriminale, duke shmangur nga lista dy kandidate gra. Dhe Edi Rama hesht prej një jave, edhe pse emri që ai kërkoi u bë publik, edhe pse provat që ai kërkoi u bënë publike”.
Faksimile e vendimit të Gjykatës italiane

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura