DokuFest nis nga Tirana, “kinema” për emigrimin në 9 ditë me 230 filma

Aug 4, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Rreth 230 filma nga 3000 që kanë aplikuar gjithsej do të prezantohen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe me Metrazh të Shkurtër në DokuFest, i cili do të zhvillohet në Prizren, nga datat 8- 16 gusht.

Ministrja Mirela Kumbaro, drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, dhe drejtori Ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani, dje gjatë konferencës për shtyp në Tiranë
Ministrja Mirela Kumbaro, drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, dhe
drejtori Ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani, dje gjatë konferencës për shtyp në Tiranë
Pesë filma janë përzgjedhur që të shfaqen edhe në Tiranë, ndaj për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, DokuFest është finalizim i angazhimit të ndërmarrë nga qeveritë e dy vendeve Shqipëri-Kosovë për kalendarin e përbashkët artistik. Emigracioni është subjekti që do të përbëjë edicionin e 14-të të DokuFest. Viti i dytë i bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prizrenit zyrtare vjen me një temë të aktualitetit, parë në një tjetër këndvështrim. Emigracionin jo si plagë, por si një dukuri që i sjell të mira shoqërisë.

BASHKËPUNIMI
Programi i plotë i edicionit të 14-të të DokuFest është prezantuar dje në Tiranë, përmes një konference për shtyp, ku u zbulua se në mbrëmje starti i festivalit do të niste nga Amfiteatri i Universitetit të Arteve. Ministrja Kumbaro tregoi detajet e DokuFest, duke theksuar se festivali është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është kënaqësi për të gjithë publikun shqiptar dhe nder për mua si ministre e Kulturës që për të dytin vit me radhë, së bashku me kolegët e DokuFest, të prezantojmë edicionin e radhës të këtij festivali tashmë të rëndësishëm jo vetëm për botën shqiptare, por edhe në axhendat ndërkombëtare të kinemasë, si një nga markat më të mira të festivaleve që organizohen në trojet shqiptare. Për ne është detyrë dhe krenari ta mbështesim, duke qenë se DokuFest bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, si një ndër gurët më të rëndësishëm të këtij kalendari, i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqje të filmave, por shtrihet edhe përtej datave të festivalit dhe përtej Prizrenit”, tha ajo.

Ndërsa drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, shprehu kënaqësinë që shfaqja e filmave në Tiranë të jetë si një pikënisje e Dokufest. “Jemi të lumtur të rikthehemi në Tiranë dhe me një copëz të vogël të programit të madh të këtij edicioni të DokuFest, për të cilin kemi punuar një vit dhe të cilin jemi krenarë ta shfaqim në Prizren nga datat 8-16 gusht”, tha Veton Nurkollari, që më tej prezantoi programin e filmave të këtij viti.

FILMAT
Të zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende, në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale. Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal, si dhe pasojat, të cilat do të jenë në fokus të aktiviteteve, duke përfshirë panele dhe debate me regjisorë dhe ekspertë të ftuar shqiptarë e ndërkombëtarë.

Ndërkaq, regjisori fitues i BAFTA, Daniel Mulloy, edhe këtë vit ka krijuar një fushatë vizuale të mrekullueshme për temën e festivalit. DokuFest gjithashtu do të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga regjisorë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë.

Festivali do t’i bëjë homazh njërit ndër regjisorëve më të mëdhenj botërorë, Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, duke përfshirë filmat legjendarë “Gimme Shelter” dhe “Grey Gardens”, e po ashtu edhe dy filmat e tij të fundit, “Iris” dhe “In Transit”. Albert Maysles, i cili vdiq në fillim të këtij viti, në moshën 88-vjeçare, së bashku me vëllanë e tij, David, ridefinuan “regjisorllëkun” e dokumentarëve dhe ndikuan te një brez i regjisorëve me aftësinë e tyre për të kapur realitetin ashtu siç ndodh.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura