Doganat, favorizuan një operator, dëmi 4.7 milionë USD

Jul 31, 2014 | 11:37
SHPËRNDAJE

Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj
Favorizim të një operatori krahasuar me të tjerët, mangësi në dokumentacionin ligjor të operatorëve ekonomikë me eksportuesit apo mangësi në auditime, janë disa nga shkeljet e kryera nga Dega Doganore Durrës. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi gjatë auditimit të fundit në këtë institucion një dëm 4.7 milionë dollarë për buxhetin e shtetit, që vjen si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve nga ana e punonjësve. Periudha për të cilën është kryer auditimi, përfshin veprimtarinë 2011-2013. Një ndër pikat që duket se është abuzuar nga ana e doganës lidhet me llogaritjen e gabuar të çmimit të mallrave. “Autoriteti doganor kompetent Durrës nuk ka treguar kujdesin e duhur lidhur me përcaktimin e saktë të çmimeve të mallrave të eksportuara, për të cilat llogaritet rentë minerare. Ky veprim ndikon direkt jo vetëm në llogaritjen e vlerës së rentës minerare, por edhe në deklarimin e të ardhurave në eksport e, për pasojë, në deklarimin e të ardhurave e të treguesve të tjerë financiarë në organet tatimore. Detyrimet doganore të rivlerësuara nga renta minerare në vlerë 1,489,996 lekë”, thuhet në raportin e KLSH. Edhe zbatimi i pjesës që lidhet me akcizën ka pasur mangësi dhe autoriteti doganor nuk ka aplikuar gjobë ndaj subjekteve. Ka pasur edhe nga ato raste, ku sipas audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit është lejuar që të zhdoganohen mallra edhe nga subjekte debitorë pranë doganës. Në raportin e tij, KLSH-ja ka dalë në përfundimin se përgjegjësia bie drejtpërdrejt në dy ish-përgjegjës sektori me inicialet personat K.RR. dhe D.K, për të cilët është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit. Po kështu janë rekomanduar 19 masa organizative, 8 masa për shpërblim dëmi në vlerën 478,215,554 lekë, si dhe masa administrative gjobë për 58 subjekte ne vlerë totale 3,95 milionë lekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura