Dobia e dhjetë mijë lekëshit të ri

Jun 19, 2021 | 9:11
SHPËRNDAJE

fatos_cocoli

FATOS ÇOÇOLI

Kartëmonedha e re dhjetë mijë lekë të reja shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit, nivelin e pagave dhe të pagesave me para në dorë, si dhe plotëson kërkesat e tregut.

Disa zëra të dalë aty-këtu në disa media se prerja e re e monedhës sonë kombëtare do të nxisë përdorimin e saj nga ekonomia kriminale ngjajnë qesharakë. Është njëlloj sikur të thuash se kartëmonedha amerikane 100-dollarëshe u shërben më shumë karteleve të drogës se qytetarëve amerikanë, apo kartëmonedha 500 euro mafiozëve të kontinentit tonë. Një nga përgjegjësitë kryesore dhe detyrim ligjor për bankën tonë qendrore, Bankën e Shqipërisë, është të garantojë furnizimin e ekonomisë me para fizike, para letër, si dhe të sigurojë besimin e publikut te monedha kombëtare.

Pas një periudhe mbi 20-vjeçare, Banka e Shqipërisë, në vitin 2016, ndërmori nismën për të filluar projektin e prodhimit të një serie të re të lekut, duke parë se kartëmonedhat e vjetra jo vetëm vështirësonin përdorimin e tyre nga qytetarët, por edhe përmbanin elemente sigurie të pamjaftueshme për kohën. Dhe realisht, kartëmonedha dyqind lekëshe ishte bërë si leckë nga përdorimi.

Një pjesë, ato të grisurat në ndonjë anë a në mes, i përdornim të ngjitura me ngjitës plastik të tejdukshëm dhe ngjanin akoma më keq. Shumicën e tyre i merrnim nga shitësit me frikë mos na griseshin në duar apo në portofol. Kaq të holla e të brishta ishin katandisur.

Më 30 shtator 2019, pas një pune katërvjeçare, pas 20 vitesh nga koha kur kartëmonedhat e vjetra dolën në qarkullim, Banka e Shqipërisë paraqiti në publik serinë e re të kartëmonedhave dhe hodhi në treg dy prerjet e para të saj, dyqind dhe pesë mijë lekë. Këto prerje janë mirëpritur nga publiku dhe kanë përmbushur pritshmërinë e bankës sonë qendrore.

Ato tashmë janë pjesë e qëndrueshme e parasë në qarkullim, duke mbështetur rritjen në vijimësi të cilësisë së kartëmonedhave tona dhe provuar uljen e rasteve të falsifikimit të tyre.

Duke realizuar kështu ruajtjen e integritetit të monedhës sonë kombëtare në raport me qytetarin, si dhe një imazh dinjitoz të bankës qendrore dhe të vetë shtetit tonë. Tematika e serisë së re të kartëmonedhave tona mishëron figurat më të ndritura kombëtare dhe evokon momente nga më të rëndësishmet të historisë së kombit tonë.

Kjo tematikë i përfshin të gjitha etapat historike, duke filluar nga antikiteti, mesjeta, rilindja kombëtare, pavarësia e vendit dhe përmbyllet me simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit të flamurit në prerjen më të re, atë me vlerë më të lartë, 10 mijë lekë të reja. Hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës 10 mijë lekëshe dëshmon për përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave tona me evoluimin e strukturës së çmimeve dhe pagave, shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe të fuqisë paguese të qytetarëve tanë.

Futja e saj në treg u mundëson veprimtarëve ekonomikë një qarkullim më të mirë dhe më efecient të parasë fizike, duke u lehtësuar aktivitetet e blerjeve me para në dorë. Kjo kartëmonedhë ul kostot e prodhimit, thesarizimit dhe shpërndarjes së lekut, duke shtuar në këtë mënyrë edhe eficiencën e bankës sonë qendrore në administrimin e parasë fizike.

Krahas përshtatjes graduale me strukturën vlerore të prerjeve të euros, në rrugën e integrimit të ekonomisë sonë me Eurozonën, prania e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit mundësitë e Bankës së Shqipërisë për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm në para fizike, në mënyrë që të përballojë rastet e rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për paranë fizike.

Njëkohësisht, kjo seri e re kartëmonedhash vjen me një paraqitje të rifreskuar, bashkëkohore, miqësore për syrin, por edhe e denjë për të qëndruar përkrah kartëmonedhave të njohura, si euro, paundi britanik. Seria e re ka një set shtesë elementësh sigurie. Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, sikurse janë pagesat elektronike, paraja fizike në qarkullim në ekonominë dhe shoqërinë tonë vijon ndër vite të rritet, duke dëshmuar kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë sonë për para fizike si mjet pagese.

Këtë e dëshmojnë dhe nismat e ngjashme të marra edhe nga vendet tejet të zhvilluara në sistemet elektronike, sikurse është rasti i Norvegjisë, e cila vetëm dy vjet më parë paraqiti serinë e rifreskuar të kartëmonedhave të saj. Banka e Shqipërisë futi në qarkullim prerjen më të lartë të lekut, edhe për të plotësuar këtë kërkesë në rritje të tregut.

Edhe gjendja e përjetuar me pandeminë e COVID-19, përfaqëson një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë vitit 2020, megjithë kufizimet dhe rënien e konsumit nga mbyllja e detyruar, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë (ose 423 milionë euro) ose rreth 3 herë më shumë se shtimi gjatë vitit 2019. Edhe 5 muajt e parë të këtij viti kanë regjistruar një rritje prej të parasë në qarkullim prej 10 miliardë lekësh, ose 81 milionë euro.

Kartëmonedha dhjetë mijë lekëshe do të kontribuojë në plotësimin e kërkesës së tregut për rritjen e parasë fizike, duke e ndihmuar bankën tonë qendrore të planifikojë dhe sigurojë stokun e mjaftueshëm të parasë letër në vend, i cili jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Kartëmonedhat janë më shumë se një letër me vlerë. Ato nxisin dhe mbështesin aktivitetin ekonomik të vendit tonë dhe njëkohësisht lidhin me fije të padukshme identitetin tonë kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura