Dita e parë, shkarkohet i gjithë stafi i shkollës

Sep 15, 2015 | 13:48
SHPËRNDAJE

Viti i ri mësimor në shkollën e mesme të bashkuar të fshatit Hotolisht në Librazhd, nuk ka nisur normalisht. I gjithë stafi pedagogjik i kësaj shkolle bashkë me drejtorin kanë protestuar përpara shkollës pasi janë transferuar apo larguar nga puna me motivacione të ndryshme si shkelje etike, dhunë ndaj fëmijëve apo mosplotësimin e orëve mësimore. Më të prekurit ndaj kësaj reforme kanë qenë arsimtarët në prag pensioni.

dita-e-pare-e-shkolles-11Edhe pse ishin paraqitur në detyrë që në 10-ditëshin e fundit të gushtit për t’u përgatitur për fillimin e shkollës, këta mësues janë lajmëruar me një vendimin nga Zyra Arsimore Rajonale. Nga 32 mësues në total, mësohet se 28 prej tyre janë transferuar, mes tyre janë edhe 5 të pushuar.

Ndërkaq, dita e sotme për shkollën e Bashkuar në Librazhd ka vijuar normalisht me mësues të rinj. Lidhur me këtë, drejtoresha e Arsimit në Librazhd, Fatbardha Qatja, është shprehur se një reformë e tillë ka ardhur pasi janë vënë re raste dhune, një fenomen ky i papranueshëm në vitin 2015.

PROBLEMATIKAT
14 shtatori i shumëpritur nuk ka ardhur aq “i mbarë dhe i bardhë” për nxënësit e kryeqytetit. Në shumë shkolla vihet re lënda bazë e zhvillimit të një ore mësimore, tekstet.

Ministria ka siguruar se brenda javës të gjithë do të pajisen me libra, ndërsa shtëpitë botuese kanë bërë fajtorë drejtuesit e shkollave që nuk kanë sjellë numrin e saktë të teksteve që duhet të ishin tashmë në duart e nxënësve.

Por ky nuk është i vetmi problem. Shkollat në restaurim e sipër do të detyrojnë që shumë nxënës të udhëtojnë në shkollat më të largëta për të kryer mësim. Për 34 nxënës të klasës së tretë te “Shkolla e Kuqe” dita e parë ka nisur me protestë ndaj gjuhës së parë, italishtes.

Drejtoresha e DAR, Tiranë, Arjola Byzyka, thotë se prindërit janë njohur me këtë fakt që në qershor dhe se, pavarësisht bisedimeve me ta, nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndryshuar, pasi një gjë e tillë është e parashikuar në memorandumin e nënshkruar që në vitin 2007. “Shkolla e Kuqe është e projektit ‘Iliria’, ndaj një klasë duhet të zhvillojë doemos italishten gjuhë të parë. Prindërit janë informuar për këtë që në muajin qershor.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura