Dita e dytë në qeli, Doshi e Frroku transferohen në dhoma me krevatë, por larg njëri-tjetrit

Mar 28, 2015 | 21:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Dy deputetët Tom Doshi e Mark Frroku janë zgjuar në dhomat e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Nëse kanë fjetur apo thjesht dremitur me aq mundësi sa u ka ofruar vetëm një stol që kanë pasur në dhomë, kjo nuk është e sigurt.

Momenti i shoqërimit të Tom Doshit në Polici

Por e sigurt është që orët e fundit të së enjtes e orët e para të mëngjesit të djeshëm, kanë plotësuar një nga ato netët që për ta mund të konsiderohet si më e gjata.

Por ndryshe nga nata e parë që kanë kaluar, vizitorëve “specialë” të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ditën e djeshme u është krijuar mundësia që të paktën të çlodhen nëpër krevate.

Burimet thanë per ‘Panorama” se dje Doshi e Frroku janë zhvendosur në dy qeli më “komode”, edhe pse jo “VIP”, por të pajisura me krevate, e pa shokë qelie.

Edhe në këtë rast, efektivët e Policisë së Tiranës janë kujdesur që dhomat e tyre të jetë shumë larg njëra-tjetrës, njëra në fillim e tjetra në fund të korridorit. Në secilën prej dhomave ndodhen nga dy krevate, njëri i papërdorshëm, për shkak se deputetët janë vetëm në qeli.

Ndërsa efektivët janë treguar tolerantë, duke shkelur edhe ligjin që nuk lejon të pihet duhan në ambiente publike. Të paktën për deputetin Mark Frroku, që njihet si duhanpirës, është bërë një lëshim i tillë. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ndodhet vetëm një qeli, e konsideruar “VIP”, që ka disi kushte më të mira se të tjerat dhe duke qenë se është një e vetme, kjo ka qenë arsyeja që asnjëri prej deputetëve nuk janë vendosur aty. Ndërsa 8 qelitë e tjera, që ndodhen në katin e parë, janë të pajisura me nga 2 krevate secila.

Në dy prej tyre janë zhvendosur dje Doshi e Frroku. Të enjten, ato ishin të zëna nga persona të tjerë të arrestuar e për këtë arsye deputetët u zhvendosën aty pasditen e djeshme.

DY DEPUTETET

Tri orë pasi ishin ndaluar, dy deputetët e Shkodrës, Tom Doshi dhe Mark Frroku, kanë qëndruar në dhomat e shoqërimit veç njëri–tjetrit. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të enjtes, janë kryer veprimet standarde për personat e arrestuar. Doshit dhe Frrokut, njëri pas tjetrit u janë marrë gjurmët e gishtave.

U janë hequr lidhëset e këpucëve dhe rripat e pantallonave, si dhe u janë marrë me procesverbal sendet personale që ata kishin me vete. Më pas janë dërguar në dy qeli të zakonshme, por pa persona të tjerë të ndaluar brenda. Mes Doshit dhe Frrokut, edhe pse deri para pak kohësh ishin miq me njëritjetrin, nuk ka pasur asnjë komunikim gjatë kohës që shkëmbeheshin në korridoret e Policisë, të shoqëruar nga të dy krahët nga efektivët e Rendit.

Madje, burimet thanë se nuk i kanë hedhur as sytë njëri-tjetrit kur po i transferonin në dhomat ku do kalonin natën. Edhe dje, pasi i zhvendosën në dhoma të tjera, veç njëri-tjetrit, në katin e parë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, janë zgjedhur qeli që mësohet larg njëra-tjetrës, duke mos krijuar asnjë mundësi komunikimi as në distancë.

VESHJET DHE USHQIMI

Ashtu si natën e parë, edhe dje deputetët Doshi e Frroku kanë refuzuar të konsumojnë ushqimin që shërbehet nga mensa e Policisë së Tiranës. Mësohet se familjarët janë lejuar edhe dje që t’u fusnin brenda veshje dhe ushqime. Burimet thanë se dje ata kishin hequr kostumet që mbanin veshur në momentin kur u arrestuan dhe ishin veshur të dy sportivë.

Etleva Delia 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura