Dilemat në skadim të ultimatumit nga SHBA

Jul 13, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Mentor Nazarko

MENTOR NAZARKO

Sot përfundon ultimatumi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Reformën në Drejtësi. Gjithë sytë dhe vëmendja publike do të jenë te mbledhja e pritshme e Grupit  Parlamentar të PD-së, prej nga do të vijnë sinjalet e qarta në lidhje me fatin e kësaj reforme prej përgjigjes së partisë kryesore të opozitës. Në një kuptim jo thjesht numerik, pritet përgjigjja e gjithë opozitës.

Dhe e askujt tjetër. Formula e fundit amerikane, në fakt pranoi ekzistencën e vetëm dy faktorëve, duke i ruajtur dinjitetin opozitës. SHBA-të bënë veshin e shurdhët për protagonizmin e LSI-së që kërkoi sqarime për negociatat me to, dhe ka një logjikë në këtë shurdhëti: LSI pretendon se do votojë çdo reformë konsensuale si pjesë e shumicës, dhe nëse ky konsensus arrihet midis Ramës dhe Bashës, atëherë hapësira për të zvogëlohet.

Është krejt e qartë se në një kuptim, SHBA-të i vunë vulën veprimit ndërkombëtar për këtë reformë, me angazhimin e fundit të zonjës Nuland. Këtë vulë nuk mund t’ia vinte BE-ja, e cila nuk ka institucione autoritare siç ka pasur dikur, për arsye të njohura.

As dhe të dy institucionet bashkë (për shembull një mision i përbashkët i komisioneres Mogherini dhe zonjës Nuland), sepse reforma do të dukej diçka shumë e madhe në rrafsh ndërkombëtar për ta imponuar atë. Pavarësisht pëshpëritjeve të lehta jo të drejtpërdrejta të përfaqësuesve të opozitës, nëpërmjet portaleve të tyre për sovranitetin dhe të mirat e tij, propozimi amerikan rikonfirmon atë që pritej që në fillim të vetë reformës.

Në verifikimin e gjyqtarëve dhe njerëzve të Drejtësisë në përgjithësi, në të gjitha nivelet, do të ketë prani ndërkombëtare në rol të fuqishëm. Kjo është një risi për Shqipërinë, por jo dhe për rajonin, më konkretisht Kosovën (ku ka dhe gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, EULEXi, plus Gjykata Speciale që pritet të miratohet) dhe Maqedoninë (me të dërguar specialë, prokurorë specialë dhe gjykatë speciale që pritet të krijohet).

Pikërisht ky element i përbashkët për tri vendet, si pjesë e vizionit perëndimor për këtë pjesë të rajonit, tregon se sa e parefuzueshme është kërkesa amerikane. Një arsye që vlen për tri shtete nuk është diçka rastësore: nuk është diçka që tretet në ujë me zgjedhjet amerikane, apo me largimin e një administrate presidenciale në SHBA, siç shpresojnë një pjesë e kundërshtarëve të reformës.

Kjo prani perëndimore, që sigurohet nëpërmjet Reformës në Drejtësi, duhet të ketë një mision me vlerë globale, i cili nuk mund të refuzohet me argumente sovraniste. Përpjekja për qarkullimin e elitave të Drejtësisë, pastrimin e tyre, si hap i parë për qarkullimin e elitave në përgjithësi në këto vende, shkëputja e lidhjeve kriminale që nuk lejon këtë qarkullim, goditja e grupeve të pushtetit politiko-ekonomik pro statuskuosë dhe që sfidojnë Perëndimin me fuqinë e tyre, është parakusht për të pasur një mjedis të pastër politik në rajon.

Duhen elita të reja, për të forcuar luajalitetin me Perëndimin, dhe mbylljen e hapësirave për ndikimin rus apo kinez, për ndikimin e krimit ndërkombëtar, dhe kjo ngjan një arsye e fortë për vlerën globale të misionit perëndimor në Drejtësinë shqiptare. Nëse në vendin tonë do të ketë dhe një bazë ushtarake të NATO-s, apo SHBA-ve, siç përflitet seriozisht, ngjan natyrale përpjekja për të pasur këtë sheshveprimi të pastër përreth saj.

Nëse është e vërtetë pëshpëritja për bazë dhe të gjitha argumentet e tjera janë pjesë e ligjërimit jopublik amerikan dhe perëndimor, ngjan e vështirë që Partia Demokratike ta refuzojë këtë mision amerikan dhe propozimin e tij, pavarësisht se kush e përgatiti në terma materialë këtë propozim; pavarësisht dilemave për gjoja diferencën midis veprimit të ambasadorit amerikan Lu dhe shefes së tij, Nulland.

Ka dhe një element tjetër që e konfirmon vlerën globale të angazhimit perëndimor në rajon, përkatësisht në Shqipëri dhe cilësinë e këtij angazhimi. Nga versioni fillestar i reformës janë bërë pak ndryshime thelbësore, çka tregon një këmbëngulje perëndimore për të mos humbur kohë me debate të brendshme, për arkitekturën e fryrë institucionale, për shkeljet e parimeve kushtetuese në punën e komisionit etj., për kufizimin deri diku të të drejtave të gjyqtarëve etj., etj.

Po atëherë, pse opozita e këmbënguli si kusht të fundit që mund të përmbushej, tek prania thelbësore e saj në procesin e kontrollit sipas rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, diçka që garantohet me ndarjen e komisionit 50 me 50%? Ajo e ka ditur me siguri, e ka provuar presionin jopublik, i cili ka qenë i madh që të mos prekej prania ndërkombëtare në cilësi dhe në sasi.

Atëherë ngjan se për konsum të brendshëm është përdorur një argument për kontrollin eventual të qeverisë dhe Ramës në proces. Tani ky argument ra, dhe ngjan e pamundur që të atakohet publikisht prania ndërkombëtare, pavarësisht se Basha në komunikatën për shtyp e përmendte këtë. Por a do të këmbëngulë Basha, përkatësisht PD, duke refuzuar sot votën pro, në emër të argumenteve sovraniste?

Kjo ngjan e vështirë që të bëhet institucionalisht. Madje nuk besohet se do të përdorë këtë qasje dhe vetë Berisha që ka heshtur, duke lënë argumente rezervë për të kundërshtuar reformën më pas edhe në baza personale. E vërteta është se ka shtete në rajon që nuk kanë lejuar ndërhyrje perëndimore në këtë shkallë, si për shembull Serbia, por statusi i saj është pak specifik. Shteti ligjor atje ngjan se funksionon, dhe sa kohë që Vuçiç garanton mosrrëshqitjen kah Rusia, atëherë ky imponim do ishte i padobishëm.

Në një kontekst si ky, mbase opozita, Basha, Berisha që e njohin realisht se cila është qasja amerikane, interesi amerikan, larg përfytyrimeve që shesin portalet afër tyre, do kishin bërë më mirë të kishin vënë kushte të tjera. Që nuk lidhen me Reformën në Drejtësi, por që kanë natyrë kushtetuese, siç është për shembull Reforma Zgjedhore.

Por dhe ky është supozim: nuk dihet se sa i fortë ka qenë presioni amerikan që ka bërë që edhe ky kusht të zhdukej nga fjalori publik i opozitës. Epo dhe atëherë ky element tregon se vendosmëria amerikane ka qenë aq e fortë në favor të reformës, sa ngjan e vështirë që mbledhja e nesërme t’i kundërvihet publikisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura