Dilema për Teatrin, aktorët të negociojnë për Ligjin

Jun 22, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

genci-fugaGENCI FUGA

Duke ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet që “cenojnë” ekzistencën tonë, si komunitet dhe duke ndjerë “me shumë keqardhje” sesi kemi “dekantuar” në çështjen “Ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë objekti kryesor i kultit Tonë”, konstatoj me keqardhje se ne të gjithë, si “besimtarë”, nuk kemi “një Bibël”!

Ju kujtoj tregimin e Kadaresë “Kështjella Grac”! Ciceroni shpjegonte gjithë “mekanizmin e mbrojtjes” së Kështjellës dhe tregonte gjithë topat e ulluqet, kur armiku do të vinte majtas a djathtas, nga poshtë a nga ajri, thuajse “të papërdorura”! Vizitori pyeti: Sa Beteja ka pasur mbi këto mure? Ciceroni përgjigjet: Asnjë! Gjithmonë i kemi zgjidhur “me negociata”! Vizitorit iu kujtuan kështjellat tona të rrënuara nga luftërat…

Rasti e solli që godina të ndërtohej në 1938-1939! Vendimet e “Shtetit” vendosën që aty të vendosej Teatri Popullor dhe jo vetëm, por të gjithë Institucionet e Kulturës së Shqipërisë (tashmë partizane e fituese e L2 Botërore). A i plotëson (te) kjo godinë nevojat tona artistike? JO! Që në vitet e para të ekzistencës së institucionit u konstatua që godina nuk mjaftonte! Kështu, “rastësia” e ndërtimit të saj u kthye në “domosdoshmëri” të nevojës së komunitetit tonë për të pasur një “Objekt Kryesor Kulti”! Kemi një konflikt midis “Qeverisë” (apo qeverive) dhe “Aktorëve” (apo Komunitetit Skenik Artistik)!

Situata është e tillë, që të dyja palët kanë ngritur barrikadat e tyre shumë lartë! Nuk ka BESIM! Cila mund të jetë perspektiva e veprimeve të të dy palëve:

Varianti i Parë:

Qeveria: Dua të bëj një teatër të ri, pa marrë parasysh asgjë dhe duke “rregulluar” aspektin ligjor.

Aktorët: Kundërshtojmë me protesta paqësore.

Qeveria: Unë implikoj bashkinë si negociatore (pra, një “Anton Çeta” – bashkues i gjaqeve).

Aktorët: Nuk “lëvizim!”

Bashkia: Unë bëj numërimin e zërave dhe me shumicë votash, vazhdon drejt Parlamentit e më tej.

Aktorët: Kontestojmë numërimin! Shkojmë në grevë urie!

· Ndërhyjnë Forcat e Rendit se godina është “në rrezik”, ose “kundërshtim i Rendit Kushtetues e Shtetit Ligjor” (rasti i Cirkut).

· Arrestohen disa aktorë, mbahen në burg 4 (edhe këta do të përfitojnë mbrojtjen nga ana ligjore nga PD, sigurisht kur të dalin në gjyq).

· Teatri i Vjetër + Teatri Eksperimental shembet.

· Fillon punë Turbina.

· Aktorët edhe më ngushtë në hapësira e vëmendje, fillojnë të fajësojnë e akuzojnë njëri–tjetrin. (jo se nuk e kanë bërë deri tani).

· Eksperimentali?! Kalon “Teatër Shëtitës”, derisa të gjendet ndonjë zgjidhje, sigurisht pas zgjidhjes së “fatit” të Teatrit Kombëtar.

· Godina përfundon. Oskari shqiptar do të ndahet në sallën e re “FUSHA” (jo në Sallën “KODAK”, si në USA).

· Ministrinë e Kulturës, PËRSËRI, nuk e pengon “asgjë” që një ditë të bukur, të fusë përsëri TOB apo ç’të dojë ajo, në këtë sallë prestigjioze!!!

Varianti i Dytë:

· Qeveria tërhiqet!

· Qeveria: Ju kam bërë Turbinë! Shkoni atje! Nuk kam lekë për rregullim e restaurim! Kur të bëhet, të bëhet!

· Vjen edhe 100-vjetori i godinës. Reportazhe dhe “Ah, sikur-e”! · Mbaron mandati i një qeverie me një godine 3 vjet më të rrënuar. Eksperimentali?! Opsional!

· Aktorët, edhe më ngushtë ne hapësira e vëmendje, fillojnë të fajësojnë e akuzojnë njëri–tjetrin. (jo se nuk e kanë bërë deri tani).

· Qeveria tjetër?!

· Vazhdon analiza, por në disa opsione: Rama vetëm, Rama + PD vetëm, PD + (dhe kombinimet nuk kanë të sosur!).

· Hapi i parë i çdo qeverie?! Të marrë borxh për të larë borxhet e qeverisë së larguar. Godina e Teatrit?! Vëlla, nuk ka vend fare në axhendat intensive të qeverive. Vazhdohet me Turbinën…

Këtu nuk kam analizuar aspektin politik të situatës (dhe në vazhdim) duke filluar me shprehjen: Kur të vijmë ne, do ta bëjmë ndryshe! Dhe aktorë e regjisorë skenikë, do të vazhdojnë të akuzojnë njëri– tjetrin për veprimet e mosveprimet e tyre!

A do të kemi ndonjë zhvillim afatgjatë dhe të pakontestueshëm për Komunitetin Tonë të Krijuesve të Artit Skenik? A do të rreshtin ndonjëherë “veprimet arbitrare” tërësisht “të kontestueshme”, me të ardhur dikush tjetër në pushtet? Çfarë duhet bërë? Do të kisha dashur shumë të gjeja mbështetje për një hap tjetër, shumë më të ndërlikuar, që kërkon largpamësinë e gjithë komunitetit. Qeveria do “të negociojë” godinën e sipërfaqen (NË PRONËSI TË SHTETIT SHQIPTAR, MINISTRISË SË KULTURËS)!

Po sikur Komuniteti “të negociojë”, për aspektin ligjor të Teatrit Kombëtar dhe artit skenik në përgjithësi? Duhet të kalojë “grupi negociator” në Parlament?! Dakord! Të kalojë “me Parlament”, edhe ky Ligj! Nuk kemi ndonjë “rast të ngjashëm” në botë? Punë e madhe! Ligji bëhet për “hallet tona” këtu në Shqipëri! Historia dhe kushtet e artit skenik në Republikën e Shqipërisë, janë UNIKE!!!

Ky ligj të saktësojë autonominë institucionale të Teatrit (Kombëtar, Bashkiak, Arsimor e Privat), nga shteti shqiptar! Të ndërtojë të gjithë mekanizmat e kontrollit të cilësisë, politikat e repertorit dhe (pse jo) institucionet e kualifikim-licencimit! Të sigurojë (mundësisht shprehur në % mbi GDP-në e vitit financiar të kaluar) mbështetjen financiare nga shteti shqiptar, etj., etj., etj…

Si mendoni? E di! Duket shumë i çuditshëm dhe “jo koherent” si propozim?

Ju kujtoj:

· Kemi përballë një politikë (përtej të majtës e të djathtës) që nuk mendon për ne! Njëra anë “shpik” ligje dhe do t’i kalojë “me Parlament”, ana tjetër “bën sherr të paparë”, por vetëm me ligjet nuk merret! Ne numërojmë herët e “sherreve politike”, por NUK po numërojmë “Iniciativa ligjore për të gjithë dhe jetëgjatë” si qytetarë e Komunitet!

· E gjithë situata e krijuar është rezultat i mungesës së plotë të aspektit ligjor dhe strategjive të zhvillimit!

· Ky Ligj do të garantojë edhe “mënyrën e përdorimit” të çdo investimi infrastrukturor të ardhshëm, duke “shmangur” institucione, qoftë edhe “qendrore qeveritare”, të vendosë kundër interesave të Komunitetit Artistik! Në pritje…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura