“Diku ka prishur qejf te ndonjë”- Autorët i dinin të gjitha lëvizjet e tij, pse është e vështirë zbardhja e vrasjes në Durrës. 38-vjeçari njihej si…

Jan 26, 2021 | 15:36
SHPËRNDAJE

ilir-kuci-durres-vrasje

Prishja e pazareve të drogës, larja e hesapeve si dhe ndonjë konflikt i hershëm janë pistat kryesore ku i kanë fokusuar hetimet agjentët e krimeve për zbardhjen e motivit të atentatit të ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Durrësit, ku mbeti i vdekur Edmir Begu, i njohur ndryshe edhe si Ilir Kuçi.

Pavarësisht punës intensive, Policia nuk ka asnjë të dyshuar për atentatin, pasi e shkuara e errët e viktimës ua bën shumë të vështirë punën për të vënë gishtin tek autorët, të cilët dyshohet të jenë vrasës me pagesë. Nisur nga mënyra e ekzekutimit, gjetja e kohës kur Durrësi ishte përfshirë nga një stuhi e fortë, ka bërë që hetuesit të mendojnë se autorët të cilët dyshohet të kenë qenë të paktën dy persona apo më shumë, ta kenë mbajtur në vëzhgim 38-vjeçarin me orgjinë nga Kukësi dhe banor në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Begu frekuentonte vazhdimisht lokalin në Lagjen 16, që e kishte kthyer në rutinë të përditshme qëndrimin në këtë vend, ndaj edhe autorët kanë ditur të gjitha lëvizjet e tij.

DROGA

Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje dyshon se 38-vjeçari mund të ketë pasur përplasje me persona të tjerë për çështjen e trafikimit apo shitjes së drogës. Këtë hipotezë hetuesit e ngrenë për faktin se Begu vite më parë ka qëndruar për disa kohë jashtë vendit, ku edhe dyshohet se është përfshirë në grupe kriminale, të cilat aktivitetin e tyre e kanë lidhur kryesisht me trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas burimeve, 38- vjeçari mësohet të ketë kryer katër vite burg në Itali, për trafik të heroinës. Bëhet fjalë për vitin 2013. Nga ana tjetër, ndryshimi i emrit është një tjetër faktor që bën grupin e hetimit të dyshojë se ai ka qenë pjesë e ndonjë hetimi ndërkombëtar nga organet ligjzbatuese përkatëse.

“Po përpiqemi të mësojmë shkakun e këtij atentati, por deri tani nuk kemi ndonjë pistë konkrete. Kemi dyshime se jashtë shtetit apo edhe këtu ai mund të jetë pjesë e trafikimit të lëndëve narkotike. Nisur edhe nga ndryshimi i emrit, mendojmë se shkak për këtë është bërë si pasojë e ndonjë hetimi të agjencive të huaja”, thanë burime nga grupi hetimit.

LARJE HESAPESH

Larja e hesapeve është një tjetër pistë ku janë fokusuar agjentët për zbardhjen e ngjarjes. Viktima njihet si një person me një karakter shumë të fortë, çka e dallonte edhe në rrethin e tij shoqëror. Edhe pse nuk kishte ndonjë punë fikse, Begu mësohet se qarkullonte në qytet me makina luksoze të markave shumë të shtrenjta, të cilat binin në sy.

“Viktima ka qenë një person që  shquhej kollaj në qytet për vetë faktin se qarkullonte me makina të shtrenjta dhe ndërkohë që nuk kishte të ardhura për të bërë atë jetë. Çfarë do të thotë kjo?! Kjo do të thotë se diku ai i siguronte këto para dhe në rrugë të ndershme sigurisht që jo. Ai diku ka prishur qejf te ndonjë, ndaj pista e larjes së hesapeve është pista kryesore ku jemi përqendruar. Po verifikojmë të gjitha konfliktet e mundshme të tij të vjetrat dhe të freskëtat, por deri tani nuk mund të themi se kemi ndonjë person të dyshuar. Zona në të cilën ndodhi ngjarja nuk kishte kamera sigurie dhe mungesa e dëshmitarëve për shkak të motit të keq na e bënë shumë të vështirë zbardhjen e ngjarjes”, thanë burime nga Policia.

Edmir Begu u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në Lagjen 16 të qyteti në momentin që zbriti nga makina për t’u futur në lokal. Ai u qëllua me kallashnikov, duke mbetur i vdekur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura