“Diktatorët” e dy dekadave, Tirana-Skënderbeu do të jetë një duel… shahu

Feb 15, 2020 | 16:13
SHPËRNDAJE

Në dy dekadat e fundit e kanë bërë ligjin dy skuadra. Deri në 2010-ën ishte Tirana ajo që diktonte kampionatin dhe 5 tituj (nga 2001- 2010) janë dëshmia më e mirë. Fitonte trofe, shkëlqente në fushë dhe natyrisht kritikohej më shumë nga të gjithë. Më pas doli në skenë Skënderbeu, që mori 7 tituj nga 2011-ta e deri në 2019-ën. 

Skenderbeu-Tirana

Rrugëtimin e nisin mes polemikave, por më vonë u kthyen në superfuqi. Merrnin sistematikisht më të mirët çdo sezon, fitonin, ngjallnin xhelozi, por ndryshe nga e kaluara nisën një cikël. Dominuan në fushë, bënë histori në Europë dhe në fund një rënie fatale. Ndoshta e paralajmëruar.

Po sot, si është kjo sfidë? E pambarimtë, pa dyshim… Skënderbeu i Ilir Dajës nuk është asnjëherë “klient” komod, qoftë edhe për Tiranën e frikshme të këtyre javëve. Jo sepse korçarët kanë cilësi më tepër, por mbeten të palexueshëm. Humbin me të voglat, por u bëjnë dëm të mëdhave. Shikoni ndeshjen e fundit në Korçë, kur iu imponuan bardhebluve me rezultatin 2-1, apo edhe Partizanit 3- 2.

Një nga pikat më të forta mbetet trajneri i tyre. Ilir Daja jo vetëm që e njeh mirë Tiranën, por është edhe një nga më të zotët në kampionatin shqiptar. I studion rivalët, ka durim e autoritet të punojë me të rinjtë dhe di të ndryshojë ekipin brenda ndeshjes. Një ndër të paktët strategë të trajningut.

Po Emanuel Egbo? Një surprizë e bukur e këtij sezoni. “Kamerdarja e shpëtimit” për bardheblutë, po rezulton një trajner i zoti. Rastësi është të bësh dy fitore radhazi, jo 9… (kampionat dhe Kupë). Skënderbeu është një provë serioze për Tiranën. Vlen shumë rezultati, por mbi të gjitha sjellja e skuadrës. Bardhebluve u ka ardhur koha që të tregojnë se janë një ekip i pjekur dhe përballojnë presionin që vjen natyrshëm pas një serie fitoresh.

tirana skenderbeu

Të ndeshesh me dëshirën për “hakmarrje” të Asion Dajës dhe Eni Imamit apo egon e pashtershme të një trajneri fitues si Ilir Daja, nuk është fort e rehatshme për askënd. Nuk është asnjëherë e lehtë të neutralizosh të rinj të talentuar si Gripshi dhe Bregu dhe as të kalosh Koliçin.

Por kur vendosesh në pozitat e favoritit më “F” të madhe, atëherë duhet të kalosh pengesa si këto për të shkuar te titulli. Skënderbeu nga ana tjetër nuk e ka humbur dëshirën për protagonizëm. Natyrisht, renditja nuk i garanton se do të shmangë “play-off”-in në fund dhe ky është një motiv për të mos i falur asgjë Tiranës.

Kanë ende shansin ta sigurojnë Europën prej kampionatit dhe ndonëse nuk do të luajnë, zbresin 1 tjetër vit pezullim nga dënimi 10-vjeçar që u ka dhënë UEFA (3 i kanë hequr zyrtarisht). Kanë shansin t’i tregojnë Vangjelit se titulli kalon ende nga Korça, përtej faktit që në dy vitet e fundit ekipe kryeqytetase kanë marrë protagonizmin. Tirana është favorite, por me Dajën është gjithmonë një lojë shahu…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura