Digjet makina e avokatit, dyshohet zjarr i qëllimshëm. Hetohen personat që i shitën automjetin

Apr 17, 2015 | 22:26
SHPËRNDAJE

Digjet tërësisht makina e një avokati, teksa ishte e parkuar para pallatit ku ai banon. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit
të djeshëm, në rrugën “Hysen Xhura”, pranë Kinostudios në Tiranë.

 Automjeti i djegur, tip “Benz”, me targë AA 215 FP, është në pronësi të 55-vjeçarit Xhelal Krasniqi, me profesion avokat. Policia dyshon se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, pasi nga verifikimet paraprake të bëra në vendngjarje, nuk është konstatuar ndonjë defekt i mundshëm që mund të ketë provokuar zjarrin. Megjithatë, vetë pronari i mjetit ka përjashtuar mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me profesionin e tij. Në një kohë që Policia nisi menjëherë procedim penal me akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr”, Krasniqi orientoi oficerët e grupit hetimor drejt një piste konkrete, madje edhe emrash konkretë, të cilët po verifikohen. Sipas tij, i vetmi konflikt që ai ka pasur ka qenë me disa persona të cilëve u kishte blerë automjetin disa muaj më parë. Burimet thanë se gjatë dëshmisë së tij, avokati është shprehur se makinën, që tashmë është djegur, e kishte marrë fillimisht për ta provuar, me qëllim që më pas ta blinte.

Por kishte dhënë vetëm një pjesë të parave. Ndërsa më vonë personat që ia kishin shitur kishin ndryshuar pazarin, duke e rritur çmimin dhe për këtë arsye ka nisur konflikti mes tyre. Burime nga grupi hetimor thanë se po verifikojnë pistën drejt së cilës i ka orientuar vetë i dëmtuari, por pa përjashtuar edhe ndonjë mundësi tjetër. Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se, në rrugën “Hysen Xhura”, është djegur mjeti tip “Benz”, me targë AA 215 FP, në pronësi të shtetasit Xhelal Krasniqi, 55 vjeç, banues në Tiranë. “Nga kryerja e ekspertimit nga specialistët e Sektorit të Zjarrfikësve pritet përcaktimi i shkakut të zjarrit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranë, për veprën penale ‘shkatërrim i pronës me zjarr’”, thuhet në njoftimin e Policisë. Automjeti i avokatit Krasniqi ka qenë i parkuar në anë të rrugës, pranë pallatit ku banon dhe flakët janë parë me vonesë nga ai, në kohën që makina thuajse ishte shkrumbuar tërësisht.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e Komisariatit nr.4, që kanë kryer veprimet e para hetimore. Burimet thanë se janë sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve private pranë vendit të ngjarjes, për t’u bërë këqyrja e tyre, në mënyrë që të zbulohet ndonjë autor i mundshëm i zjarrvënies.

Furgoni

Një tjetër makinë është djegur mëngjesin e djeshëm në Rrugën e Qelqit, pranë fshatit Yzberisht në Tiranë. Furgoni, me targë AA 459 BO, në pronësi të shtetasit Meleq Krasta, u shkrumbua tërësisht nga flakët. Burimet thanë se edhe në këtë rast dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme për shkak të ndonjë problemi konkurrencë që mund të ketë pasur pronari.

NGA ETLEVA DELIA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura