Diana Çuli komenton librin fitues të çmimit ‘Kadare’: Virgjil Muçi është një thesar gjuhe

Jul 29, 2018 | 19:16
SHPËRNDAJE

Nga Diana Çuli

Romani i sapobotuar i Virgjil Muçit Piramida e shpirtrave, me të cilin autori fitoi dhe çmimin “Kadare”, më tërhoqi vëmendjen, si dhe më parë veprat e tjera të tij, për disa arsye. Së pari, sepse, si edhe në këto vepra të tjera, ai dëshmon për një shkrimtar i cili ka krijuar prej kohe individualitetin e tij të theksuar letrar; së dyti, sepse ky roman është tejet origjinal në të gjithë kompleksitetin e tij: subjekt, formë, teknikë, personazhe, ide, gjuhë, fjalor etj.; së treti, sepse, ashtu siç ndodh gjithnjë me veprat e mira dhe të arrira, edhe pa u thelluar në përsiatje të analizës, më pëlqeu pa masë.

virgjil-muci-1-1024x683

E njoh dhe e kam ndjekur veprën e tij që herët dhe, siç e kam thënë dhe në raste të tjera, vepra e mirë letrare nuk krijohet thjesht e vetëm “nga frymëzimi” apo nga talenti, apo nga “gjetja”, por është fryt i një jete të gjatë pune, i një reflektimi të thellë mbi botën, njeriun, shoqërinë ku jeton; mbi dukuritë e saj të shkuara, të tashme e të ardhme. Të shndërruar pastaj në lëndë letrare – proces ky, ku padyshim nevojitet talenti, por gjithnjë i përpunuar e i lëmuar ndër vite.

Subjekti i Piramidës … me pak fjalë: Mark Mara, një shqiptaro- amerikan, vjen në Shqipëri në periudhën e të famshmeve piramida financiare, pra në kapërcyell të 1996 ‒ 1997, kur ato janë ende në lulëzim. Shqipëria është në kaosin e saj të tranzicionit të fazës së parë, por Mark Mara nuk tronditet. Ai i prek me doreza të bardha sendet shqiptare dhe i sheh me buzëqeshje toleruese dukuritë shqiptare. E pranon ftesën e Robert Farkës, një nga administratorët e hotel Dajtit për t’u miqësuar dhe për t’u rekomanduar prej tij në njohjet që ai do të bëjë në vend. Mark Mara ka ardhur me synim të qartë, ai kërkon të investojë. Dhe, pas një sërë takimesh e njohjesh me drejtues lokalë e njerëz të zakonshëm në qytete e qyteza të ndryshme të Shqipërisë, ai vendos … të tregtojë shpirtra. Sepse, sheh me sytë e tij se si lista të gjata njerëzish të vdekur “votojnë” për aksh kryetar bashkie a për një tjetër. I duket biznes me fitim dhe ia propozon një sekti fetar që ka behur në vend për të gjetur “grigjën” e vet dhe që nuk ka ende shumë anëtarë.

Në të gjitha situatat që përmenda, por edhe në të tjera, në këtë roman, si edhe te romani i tij i mëparshëm Historia e parrëfyer e zotit president, kemi një humor noir, sarkazëm, ironi që gati shndërrohet në grotesk, që nganjëherë arrin deri në kufijtë e surreales dhe që, si një skemë letrare ajsbergu, pa hollësi të shumta, por nëpërmjet gjuhës dhe imazhit, na jep një botë të tërë. Botën e mungesës së vlerave morale, të korrupsionit dhe të zhvatjes, me një elegancë që të duket sikur nuk po lexon për këtë botë të ashpër, por në të vërtetë e kupton se sa e ashpër është. Si kutitë kineze shpalosen personazhet që nuk kanë nevojë për përshkrime e shpjegime, por që zbulohen mes ecurisë së ngjarjeve dhe detajeve të rralla e domethënëse, pa hollësitë që do të ishin të tepërta e të panevojshme, në stilin e ngritur me të cilin e mban veprën autori i saj. Personazhe të habitshme, rustike, rurale, korruptive, dinake, mashtruese, hipokrite, naive, të pafajshme, të mira e të këqija, as të mira e as të këqija, aspak të panjohura për shoqërinë tonë, na përplasen fytyrës me një realizëm që të shkakton edhe dhembje, me një surrealizëm që të ndërmend se jemi gjithnjë në rrafsh letrar dhe që të kujton imazhet e shfytyruara e të përkryera të kinemasë së kësaj rryme.

Kuptohet se vetë romani dhe subjekti i tij, ashtu si vetë titulli, është një metaforë: për ndjenjën e pafuqisë dhe të irracionalitetit që na pushtoi kur u futëm në botën e panjohur të ekonomisë së tregut dhe në përpjekjet e mundimshme për të ndërtuar demokracinë, ku ushqim kryesor ishte ankthi i një bote pa vlera dhe pa parime.

Kuptohet edhe se metafora është frymëzuar nga romani i njohur i Gogolit Shpirtra të vdekur, i cili përmendet në faqet e para të librit, për të ngritur një paralele me dukuritë universale njerëzore dhe për të krijuar ato enë komunikuese letrare që janë aq të çuditshme e aq të vërteta brenda krijimit artistik.

Një vepër e tillë padyshim na shpie të reflektojmë mbi disa nocione të letërsisë: atë të absurdit, për shembull, sepse romani takon herë pas here me situata absurde – vetë ideja e tregtimit të shpirtrave – ku njerëzit reagojnë në mënyrë absurde ndaj saj, duke e pranuar me gëzim e entuziazëm, pra një absurd ku përzihet edhe pak plaisanterie kunderienne, siç do të thoshin kritikët francezë. Por, në kundërshtim me rastet klasike të letërsisë absurde, ku jeta e njeriut zakonisht është një seri dështimesh dhe frustrimesh, këtu kemi një absurd logjik, brenda një universi absurd, mbështetur në realitet, që i jep dorë autorit të ndërtojë skemën e tij narrative. Është pikërisht ky realitet i shfytyruar, të cilin e shfrytëzon autori për të krijuar efektet e tij letrare përmes personazheve dhe situatave ku i vendos. Në fund, lexuesi mund të tundë kokën e të thotë: e pamundur, por e vërtetë.

Edhe nocioni i angazhimit të letërsisë të lind si diskutim kur lexon Piramidën e shpirtrave, nocion për të cilin Prusti ishte shumë skeptik dhe e quante sinonim të shërbimit ndaj të tjerëve dhe dihet se sa shumë u kundërshtua angazhimi në letërsi, veçanërisht në shekullin e kaluar. Por, një letërsi e tillë, si tek Piramida e shpirtrave, ku nuk ka asnjë “marrje ane”, por ku mendohemi thellë për dukuri të shkuara e të sotme të shoqërisë në të cilën jetojmë, më kujton edhe frazat e njohura të Kamysë kur shkruante se shkrimtari duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e tij si njeri e se ai nuk mund të jetojë jashtë shoqërisë. Se duhet të thotë të vërtetën, të mos fshehë atë që di e t’i rezistojë shtypjes.

Virgjil Muçi, si gjithnjë, është mjeshtër i fjalës së gjuhës shqipe. Ndoshta në këtë roman, këtu më shumë se kurdoherë, fjala e tij tingëllon, merr ngjyrë, është në vendin e saj dhe nuk mund ta zhvendosësh kurrsesi. Ai fjalëformon, por me kujdes e me masë, ndërton struktura fjalish e frazash të patundshme në strukturën e shqipes, pasuron me fjalorin e pamat, kontribuon me ligjëratën e rrjedhshme, të thellë. Shkurt, Virgjil Muçi është një thesar gjuhe dhe në këtë roman ka arritur një tjetër virtuozitet gjuhësor.

Mapo.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura