Dialogu, Beogradi pret vizitën e Cooper

Sep 30, 2011 | 9:13
SHPËRNDAJE

PRISHTINE- Pas refuzimit për të marrë pjesë në raundin e shtatë të bisedimeve me Kosovën, shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic ka sinjalizuar se Serbia dëshiron të mbetet e angazhuar në proces.

Edhe pse ka refuzuar të jetë pjesë e takimeve me palën kosovare më 27 dhe 28 shtator në Bruksel , kryenegociatori serb ka paralajmëruar vizitën e lehtësuesit Robert Cooper në fillim të javës së ardhshme në Beograd dhe bisedimet me të.

Por, ky zyrtar ka insistuar sërish se duhet të gjendet një zgjidhje për situatën në veri dhe për dy pikat doganore para se dialogu me Prishtinën të vazhdojë.

Ndërmjetësi europian një ditë më parë ka njoftuar se planifikon të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin në përpjekje për të aranzhuar një takim të ri, por ka përjashtuar mundësinë e diskutimit të pikave doganore duke thënë se situata atje nuk është subjekt i dialogut me palën serbe.

Sidoqoftë, Stefanovic thotë se këto çështje do t’i shtrojë për diskutim me Cooper’in të hënën dhe të martën e ardhshme.

“Me Cooper do të bisedoj jo vetëm rreth problemeve në dialogun me Prishtinën, i cili sigurisht se do të vazhdojë para së gjithash kur të gjendet një zgjidhje për krizën akute dhe kur të gjendet një modalitet që është i pranueshëm për të gjithë”, ka thënë ai.

Udhëheqësi i delegacionit serb ka folur edhe për tentimet e tij që të bind ndërmjetësin europian dhe përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, Philip Reeker, se çështja e pikave doganore dhe situata në veri duhet të përfshihen në bisedime.
“ I kemi prezantuar argumentet tona, propozimet konkrete dhe modalitetet që të mundësohet një qarkullim i lirë i mallit dhe njerëzve që nuk do të përfshinte praninë e doganierëve kosovarë. Por, nuk mundëm t’i afrojmë qëndrimet. Tek ata ekziston perceptimi negativ dhe moskuptimi se Serbia duhet të pranojë gjendjen e tashme që është krijuar pas hapave të njëanshëm të Prishtinës me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Stefanovic.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura