Dializa, Beqaj: Gara do të jetë ndërkombëtare, shërbim në 5 qytete

Aug 2, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga opozita se gara për koncesionin e dializës është e paracaktuar dhe do t’u jepet njerëzve pranë qeverisë. Në një intervistë për “Top Channel”, Beqaj shpjegon se për këtë koncesion do të hapet një garë ndërkombëtare dhe pritet që shërbimi i dializës të shtrihet në disa qytete.

Ilir Beqaj, minister i Shendetesise
Ilir Beqaj, minister i Shendetesise

“Të hënën do hapet gara ndërkombëtare, realizuar sipas mjeteve të prokurimit publik, për shërbimin e dializës, që ne duam ta ngremë në spitalet e Elbasanit, Shkodrës, Vlorës, Korçës dhe Lezhës. Shërbimi i dializës që ne kemi sot në Elbasan dhe Shkodër, nga pikëpamja e cilësisë, është tejet i amortizuar. Së dyti, ne kemi nevojë ta zgjerojmë këtë shërbim në këto qytete, sepse numri i të sëmurëve rritet. Ndërsa në tri qytetet e tjera duam ta ngremë, në mënyrë që të sëmurët ta marrin shërbimin sa më pranë vendbanimit. Duke qenë se jemi në kushte të kufizuara financiare për të investuar para publike, duam të shfrytëzojmë partneritetin publik-privat, për t’i ngritur këto qendra brenda spitaleve publike dhe që më vonë, të kalojnë në administrim publik”, shprehet Beqaj.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, deklaratat e bëra nga selia blu janë cinike, pasi shërbimi i dializës nëpërmjet operatorëve publikë ka nisur në kohën që qeveriste PD, ndaj edhe shërbimi duhet të vijojë. “Deklarata e PD-së është cinike, sepse shërbimi i dializës me operatorë publikë ka nisur në kohën e PD së, dhe mirë ka bërë. Nuk besoj se PD është kundër që edhe njerëzit në Vlorë, Lezhë etj. ta marrin aty shërbimin. Dhe ky koncesion nuk ka lidhje me shifrën spekulative të PD-së”, thekson ministri i Shëndetësisë.

Beqaj akuzon qeverisjen e djathtë edhe për borxhet e papaguara që ka lënë për operatorët privatë për shërbimin e dializës, të cilin thekson se qeveria do ta shlyejë çdo muaj. “Në shtator 2013, ne gjetëm fatura të papaguara të institucioneve publike që ofronin dializën në 2.4 milionë euro. I kemi shlyer këto detyrime të prapambetura dhe po shlyejmë gradualisht detyrimet që lindin çdo muaj”, sqaron ministri Beqaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura