Dhurata Lazo, me muzikë shqiptare në Sofje. Pianistja e njohur jep koncert recital në Bullgari

Sep 14, 2021 | 9:34
SHPËRNDAJE

Muzika i ka ardhur si një dhuratë, si një shërim shpirti, mbështetëse në ditë me shi. Dhurata Lazo është pa dyshim një nga pianistet tona më të mira, një nga përfaqësueset më të denja në skenat botërore, mikja e mirë e të gjithë artistëve, e pranishme me koncertet e saj në skenën shqiptare, edhe pse tashmë e ka ngritur karrierën jashtë saj.

Dhurata Lazo gjatë një performance
Dhurata Lazo gjatë një performance

Një shpirt i butë, me një buzëqeshje të bukur, ajo është përçuese e muzikës shqiptare në skenat e huaja.

Pikërisht sot, në Sofje, Bullgari ajo luan Çesk Zadenë. Me dëshirën që muzika shqiptare dhe kompozitorët tanë të njihen në skenat e huaja dhe të bëhen pjesë e programeve koncertore të kolegëve të saj, pjesë e koncerteve të saj janë gjithnjë pjesë të autorëve shqiptarë.

Kësaj here është radha e babait të kompozimit shqiptar, Çesk Zadeja, prej veprave të të cilit ajo ka përzgjedhur “Cikël pianistik: Improvizim, Prelud, Toccata”.

“Vepra është kompozuar në vitet 1986 – 1989 dhe regjistruar në Itali, në vitet 2004. Ndihem me fat të kem partet e shkruara me dorën e tij dhe shënimet përkatëse”, thotë pianistja, duke shprehur një vlerësim të lartë për veprën e Zadesë, të cilin e quan kolos të muzikës shqiptare.

“Muzika dhe arti i tij më kanë shoqëruar qysh fëmijë e deri në ditët e sotme e do të jetë në vijim, do të mbetet gjithnjë në zemrën time”, thotë Lazo, duke i dhënë një vlerë sipërore veprës teksa e vendos në krah të kompozitorëve të mëdhenj botërorë.

dhurata lazo recital

Në koncertin e sotëm do të luajë po ashtu Mozart (Sonata KV 330 in C Major) dhe Chopin (Notturno op. 9 nr.1, Mazurka op. 67, Polonaise op 53, Scherzo op 31, Andante Spianato & Grande Polonaise Brilliant op. 22).

Dhurata Lazo është një nga pianistet më të mira shqiptare. E lidhur me muzikën që fëmijë, e diplomuar në Akademinë e Arteve e më pas në Konservatorin “Giuseppe Verdi”, Milano, ajo ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyer, pa harruar asnjëherë pedagogët e saj, që e ndihmuan të rritej, në veçanti znj. Anita Tartari. Ndërsa ruan në zemër Gjirokastrën e saj, vendlindjen, që me bukurinë madhështore ka ndikuar në shpirtin e saj artistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura