Dhunë nga Italia fashiste në 28 nëntor, Sotir Kolea letër Kryeministrit italian: I besuan fjalës dhe besnikërisë së qeverisë së Romës, por gjaku…

Jul 8, 2022 | 22:50
SHPËRNDAJE

Collage Maker-08-Jul-2022-10.07-AMNGA NINI MANO

Më 22 qershor 1919 u nënshkrua Traktati i Versajës mes Antantës dhe Gjermanisë, i cili vendosi që ushtritë aleate të qëndronin në Shqipëri derisa fati i saj të caktohej nga Konferenca e Paqes, që do të mbahej në Paris. Më 29 korrik 1919, Italia dhe Greqia, përmes traktatit Tittoni–Venizellos, vendosën aneksimin në favor të Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës, ndërsa Italisë i njihej e drejta e mandatit zotërues të pjesës tjetër të Shqipërisë.

Në shtator 1919, Kryeministri i Italisë, Nitti, i propozoi Tittonit që të binte dakord me Pashiqin për një ndarje të Shqipërisë së mbetur mes Jugosllavisë dhe Italisë. Pak muaj më vonë, në 13 janar 1920, planin e miratuan Llojd Xhorxh dhe Klemanso. Me anë të memorandumit në 10 janar 1920, Italia i kërkoi Lidhjes së Kombeve mandatin për administrimin e shtetit shqiptar, ku parashtronte që “… kufijtë shqiptarë në Veri dhe në Lindje, të jenë ato që kanë qenë caktuar në Konferencën e Londrës, ndërsa kufiri jugor i Shqipërisë të jetë objekt shqyrtimi”, me shpresën e realizimit të Paktit Tittoni-Venizellos, që u siguronte Greqinë si ndihmës në planin Italian të aneksimit të territoreve shqiptare. Kryeministri italian Nitti e donte këtë kompromis, me kusht që Italia të mbante Vlorën dhe të siguronte mandatin për administrimin e Shqipërisë.

Konferenca e Paqes që i mbylli punimet më 10 prill 1920, përveç hartës politike të vitit 1913, i dha Italisë të drejtën për të mbajtur nën zotërim Vlorën dhe rrethinat e saj si dhe një mandat special për zgjerimin e trevave nën sundimin italian në rast të një copëtimi të vendit midis shteteve fqinje.

Ndërkohë, vitet 1918, 1919 dhe 1920 ishin më të errëtat për tokën e shqipeve. Qeveria e Përkohshme e Durrësit u krijua në 25 dhjetor 1918 nga Kongresi i Durrësit, që u mblodh pa delegatë nga trojet shqiptare dhe në kundërshtim me kërkesat e grupit të patriotëve që vendosën para një javë në Tiranë përgatitjen e një Kongresi Kombëtar Shqiptar. Qeveria që ishte e gjitha pro italiane, si vendim të parë miratoi dhënien e Vlorës në favor të Italisë, ndërsa pjesën tjetër të vendit, nën një protektorat ndërkombëtar. Ajo deklaroi se ishte për një “Protektorat italian mbi Shqipërinë”, gjoja garanci politiko-ushtarake për moscopëtimin e mëtejshëm të saj në favor të Mbretërisë Serbe dhe Greqisë. Qeveria e Durrësit i njihte Italisë të drejtën e ushtrimit të një Protektorati mbi Shqipërinë dhe i linte nën administrim dhe pushtim ushtarak Vlorën. Për t’ua bërë të njohura këto vendime Fuqive të Mëdha në Konferencën e Versajës, kjo qeveri mandatoi delegacionin diplomatik, kryesuar nga Kryeministri Turhan Pasha.

Vendimet e Qeverisë së Durrësit u kundërshtuan ashpër nga atdhetarët si tradhti kombëtare, në disa qytete të Shqipërisë së Mesme u bënë përpjekje për rrëzimin e saj. Në mes të dhjetorit 1919, komisioni organizator për Kongresin e Lushnjës iu drejtua bashkive që të zgjidhnin nga 2 delegatë për nën/prefekturë për Kongresin Kombëtar në janar 1920. Më 31 dhjetor 1919, komisioni u nisi thirrjen e programin gjithë bashkive, duke shpallur si qëllim kryesor “sigurimin e bashkimit kombëtar”.

Kongresi i Lushnjes që u mbajt në Janar 1920 përmes delegacionit zyrtar i nisi një kërkesë Konferencës së Paqes në Paris: “Asambleja Kombëtare Shqiptare e mbledhur në Lushnje, proteston kundër vendimit, i cili dënon një shtet neutral si Shqipëria, një nga kombet më të vjetra të Evropës, që të kënaqë orekset imperialiste të qeverive të vendeve fqinje. Kjo Asamble kërkon njohjen e një Pavarësie të plotë të Shqipërisë, me kufij etnikë e natyralë shqiptarë, të tillë që të riparojnë padrejtësitë që i janë bërë asaj nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 dhe nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913. Asambleja Kombëtare ka vendosur të mos pranojë asnjë mandat ose protektorat të huaj në Shqipëri dhe s’ka pretendim tjetër veçse atij, që shteti e kombi shqiptar të mbeten në vendin që u takon në gadishullin e Ballkanit, duke u dhënë fund, njëherë e mirë, mizorive të cilave u është ekspozuar nga jashtë, si dhe të jetojë në paqe e harmoni me fqinjët. Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo sakrificë, bile të derdhin edhe pikën e fundit të gjakut kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik Pavarësinë dhe tërësinë e tyre kombëtare”.

Ishte kohë e ethshme kur patriotët e vërtetë shqiptarë ngritën fort zërin për të penguar këtë masakër territoriale, që Italia, Greqia dhe Serbia kishin programuar për të vjedhur sa më shumë territore shqiptare. Sotir Kolea mbetet ndër të paktët patriotë, që jo vetëm dha gjithë pasurinë e vet për çështjen shqiptare, që luftoi fort, por as nuk pranoi të blihej nga të huajt, sikurse ka ndodhur jo pak me të tjerë emra me peshë aso kohe në Shqipëri.

Në drejtim të revistës “L Albanie” që botohej prej vitit 1915 në Lozanë të Zvicrës, Kolea herë vetëm dhe herë së bashku me kolegët e tij, ngriti fort zërin duke përdorur publicistikën e fortë luftarake kur Shqipëria ishte vënë sërish në tavën e grabitjes së madhe. Janë të shumta korrespondencat që Kolea ato vite u dërgonte drejtuesve kryesorë të shteteve të fuqishme, deri në Amerikë. Ndër to, edhe kjo letër që ia nisi Kryeministrit të Italisë, Francescho Nitti, në 26 mars 1920, e botuar edhe te revista. Përmes saj, Kolea demaskonte politikën e censurës, iniciuar prej Nittit në media, për të fshehur masakrën që kryen në Vlorë karabinierët italianë ndaj dhjetëra qytetarëve, që festonin ditën e shenjtë të Pavarësisë më 28 nëntor 1919.

Për Shkëlqesinë e Tij, Zoti Nitti Kryeministër Romë Shkëlqesi,

Censura ishte një nga temat e fjalimit tuaj në banketin e fundit të Shoqatës së Shtypit dhe nga fjalët tuaja, gazetat e Gadishullit riprodhuan ndër të tjera këtë që vijon:… Të bëjmë një marrëveshje miqësore. Nuk po e anuloj dekretin e censurës, por nga e enjtja e ardhshme do ta heq censurën. Kërkoj nga ju një akt besnikërie, përgjegjësie dhe dinjiteti dhe i kërkoj shtypit të mbajë përgjegjësi për publikimin e lajmeve të pavërteta dhe të mos lejojë që opinioni publik të shqetësohet prej tyre. Ju lutem denonconi gazetarët që janë fajtorë për akte të tilla…

U takon të tjerëve të vënë në dukje gjithçka që është thellësisht imorale në këtë ftesë, kaq të qartë dhe formale.

Për denoncimin, që kreu i qeverisë u drejtoi gazetarëve të Revanche (gazeta demokratike e Korsikës që nga viti 1869), u takon bashkatdhetarëve tuaj të nxjerrin prej saj mësimet që përmban, por sidomos patriotëve të vërtetë italianë të masin përshtypjen që duhet të ketë lënë në shpirtin e përfaqësuesve të shtypit të huaj, të pranishëm ne banket, fakti që në mesin e 250 të ftuarve nuk u gjet një bir i denjë nëne për ta kritikuar menjëherë.

Por le të vazhdojmë. Për më tepër, këto janë gjëra që mund t’u interesojnë shumë pak të huajve, siç jemi ne. Ajo që në këtë rast mund të jetë me interes për shumë njerëz është ftesa tjetër nga ana juaj për të njëjtët gazetarë, ajo që ka të bëjë me botimin e “delle notizie non vere” (lajmeve të pavërteta). Më në fund shohim se qeveria ka mbajtur në fuqi censurën vetëm për shkak të lajmeve të pavërteta.

Italian i lumtur! Ti mund të jesh i qetë sepse një qeveri e drejtë dhe mendjemprehtë kujdeset për fatet e tua!

Por, meqë ra fjala, pas përvojës së fituar në çështjet e censurës, jemi në të drejtën tonë të shtrojmë pyetjen se çfarë do të thotë për ju dhe gjithashtu për gazetarët e dëgjuesit tuaj “notizie non vere”. A i keni tashmë të dhënat e nevojshme për t’i konsideruar si mjaft të pjekur për rolin e të vetëvrarëve me bindje? Ka shumë të ngjarë, sepse përndryshe si ta shpjegojmë ftesën e Shkëlqesisë suaj, veçanërisht kur dihet se kush përfiton në frymën e censurës nga dallimi mes të vërtetës dhe të pavërtetës, që nga vetë natyra e gjërave dhe interesat në lojë, është e papërcaktuar dhe e papërcaktueshme.

Dhe ky, Shkëlqesi, nuk është një pohim pa bazë. Këtu është një fakt, i cili vjen nga dje, i cili ilustron në mënyrë të përkryer atë që sapo është paraqitur.

28 nëntorin e kaluar, përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha turke në Vlorë, karabinierët mbretërorë u vërsulën mbi bijtë e paarmatosur të një populli, i cili, gabimit të të qenit i vogël dhe i parëndësishëm, i kishte shtuar gabimin shumë më të madh e të pafalshëm, të të besuarit në fjalën dhe në besnikërinë e qeverisë së Romës.

Gjaku rrodhi dhe sigurisht fuqia mbeti në forcën e shtypësit…

Falë masave të mara nga censura juaj, këtë trimëri, e denjë për t’u renditur krahas bëmave më të mira të gardës së Nikollës II, ne e mësuam vetëm në fund të dhjetorit. Gjithsesi, ne nxituam t’u drejtohemi Madhërisë së Tij Mbretit të Italisë dhe Kryesisë së Dhomës së Deputetëve të Italisë. Kopje të kësaj letre të fundit u ishin dërguar disa gazetave të kryeqytetit, por asnjëra prej tyre nuk mundi ta botonte, sepse censura juaj kishte vënë atje veton e mirësjelljes (cortesse veto).

A bëhej fjalë në këto rrethana për një nga ato “çështje të pavërteta” që sapo keni sjellë në vëmendje të gazetarëve?

Po zjarri i Hormovës dhe punët e Cervenit dhe Podgoranit? Dhe kaq shumë trimëri dhe heroizma të karabinierëve tuaj, për të cilat gazetat nuk thanë asnjë fjalë, a hyjnë në kategorinë e “cose non vere”?

Për nder të Italisë, të Italisë së vërtetë, do të kishim dashur të ishte kështu. Për fat të keq dhe pavarësisht censurës suaj, faktet janë fakte. Komploti i heshtjes nuk mund të ndryshojë asgjë. Ndërgjegjja universale tashmë e ka dhënë mendimin e saj, nuk i lejohet më askujt dhe aq më pak shqiptarëve të kenë dyshime për mënyrën se si lëvizja italiane e koncepton të vërtetën dhe drejtësinë.

Për sa u përket bashkatdhetarëve tuaj, ata kanë filluar të dallojnë se lëvizja e tyre ka të njëjtin koncept për drejtësinë si për veten, dhe për të tjerët…Kur këta të tjerët janë mjaft të fortë vetë, ose kur kanë fatin të gëzojnë mbrojtje të fuqishme. Lozanë, 26 mars 1920 Nënshkruar S. Kolea Kutia postare Nr.17303, Lausanne-Gar

Falë përpjekjeve të mëdha patriotike shqiptare, planet që kërkonin zhdukjen e Shqipërisë, i hodhi poshtë Presidenti amerikan, Uillson. Megjithatë, diplomati britanik Lari Uodwll shkruan se, “faktori kryesor që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi përfundimtar ishte veprimi i vetë shqiptarëve në mbrojtje të vendit të tyre. Duke mos gjetur mbështetje te ‘paçebërësit’ e Parisit, udhëheqësit shqiptarë formuan një qeveri në janar 1920 dhe u ngritën e dëbuan nga vendi të gjitha ushtritë e huaja”.

Lufta e Vlorës i vuri vulën gjithë përpjekjeve shqiptare për liri. Kur atdhetarët vlonjatë i dorëzuan në 3 qershor 1920 ultimatumin gjeneralit italian Piaçntini për t’u larguar nga Vlora pa përdorur armët, ai me arrogancën e pushtuesit u tha “përgjigjen do ta merrni nga gryka e topave”. Ndihej i sigurt dhe shpresonte te ushtria e tij me 22.000 ushtarë përballë 4000 luftëtarëve shqiptarë.

Lufta filloi një ditë mbas skadimit të ultimatumit, në 4 qershor 1920, por rrethimi i Vlorës ishte bërë që më përpara nga çetat e luftëtarëve të Labërisë dhe nga të gjitha krahinat, në përputhje me idetë politike dhe organizative të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Gjeneral Piaçentini i rrethuar, me urgjencë i kërkoi Ministrisë së Luftës së Mbretërisë Italiane dhe kryeministrit Nitti mbështetjen me trupa e armë. Lufta e përgjakshme vazhdoi gati 2 muaj deri sa trupat italianë përballë shqiptarëve u detyruan në 2 gusht 1920 dhe nënshkruan protokollin me Shqipërinë për tërheqjen e trupave të tyre dhe njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë, me përjashtim të ishullit të Sazanit, që e mbajtën për të kontrolluar Otranton.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura